Kërko

Papa Françesku në  takimin me meshtarët e familjet e tyre dhe me rregulltarët e Maqedonisë së Veriut Papa Françesku në takimin me meshtarët e familjet e tyre dhe me rregulltarët e Maqedonisë së Veriut 

Takimi i Papës me meshtarët e rregulltarët në Shkup: pak, por parfum i Ungjillit, si Nënë Tereza

Papa Françesku e përfundoi vizitën e tij në Shkup dhe krejt shtegtimin e tij të 29-të apostolik, me takimin me meshtarët e familjet e tyre dhe me rregulltarët e Maqedonisë së Veriut, në katedralen e Zemrës së Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Menjëherë, pasi dëgjoi dëshminë e një meshtari bizantin dhe të familjes së tij, si edhe të një meshtari të ritit latin e të një murgeshe, Ati i Shenjtë vuri në dukje se Kisha maqedonase merr frymë me të dyja mushkëritë. “Më thatë se jeni pak”, vërejti Papa, për t’u kujtuar të pranishmëve episodin ungjillor të Marisë, që i lyen këmbët e Krishtit me parfum, duke e mbushur gjithë shtëpinë me aromë.

Llogaritë duhen vetëm për të qenë solidarë

         Nganjëherë, i tha Françesku klerit, bëjmë tepër llogari, të cilat kanë kuptim vetëm kur na ndihmojnë “t’u afrohemi jetëve dhe situatave, ku nuk dalin llogaritë: familjeve, që nuk arrijnë të ecin përpara, njerëzve të moshuar e të vetmuar, të sëmurëve në shtrat, të rinjve të trishtuar pa të ardhme, të varfërve, që na kujtojnë se jemi Kishë lypsarësh, nevojtarë për Mëshirën e Zotit”. Llogaritë, nënvizoi Papa, na shërbejnë për të qenë solidarë me ta.

Nënë Tereza ishte një, por e çoi Krishtin në të katër anët e botës

         E pastaj, sërish Nënë Tereza, figurën e së cilës nuk dua ta shpërdoroj, theksoi Françesku, por ajo ishte një e, megjithatë, e çoi Krishtin në të katër anët e botës. “Kjo tokë diti t’i dhurojë botës dhe Kishës, në Nënë Terezën, pikërisht një shenjë konkrete se si brishtësia e një njeriu, të shuguruar prej Zotit, është e aftë t’i japë aromë gjithçkaje, përmes parfumit të lumnive, që përhapet mbi këmbët e lodhura të njerëzimit. Sa vetë u qetësuan nga ëmbëlsia e vështrimit të saj, u ngushëlluan nga përkëdhelja e saj, u lehtësuan nga shpresa e sa edhe u ushqyen nga guximi i fesë së saj, në gjendje t’i bëjë të harruarit ta ndiejnë se nuk ishin harruar nga Zoti! Historinë e shkruajnë këta njerëz, që nuk kanë frikë ta humbasin jetën për dashuri”.

Njerëzimi është ndikuar nga shpirtra, emri i të cilëve nuk gjendet në librat e historisë

         Papa citoi edhe shën Terezën Benedikta e Kryqit, e cila pohonte se historia e njerëzimit është ndikuar nga shpirtra, emri i të cilëve nuk gjendet në librat e historisë. Prandaj, theksoi më tej Ati i Shenjtë, nuk ka nevojë të jemi të fortë, të fuqishëm e me ndikim të madh në shoqëri. E solli ndërmend dëshminë e meshtarit të ritit latin, që gjeti vetveten pikërisht kur hoqi dorë nga karriera dhe u kthye në famulli, pranë grigjës së Zotit.

         “Shpesh – theksoi Papa – harxhojmë energji e burime, mbledhje, diskutime e programe, për të ruajtur qasje, ritme, perspektiva, që jo vetëm nuk entuziazmojnë kënd, por nuk janë në gjendje as të sjellin pak nga ajo aromë ungjillore, që mund të ngushëllojë e të hapë rrugë shprese… Sa të drejta janë fjalët e Nënë Terezës: ‘Çfarë nuk më duhet, më rëndon!’ Le t’i hedhim të gjitha peshët, që na ndajnë nga misioni dhe e pengojnë parfumin e mëshirës të arrijë fytyrën e shumë vëllezërve tanë”.

Familja të ketë përmasën e ëmbëlsisë, të durimit e të dhembshurisë

         Dëshmia e meshtarit të ritit bizantin dhe e familjes së tij i shërbeu Papës për të përvijuar një reflektim mbi familjen në përgjithësi, duke pasur parasysh skenën e përshkruar në Librin e Zbulesës, ku Qingji i Hyjit “rri para derës e troket. Nëse ndokush ia dëgjon zërin dhe e hap derën”, Ai shkon tek ky person e darkon me të. Kështu është shtëpia, që ka brenda Zotin, tha Papa, që dëshmon se feja nuk e largon nga bota, por e bën të marrë pjesë në të, me besimin se Zoti ka dashuri të pakufishme për ne. Çdo familje, që Papa e shikoi sipas shembullit të familjes së Nazaretit, duhet të ketë përmasën e ëmbëlsisë, të durimit e të dhembshurisë për të tjerët.

         Së fundi, Ati i Shenjtë i falenderoi meshtarët dhe rregulltarët që, çdo ditë, e bëjnë të dukshme fytyrën familjare të Zotit-me-ne, që nuk resht së na befasuari, edhe ndërsa angazhohemi me punët e përditshme dhe iu lut Shpirtit Shenjt ta rinovojë gjithnjë misionin e kësaj Kishe, që merr frymë me të dyja mushkëritë.

07 maj 2019, 17:43