Kërko

Vatican News
2019.05.09 Docenti e Studenti Pontificio Istituto Biblico 2019.05.09 Docenti e Studenti Pontificio Istituto Biblico  (Vatican Media )

Papa Institutit Biblik: dashuria ndaj të afërmit bazë e dialogut ndërfetar

Në Romë mbahet Simpoziumi "Jezusi dhe farisenjtë. Një rishqyrtim ndërdisiplinor", nga ekspertë të disiplinave biblike hebraike, katolike dhe protestante, të cilët sot u pritën në audiencë nga Papa, me rastin e 110 vjetorit të Institutit Papnor Biblik që organizon ditët e studimit. Në fjalimin zyrtar, Françesku ofron një reflektim mbi paragjykimet që pengojnë t’i duam afërmit tanë, duke u nisur nga figura e "fariseut".

R.SH. - Vatikan

"Për t’i dashur ata janë përreth nesh, duhet t'i njohim, shpesh duke gjetur mënyra për t’i kapërcyer paragjykimet e lashta". Mendimi i Papës Françesku përkon me synimet e Simpoziumit - "Jezusi dhe farisenjtë, një rishqyrtim ndërdisiplinor" - që përfundon sot në Romë e që hulumton mbi origjinën dhe historinë e grupit fetar të farisenjve, të pranishëm në Shkrimet e Shenjta të Biblës, në momente të ndryshme të Ungjillit dhe të jetës së Jezusit, ndaj të cilëve stereotipet janë shtresëzuar me pasoja të ndryshme, duke përfshirë antisemitizmin.

Stereotipi i fariseut, hipokrit dhe mendjemadh

Në fjalimin e tij, të cilin nuk e shqiptoi, por ua dorëzoi pjesëmarrësve të Simpoziumit, që janë hebre, protestantë dhe katolikë nga Amerika, Azia dhe Evropa, të cilët deshi t’i përshëndeste një nga një, Papa Françesku së pari kujtoi 110 vitet e Institutit Papnor Biblik, organizator i këtij Simpoziumi, pastaj përmendi misionin e këtij Instituti Biblik që është promovimi i doktrinës biblike, e duke iu referuar temës specifike të Simpoziumit – fryt edhe i marrëdhënieve të Kishës me fetë jo të krishtera, sanksionuar nga dokumenti i Koncilit II të Vatikanit ‘Nostra Aetateva’ – preku thelbin e çështjes që shtjellohet në veçanti ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve.

"Tek të krishterët dhe në shoqërinë shekullare", shkruan Papa, "fjala farise do të thotë person hipokrit ose mendjemadh, edhe pse për shumë hebrenj, farisenjtë janë themeluesit e judaizmit rabinik". Prandaj kemi të bëjmë me një histori interpretimi, e cila pa asnjë bazë konkrete në Ungjij, ka favorizuar «imazhe negative ndaj farisenjve» dhe shpesh ishin të krishterët që i atribuuan ato:

Në botën tonë, stereotipe të tilla negative, për fat të keq, janë bërë shumë të zakonshme. Një nga stereotipet më të vjetra dhe më të dëmshme është pikërisht ai i "fariseut", sidomos kur përdoret për t'i vënë judenjtë në një dritë negative. Studimet e fundit kanë zbuluar e pohojnë se sot dimë më pak për farisenjtë sesa mendonin brezat e mëparshëm. Ne jemi më pak të sigurt për origjinën e tyre dhe për shumë nga mësimet dhe praktikat e tyre fetare. Prandaj, hulumtimet ndërdisiplinor mbi çështjet letrare dhe historike që kanë të bëjnë me farisenjtë, që trajtohen nga ky simpozium, do të ndihmojnë për të mësuar e pasur një vizion më të saktë e më të vërtetë rreth këtij grupi fetar, duke ndihmuar gjithashtu edhe luftimin e antisemitizmit.

Shën Pali thoshte "për sa i përket Ligjit, Fariseut" dhe Jezusit – vëren Papa në fjalimin e tij – se kishte shumë gjëra të përbashkëta me farisenjtë: diskutimet, feja në Ringjallje, interpretimet e Torah-ut, për të mos folur pastaj për njërin nga momentet më të rëndësishme të Ungjillit të Gjonit, domethënë, takimin e Jezusit me njërin prej udhëheqësve hebrenj, Nikodemnin farise, i cili do ta mbrojë dhe pastaj do të ndihmojë varrimin e tij, ndaj cilit asnjë prej stereotipeve nuk i përshtatet.

Rregulla e artë midis hebrenjve dhe të krishterëve

Por lidhja më e madhe është në të ashtuquajturën "rregullën e artë": “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”, të cilën Jezusi ua kishte dhënë  – siç njofton Ungjilli Mateut – duke u përgjigjur në pyetje të një mësuesi të Ligjit, të një fariseu. Kjo, shkruan Papa, tregon "nderimin e lartë që Jezusi kishte për ata udhëheqës fetarë që vërtet ishin afër mbretërisë së Hyjit".

Konfirmimi do të vijë gjithashtu edhe nga njëri prej rabinëve (mësuesve) më të famshme të shekullit të dytë, trashëgimtar i mësimit të farisenjve, Rabbi Akiba "i cili tregoi fragmentin e Librit të Levitikut 19:18: "duaje të afërmin tënd porsi vetveten" si një parim të madh të Torah-ut. Sipas traditës, ai vdiq si një martir me fjalët e fundit të ‘Shema’, që përmban urdhrin për të dashur Zotin me gjithë zemër, shpirt dhe forcë (shih Dt 4, 4-5) ".

Kështu pra, kemi një harmoni të plotë ndërmjet Jezuit, rabinit dhe farisenjve të së kaluarës dhe kohës së sotme:

Prandaj, dashuria për të afërmin përbën një tregues të rëndësishëm për t’i njohur lidhjet ndërmjet Jezusit dhe bashkëbiseduesve të tij, farisenjtë. Dashuria përbën bazën e rëndësishme për çdo dialog, sidomos ndërmjet hebrenjve e të krishterëve, edhe sot. Në të vërtetë, për t'i dashur më mirë të afërmit tanë, duhet t'i njohim e për të ditur se kush janë, shpesh, duhet të gjejmë mënyrën, për t’i kapërcyer paragjykimet e vjetra.

Për këtë arsye, përfundon Papa fjalimin, Simpoziumi që po zhvillohet në Universitetin Papnor Gregoriana, me frymën ndërdisiplinore, do të na mundësojë t'i paraqesim farisenjtë në një mënyrë më të përshtatshme si në mësimdhënie e edhe në predikime" e kjo do të kontribuojnë “pozitivisht në marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve në funksion të një dialogu gjithnjë e më të thellë dhe më vëllazëror ".

09 maj 2019, 13:08