Kërko

Medjugorje Medjugorje 

Papa autorizon shtegtimet në Medjugorje

Njoftimin e dhanë vizitatori i përhershëm Henryk Hoser dhe nunci apostolik. Zëdhënësi Gisotti: “Vëmendje për të favorizuar frytet e së mirës”, por kjo nuk do të thotë edhe “vërtetim përfundimtar i ngjarjeve të njohura”

R. SH. - Vatikan

Papa vendosi t’i autorizojë shtegtimet në Medjugorje, domethënë tani e tutje mund të organizohen zyrtarisht nga dioqezat e famullitë e nuk do të bëhen më në formë private, siç janë bërë deri tani. Lajmi u dha sot,  gjatë Meshës në famullinë-shenjtërore, që është bërë prej kohe cak shtegtimesh për miliona besimtarë, nga nunci apostolik në Bosnjë-Hercegovinë, Luigi Pezzuto dhe kryeipeshkvi Henryk Hoser, vizitator apostolik me karakter të veçantë i Selisë së Shenjtë.

Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje, saktësoi   se këto shtegtime do të interpretohen si vërtetim i ngjarjeve, por që  kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm nga ana e Kishës. Duhet, prandaj, të shmanget konfuzioni a mëdyshja, që mund të krijojnë këto shtegtime, në aspektin doktrinor. Kjo ka të bëjë edhe me barinjtë  e çdo urdhëri e grade, që duan të shkojnë në Medjugorje e të kremtojnë ose të bashkëkremtojnë në mënyrë solemne.

Vëmendje baritore

Duke e konsideruar të dendur valën e njerëzve, që shkojnë në Medjugorje, e duke parë frytet e begata të hirit, që burojnë prej tyre - vijon Gisotti -  ky autorizim flet për vëmendjen baritore, që Ati i Shenjtë vendosi  t’i kushtojë këtij realiteti, për të favorizuar, kështu, frytet e së mirës.

Vizitatori apostolik - përfundon zëdhënësi - “do ta ketë, kështu, më lehtë për të vendosur -  në bashkëpunim me ipeshkvijtë e vendit - marrëdhënie me meshtarët e ngarkuar për organizimin e shtegtimeve në Medjugorje, si  njerëz të sigurt e të mirëpërgatitur për këto shtegtime.

Vendimi i Papës merret një vit pas emërimit të Hoser, Kryeipeshkëv-nderi  i Varshavë-Pragës në Poloni, si vizitator apostolik me karakter të veçantë për Famullinë e Medjugorjes, për një kohë të pacaktuar dhe “ad nutum Sancta Sedis”, domethënë, në dispozicion të Selisë së Shenjtë, që më 31 maj 2018.

Si emërimi, ashtu edhe njoftimi i sotëm, nuk hyjnë në çështje doktrinore përsa i përket vërtetësisë së tregimit të gjashtë vegimtarëve, lidhur me çka ndodhi në Medjugorje, duke nisur nga qershori 1981, fenomen ende i papërfunduar. Gjashtë vegimtarët, asokohe fëmijë ose adoleshentë, sigurojnë se kanë akoma dukje të përditshme të “Mbretëreshës së Paqes”,  gjithnjë në të njëjtën orë të pasdites e kudo që ndodhen: janë Vicka (me banim në Medjugorje), Maria (në Monza), e Ivani (në SHBA, por që kthehet shpesh në atdhe). Vegimtarja e katërt, Mirjana, tregon se ka vegime çdo muaj, ditën e dytë; ndërsa dy ish-çunave të Medjugorjes, kjo u ndodh vetëm në herë në vit.

12 maj 2019, 13:03