Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shkup të Maqedonisë së Veriut Papa Françesku kremton meshën në Shkup të Maqedonisë së Veriut 

Françesku përmend Nënë Terezën, gjatë homelisë në Shkup: ta lemë Krishtin të na e shuajë urinë

Jezusi në sakramentin e altarit e Jezusi në sakramentin e vëllait: Papa Françesku i nxiti besimtarët e Shkupit t’i përgjigjen ftesës së Krishtit për ta ndjekur, duke u vënë për udhë e duke kapërcyer pengesat. Solli shembullin e Nënë Terezës, e cila kishte uri për Zotin dhe e takonte në Eukaristi e në të varfërit.

R.SH. - Vatikan

Takimi i paradites me bashkësinë katolike të Maqedonisë së Veriut bashkoi dy tradita të lashta liturgjike, atë latine të Romës dhe atë lindore të Bizantit. Papa Françesku, në ditën e tretë dhe të fundit të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, kremtoi meshën në sheshin Maqedonia, në qendër të Shkupit, për rreth 10 mijë vetë, të cilët nuk bënin pjesë vetëm në 1%-shin e popullsisë maqedonase, që është katolike, por edhe në atë mori njerëzish, që kishin ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia.

Jezusi, Buka e vërtetë, që ngop

         Në qendër të homelisë, fjalët e Krishtit në Ungjillin e sotëm: “Kush vjen tek unë nuk do të ketë uri e, kush beson në mua nuk do të ketë etje”. Jezusi i flet kështu turmës në festë për shumëfishimin e bukëve dhe të peshqve – njerëz, të ndryshuar krejtësisht nga ajo mrekulli. Papa i ftoi të pranishmit të mendojnë për Zotin e befasive e të papriturave:

         “Zoti erdhi për t’i dhuruar jetën botës dhe e bën këtë gjithnjë, në një mënyrë, që arrin të sfidojë llogaritë tona të mangëta, mediokritetin dhe cektësinë e intelektualizmave tona; vë në diskutim këndvështrimet dhe siguritë tona; duke na ftuar të kalojmë në horizontin e ri, që i krijon hapësirë një mënyre të re për të ndërtuar realitetin”.

Uri për Zotin e uri për vëllazërimin

         Por, uria e këtyre njerëzve, vazhdoi Françesku, nuk është vetëm për bukë, është edhe “uri për Zotin, uri për vëllazërim, uri për takim dhe festë të përbashkët”. Edhe ne ndjejmë uri, pasi kemi besuar se mund ta kënaqim zemrën dhe jetën me gjëra të rreme, nënvizoi Papa, i cili dha edhe disa shembuj: jemi ushqyer me lajme të rreme, theksoi, dhe “kemi përfunduar të burgosur të diskreditimit”; i jemi përshtatur konformizmit dhe “kemi përfunduar duke pirë indiferencë”; kemi pasur ëndrra madhështie e “kemi përfunduar duke ngrënë shkujdesje, mbyllje dhe vetmi”; të burgosur pas hekurave të komunikimit virtual, “kemi harruar shijen dhe aromën e realitetit” dhe të vëllazërimit.

         “Le ta themi me forcë dhe pa frikë: jemi të uritur, o Zot ... Kemi uri, o Zot, për bukën e Fjalës tënde, në gjendje të hapë zemrën e mbyllur dhe vetminë tonë; kemi uri o Zot për atë vëllazërim, në të cilin indiferenca, diskreditimi, shpifja nuk na i mbushin tryezat dhe nuk zënë vendin e parë në shtëpi. Kemi uri o Zot, për takime, ku Fjala jote të zgjojë shpresë, të krijojë ëmbëlsi, të sensibilizojë zemrat, duke hapur udhën e shndërrimit e të kthimit në fe”.

Ftesa e Zotit: ejani

         Vetëm Zoti, vijoi Papa, është i aftë të na i ndryshojë zakonet dhe stereotipet, duke na mësuar ta ndajmë dhembshurinë e Atit me çdo njeri, sidomos me të harruarit e të përbuzurit. Krishti na kërkon të ecim drejt Tij e ta ndjekim:

         “‘Ejani’, na thotë Zoti: e kjo nuk do të thotë, thjesht, zhvendosje nga një vend në tjetrin, por aftësi për t’u pështjelluar, për t’u shndërruar nga Fjala e Tij e për ta pasur parasysh gjithnjë në vendimet, ndjenjat, përparësitë tona, që të guxojmë t’i përsërisim gjestet e Tij e të flasim me të njëjtën gjuhë, ‘gjuhën e bukës së thyer me ëmbëlsi, në shoqëri, me përkushtimin bujar për të tjerët’, me dashurinë konkrete e të prekshme, që është e përditshme dhe e vërtetë”.

Nënë Tereza: Jezusi në Eukaristi dhe në të varfërit

         Papa dha shembullin e Nënë Terezës, protagonistja e vërtetë e takimeve të tij të sotme. Shenjtja shqiptare e bamirësisë e njihte mirë urinë për bukën, për vallëzërimin e për Zotin. Jeta e saj, nënvizoi Françesku, mbështetej mbi dy shtylla të pandashme: “Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfërit”, dashuri që merret e dashuri që jepet:

         “Shkoi tek Zoti e njëkohësisht, shkoi edhe tek vëllai i përbuzur, i padashur, i vetmuar dhe i harruar; shkoi tek vëllai e gjeti fytyrën e Zotit… Sepse e dinte se ‘dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin shkrihen tek njëra-tjetra: në më të voglin takojmë vetë Jezusin e në Jezusin takojmë Zotin’ e ajo dashuri ishte e vetmja në gjendje ta shuante urinë e saj”.

Falenderimi i ipeshkvit të Shkupit

         Në përfundim të kremtimit eukaristik, para bekimit përfundimtar, ipeshkvi i Shkupit, imzot Kiro Stojanov, e përshëndeti dhe e falenderoi Papën Françesku për vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut. Ndër të tjera, i tha:

         “Përgatitja e kësaj vizite ishte kohë bashkimi dhe udhe të përbashkët. Kjo përvojë do të mbetet e rrënjosur thellë në zemrat tona e në historinë e kësaj Toke, si ngjarje që na mbushi me gëzim e, sidomos, na bashkoi… I lutem Zotit që fjalët e mbjella në zemrat tona të sjellin në çdo zemër, por edhe në çdo nivel e në çdo strukturë, fryte jete”.

Falenderimi i Papës Françesku

         Edhe Ati i Shenjtë e falenderoi ipeshkvin për fjalët e mira, por sidomos, për punën e bërë në përgatitje të kësaj dite. Gjithashtu, Papa falenderoi bashkëpunëtorët, autoritetet civile të vendit, forcat e rendit dhe vullnetarët. Lutem për ju, siguroi e, si zakonisht, kërkoi: “Lutuni edhe ju për mua”.

07 maj 2019, 15:11