Kërko

2019-05-05-viaggio-apostolico-bulgaria-macedo-1557065032051.JPG

Papa, gjatë meshës në Sofje: bëhuni siç ju ëndërroi Zoti, kur ju krijoi

Papa Françesku kryesoi meshën në sheshin “Knyaz Alexandar I” në Sofje. “Zoti – pohoi Ati i Shenjtë në kremtimin e parë eukaristik të udhëtimit të tij të 29-të apostolik – është dashuri që na do, na dhurohet, na thërret e na befason”.

R.SH. - Vatikan

Dita e Papës Françesku në Sofje përfundoi me meshën e kremtuar në sheshin “Knyaz Alexandar I”, në qendër të kryeqytetit bullgar, para Pallatit Mbretëror, ndërtuar në fund të shekullit XIX për të festuar çlirimin nga otomanët.

         Në homelinë e meshës, Papa komentoi Ungjillin e ditës: Krishti i ringjallur u duket apostujve, të cilët ishin përpjekur gjithë natën të zinin peshk pa ia dalë dot. I thotë Pjetrit t’i hedhë sërish rrjetat, ditën për diell, duke i kërkuar të ketë besim. E kështu, rrjetat u mbushën plot e episodi ungjillor njihet si “peshkimi i mrekullueshëm”. Ati i Shenjtë kujtoi tre realitete, që e shndërruan jetën e dishepujve të Krishtit, pra, edhe tonën: Zoti na thërret, Zoti na befason, Zoti na do.

Zoti na thërret

         Pikërisht Pjetri është protagonisti i realitetit të parë. I kishte hedhur rrjetat, duke ndjerë nostalgji për të kaluarën e tij si peshkatar, pavarësisht se e kishte lënë atë zanat për të shkuar pas Mësuesit Hyjnor. Por i dukej sikur Krishti s’ishte më, prandaj, me dhimbje – ashtu siç bëjmë edhe ne sot, para dështimeve – shkurajohet e tundohet të kthehet mbrapsht. Kështu lind kërcënimi më i madh për jetën e krishterë, nënvizoi Papa: pragmatizmi gri, në të cilin duket se çdo gjë shkon mirë, por ku feja po shkërmoqet dalëngadalë, duke kaluar në meskinitet.

         Pikërisht në këtë situatë mbërrin sërish Krishti i ngjallur dhe e thërret Pjetrin me emrin e parë “Simon” e ia ndryshon sërish jetën. “Vëllezër – theksoi Papa – Zoti nuk lodhet së na thirruri. Është forca e Dashurisë, që përmbys çdo parashikim e di të rifillojë nga e para. Në Jezusin, Hyji përpiqet të na japë gjithnjë një mundësi… na thërret çdo ditë ta jetojmë historinë e dashurisë me Të… Kur e pranojmë, lartohemi e përqafojmë një të ardhme më të bukur, jo thjesht si mundësi, por si realitet. Kur thirrja e Krishtit e orienton jetën, zemra rinohet”.

Zoti na befason

         Zoti, vijoi komentin Papa, i fton dishepujt t’i hedhin rrjetat ditën, megjithëse, zakonisht, shkohet për të peshkuar natën. U jep besim, pavarësisht nga dyshimet e tyre dhe, i nxit të rrezikojnë. “Ky është Zoti i surprizave – nënvizoi Ati i Shenjtë – që i thyen dyert e mbyllura e paralizuese, duke na kthyer guximin, i cili e kapërcen dyshimin, mosbesimin dhe frikën, që fshihet pas frazës ‘kështu është bërë gjithmonë’”. Zoti, jo vetëm na fton të hedhim rrjetat, por edhe gjithë vetveten në detin e historisë, duke na nxitur të mos kemi frikë, pasi Ai e do jetën tonë, pavarësisht nga gabimet e mëkatet.

Zoti na do

         E siguria e tretë për të cilën foli Papa është se Zoti na do. Duke komentuar gjithnjë Ungjillin, Ati i Shenjtë vuri në dukje se edhe ne, na bën të njëjtën pyetje si Pjetrit: “A më do?”  “Të jesh i krishterë – nënvizoi Françesku – është thirrje për të pasur besim se Dashuria e Zotit është më e madhe nga çdo kufizim e mëkat. Një nga dhimbjet e mëdha, që provojmë sot, nuk lind aq nga fakti nëse e kuptojmë se Zoti është dashuri apo jo, por nga fakti se kemi arritur ta kumtojmë e ta dëshmojmë në mënyrë të tillë sa për shumë vetë ky nuk është më emri i Tij. Zoti është dashuri që do, që dhurohet, që thërret dhe befason”.

Të jeni siç ju ëndërroi Ati Qiellor

         “Jeni të thirrur – u tha së fundi Papa, bullgarëve – të shihni e të zbuloni ç’ka bërë Zoti në të kaluarën për të shkuar me hov drejt së ardhmes, së bashku me Të, duke e ditur se, në suksese e dështime, do të kthehet gjithnjë për të na thirrur e për të na ftuar të hedhim rrjetat… Mos kini frikë të jeni shenjtorët, për të cilët ka nevojë kjo tokë. Shenjtëri, që nuk do t’jua pakësojë forcën, jetën e gëzimin, përkundrazi, ju e bijtë e kësaj toke do të jeni ashtu si ju ëndërroi Ati Qiellor kur ju krijoi”.

05 maj 2019, 17:12