Kërko

Vatican News

Papa i dhuron 100 mijë euro Karitasit të Greqisë për emigrantët

Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajewski ndodhet në Lesbos të Greqisë për të çuar solidaritetin e Papës Françesku për Karitas Hellas dhe për realitetet e tjera, që punojnë në favor të emigrantëve dhe të refugjatëve.

R.SH. - Vatikan

Dje, kardinali Krajewski vizitoi Qendrën “Team Humanity” në ishullin grek, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, imzot Jean-Claude Hollerich dhe nga kryeipeshkvi i Athinës, imzot Sevastianos Rossolatos.

Qendra “Team Humanity”

         Aty u takua me Sheela-n, refugjate 13-vjeçare nga Afganistani, që nuk kujtohet më as për vendin e saj të origjinës, por edhe me 500-800 fëmijë të tjerë refugjatë, që jo shumë larg nga kampi i Morias, marrin pjesë, së bashku me vullnetarët, në veprimtari të përshtatshme për moshën e tyre. Në Qendër ka lojra, një kinema e, edhe kurse yoga, organizuar me ndihmën e donacioneve private, jo nga fonde qeveritare, ose të Bashkimit Evropian.

100 mijë euro e jo vetëm ato

         Pikërisht, fëmijëve të Qendrës “Team Humanity”, prelati vatikanas u çoi “përkëdheljen” e veçantë të Papës, një kontribut për ndërtimin e një zone lojrash në oborr. E nuk është i vetmi gjest i afërsisë së Atit të Shenjtë me emigrantët e Lesbos, shumica afganë, por edhe irakianë, iranianë, sirianë e afrikanoveriorë, gjithsej, 70 mijë në gjithë Greqinë, ndërsa në ishull, 7 mijë. Kardinali Krajewski dhuroi, në emër të Papës, edhe 100 mijë euro si kontribut për punën e Karitasit grek. “Erdhëm, sepse Evropa sikur i ka harruar kampet greke”, nënvizoi prelati, gjatë takimit me një delegacion qeveritar. Mbetet përparësi “të shpëtohen njerëzit”, theksoi para gjendjes së mjerueshme të kampit të Morias, ku çdo sëmundje mjekohet vetëm me paracetamol. Në prag të zgjedhjeve evropiane, Greqia i kërkon Brukselit një program të ri për rishpërndarjen e refugjatëve dhe krijimin e një sistemi evropian për strehimin e tyre.

09 maj 2019, 12:47