Kërko

 Kapela Redemptoris Mater, në Pallatin Apostolik në Vatikan. Kapela Redemptoris Mater, në Pallatin Apostolik në Vatikan. 

Papa bashkohet me lutjen ekumenike “Thy Kingdom Come” - “Ardhtë Mbretëria Jote!”.

Në një videomesazh, postuar në twitter nga kryeipeshkvi i Canterbyry, Papa Françesku i lutet Shpirtit Shenjt, duke e ftuar t’i hapë zemrat për veprimin e Tij. Fjalët e Françeskut bashkohen me thirrjen botërore të lëvizjes së lutjes: “Thy Kingdom Come”, nisur në vitin 2016.

R. SH. - Vatikan

“Eja, o Shpirti Shenjt! Kjo është britma e gjithë të krishterëve në këtë ditë Rrëshajësh!”. Nis kështu lutja e Papës Françesku, përmbledhur në një videomesazh për Rrëshajët, që Shpirti Shenjt “ta zgjerojë zemrën tonë”. Lutjen e përhap përmes një twiteri kryeipeshkvi i Canterbury, Justin Welby: në video është pranë Françeskut, gjatë njërës nga vizitat e kohëve të fundit në Romë, duke i ftuar të gjithë të bashkohen me lëvizjen e lutjes globale “Thy Kingdom Come” – “Ardhtë Mbretëria Jote!”.

“Eja, o Shpirti Shenjt!”- lutet Papa. “Premtimi i Atit, premtimi i Jezusit. Që Shpirti Shenjt të mund ta bëjë zemrën tonë të gjerë, sa ta zërë mbarë botën! Të gjithë e kemi përherë një problem, problemin e zemrës sonë, që kërkon të ngushtohet, të bëhet gjithnjë më e vogël, e vogël, sa të zërë vetëm vetveten! Mbyllet, zemra jonë! Po problemet nuk mund t’i zgjidhim pa ndihmën e ndokujt. Vetëm Shpirti Shenjt mund t’i zgjidhë!

Prej këndej, thirrja “Eja, o Shpirti Shenjt!”. E thirrja drejtuar Jezusit: “Ardhtë Mbretëria Jote, Mbretëria e Atit, që Ti na kërkon ta kumtojmë”. Juve, vëllezër e motra, me vëllain tim Justin Welby, dëshirojmë t’ju themi  se ju shoqërojmë në këtë lutje: “Ardhtë Mbretëria jote”!

Fjalët e kryeipeshkvit Welby

Kryeipeshkvi, gjithnjë në twitter, i fton të gjithë ta lexojnë e ta përhapin këtë mesazh të Papës Françesku e shton: “Lumni i qoftë Zotit që @thykingdom_come po bëhet lëvizje globale dashurie e shprese, që na bashkon rreth Jezu Krishtit.#Eja Shpirti Shenjt!

 Zanafilla e nismës

“Thy Kingdom” është lëvizje botërore, e cila i fton të krishterët e mbarë botës të luten ndërmjet solemniteteve të të Ngjiturit të Krishtit në qiell e Rrëshajëve, që sa më shumë njerëz të mund ta njohin Jezusin. Kjo, që nisi si festë e Kryeipeshkvijve të Canterbyry e të York në vitin 2016, në Kishën anglikane, vitet e fundit u bë thirrje për lutje ndërkombëtare dhe ekumenike, që nis në maj e zgjat 10 ditë, ndërmjet dy solemniteteve të krishtera  të Ngjitjes së Krishtit në Qiell - e Rrëshajëve. Siç na e kujton faqja zyrtare e internetit kushtuar nismës, pas ditëve të para të të Ngjiturit të Krishtit në qiell, dishepujt u mblodhën rreth Marisë, duke iu kushtuar vazhdimisht lutjes, ndërsa prisnin dikimin e Shpirtit Shenjt për Rrëshajë: “Ashtu si ata, besimi ynë në dhuratën e Shpirtit Shenjt është i plotë! Të vetëm nuk mund të bëjmë asgjë! Në rrjedhë shekujsh, të krishterët e përsëritën këtë lutje, drejtuar Shpirtit Shenjt: ‘Thy Kingdom Come’,   duke i ftuar të gjithë t’ia drejtojnë, në gjuhën e vet, Shpirtit të Zotit, që i kupton të gjitha gjuhët e njerëzimit!”.

20 maj 2019, 18:16