Cerca

Vatican News

Françesku kujton kardinalin Sfeir, “figurë e madhe në historinë e Libanit"

Telegram ngushëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Nasrallah Boutros Sfeir, që ndërroi jetë të dielën. Françesku e quan “artizan i paqes”.

R.SH. - Vatikan

“Mbrojtës i zjarrtë i sovranitetit dhe i pavarësisë së vendit të vet”, “figurë e madhe në historinë e Libanit”: me këto fjalë, Papa Françesku kujton, në një telegram ngushëllimi, kardinalin Nasrallah Boutros Sfeir, i cili ndërroi jetë të dielën e kaluar, në moshën 99-vjeçare. Prelati, thekson Papa, e udhëhoqi Kishën patriarkale të Antiokisë së maronitëve “me shumë ëmbëlsi dhe vendosmëri”.

Bari i urtë

Njeri i lirë dhe i guximshëm, kardinali Sfeir - shton Papa në telegramin për Patriarkun e Antiokisë së maronitëve, kardinalin Béchara Boutros Raï – shërbeu në një kuadër të vështirë historik. E u bë artizan i vendosur i bashkimit, paqes dhe pajtimit. “I lutem Atit të mëshirshëm - përfundon Bergoglio - ta pranojë në banesën e tij të paqes dhe të dritës, këtë bari të urtë dhe të përkushtuar, që dinte t’ia dëshmonte dashurinë e Zotit popullit, që i ishte besuar”.

Dy ditë zie në Liban

Qeveria libaneze dekretoi dy ditë zije kombëtare, më 15 dhe 16 maj. Nesër, Kardinali Sfeir do të kishte mbushur 99 vjeç. Funerali do të mbahet të enjten e ardhshme e atë ditë, shkollat do të mbyllen.

14 maj 2019, 12:40