Cerca

Vatican News

Papa: jeta është e shenjtë dhe e pacënueshme; eugenetika, çnjerëzore

Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në kuvendin “Yes to Life”- “T’i themi po jetës!”, Papa kërkoi të trajtohet me shumë kujdes dhurata e jetës, sidomos, kur është e brishtë. E edhe të shoqërohen familjet, si në çastet e zisë për fëmijën e humbur, ashtu edhe në kujdesin për fëmijën e sëmurë. “Një përpjekje, kjo - kujtoi - që synon ta përsosë plotësisht dashurinë e një familjeje”

R. SH. - Vatikan

“Jeta njerëzore është e shenjtë dhe e pacënueshme, ndërsa përdorimi i diagnozës para lindjes për synime selektive, duhet kundërshtuar me forcë, sepse është shprehje e mendësisë çnjerëzore eugenetike, që u rrëmben familjeve mundësinë t’i pranojnë, t’i përqafojnë e t’i duan fëmijët e tyre më të ligshtë”. Aborti nuk është kurrë përgjigjja, që kërkojnë gratë e familjet! Çka i bën të ngurrojnë prindërit, është frika nga sëmundjet dhe vetmia”. Këtë theksoi Papa në audiencën me pjesëmarrësit e kuvendit “Yes to life”. Ka fëmijë - kujtoi akoma Françesku - që në disa raste, kultura e hedhurinës i quan të papajtueshëm me jetën, e kjo, as për moshën, as për gjendjen shëndetësore, as për cilësinë e të jetuarit. Çdo fëmijë i zënë në kraharorin e nënës, është dhuratë, që ia ndryshon gjithë historinë familjes së përbërë nga ati e nëna, nga gjyshërit e vëllezërit. E ky fëmijë ka nevojë të mirëpritet, të duhet, të kujdeset. Gjithnjë.

“Në nivelin shoqëror, frika e armiqësia përballë gjymtimeve i hapin shpesh udhën abortit, duke e paraqitur si  praktikë  ‘parandalimi’. Po mësimi i Kishës mbi këtë pikë është i qartë: jeta njerëzore është e shenjtë dhe e paprekshme”.

Për prindërit, që i presin krahëhapur fëmijët me kufizime, vështirësitë e natyrës praktike, njerëzore e shpirtërore nuk mund të mohohen, por pikërisht për këtë janë urgjente veprimtaritë baritore, për t’i mbështetur  ata, që i mirëpresin fëmijët e sëmurë. Duhet, prandaj, të krijohen hapësira, vende e rrjete të dashurisë për çiftet, që mund t’u drejtohen, e edhe t’i kushtohet koha e duhur shoqërimit të këtyre familjeve - theksoi në përfundim Papa.

25 maj 2019, 15:42