Kërko

Papa: Nënë Tereza na ndihmoftë ta dëgjojmë me vëmendje britmën e të varfërve

Gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, Papa i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja dashurie”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve. Pas lutjes, takimi prekës me 100 të pastrehë, të asistuar nga Motrat Misionare të Bamirësisë dhe bekimi i gurit të parë për Shenjtëroren kushtuar Nënë Terezës.

R. SH. Vatikan

Një nga çastet më prekëse të kësaj dite në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht vizita e Papës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të këtij shtegtimi të 29-të apostolik, ashtu si Shën Gjoni XXIII. Do të jetë një ndërtesë moderne, që do të përurohet në vitin 2019 e do të ketë edhe një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. Pjesa e parë e kësaj etape nisi me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës, ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Nënë Terezës e, natyrisht, edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, me tri rregulltare, Papa lartoi lutjen në nderim të  Shenjtores shqiptare.

Mbi altar ishte ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare. Bashkësitë fetare të pranishme, sipas njoftimit të Kishës vendase, ishin: bashkësia ortodokse maqedone, e përfaqësuar nga metropoliti i Shkupit, Stefani; bashkësia islamike, nga ulema Sulejman Rexhepi; bashkësia ungjillore metodiste, nga pastori Michail Cekov; bashkësia hebraike, nga Berta Romano Nikolic. E nuk është rastësi që, në këtë vizitë, morën pjesë të gjithë liderët fetarë: këtë Grua të vogël- tejet të madhe - që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen e Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Gjatë lutjes për nder të Nënë Terezës, kanonizuar në vitin 2016, Papa iu drejtua Zotit me fjalët prekëse:

“Të falënderojmë o Zot - u lut - për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia përkujtimore, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qenë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, ndjeu së pari zërin e Jezusit! Zoti po e thërriste për ta ndjekur pas në jetën rregulltare si misionare - kujtoi akoma Papa në lutje. - Pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, Françesku iu lut Shqiptares së Madhe të ndërmjetësojë pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të  shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nevojtarit:

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet - përfundoi Papa - për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Takimi me të varfërit dhe bekimi  i gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës

Në përfundim, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë, Urdhër i themeluar nga Nënë Tereza. Eprorja vendase, motër Tekla, i drejtoi një përshëndetje Atit të Shenjtë:

 “Jemi ndërmjet të varfërve më të varfër - kujtoi - e, në vijim, përsëriti fjalët e paharrueshme të vetë Nënë Terezës: ‘Të varfërit janë njerëz të mëdhenj’; kanë kombësi, gjuhë, fe, përvojë të dhimbshme e tronditëse të ndryshme, por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”.

Shumë prekëse edhe dëshmia e Sonjës, një gruaje të asistuar nga motrat, që foli para Papës, duke mbajtur përdore vogëlushen e vet. Vajzë-nënë, ajo pati shpresuar të kishte një vatër familjare, por mbeti në mes të rrugës së madhe. Në pritje të foshnjës. Nga përvoja e saj u ndje fort dhimbja e thellë, por dhe mirënjohja, edhe më e thellë, për motrat që - theksoi - pa më pyetur fare ç’feje i përkas - e unë jam ortodokse - më hapën portën e zemrën, mua e bijës sime. Kur duhej të vendosja ta mbaja fëmijën apo ta abortoja - vijoi - zgjodha jetën, ngaqë e dija se Zoti është këtu, me ne, se Ai nuk na braktis kurrë”.

Fjalë prekëse, edhe sepse e bëjnë të dukshëm frytin e një morie jetësh të dhuruara për dashuri, fryt që lexohej qartë në sytë e ndritshëm të të varfërve të pranishëm në takim, të cilët Papa i përshëndeti një për një. Dëshmi tjetër, e prekshme, emocinuese, kjo, për t’u treguar se nuk janë të harruar. Se ka kush i kujton!

07 maj 2019, 14:17