Cerca

Vatican News
Papa në lutje Papa në lutje  (Vatican Media)

Dhimbja e Papës për sulmin mbi kishën në Burkina Faso

Shprehet, përmes një tweet-i, dhimbja e Papës për sulmin e xhihadistëve, të cilët zgjodhën përsëri të dielën, për të mbjellë terror e për të masakruar besimtarët gjatë Meshës. Në veri të Burkina Fasos, një grup terroristësh masakroi një meshtar dhe pesë besimtarë, gjatë kremtimit të paradites në Kishën katolike të Dablo-s e më pas i kalli zjarrin ndërtesës. Dëshmia e ipeshkvit Théophile Nare.

R. SH. - Vatikan

Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, bëri të njohur një tweet, përmes të cilit Papa shpreh dhimbjen e thellë shkaktuar nga lajmi i sulmit mbi kishën e Dablos, në Burkina Faso. Papa lutet për viktimat, për familjarët e tyre e për të gjithë bashkësinë e  vendit.

Rrëfimi rrënqethës i ipeshkvit

Ishte ora 09.00 e paradites së djeshme, kur u sulmua kisha e famullisë së të Lumit Isidor Bakania, në Dablo, 90 kilometra larg nga Kaya, në veri të vendit. Mesha sapo kishte filluar, kur një grup prej 20 xhihadistësh arriti me moto dhe e rrethoi kishën.

Nisi kështu, ngjarja e tmerrshme, e treguar nga imzot Théophile Nare, ipeshkëv i Kaya, në mikrofonin e Olivier Bonell:

“Është hidhërim i madh. Për dioqezën, provë e madhe. Situata lidhur me sigurinë është me të vërtetë e mangët në të gjithë rajonin tonë, por deri tani nuk kemi pasur ndonjë sulm kaq të dhunshëm kundër bashkësive të krishtera: është hera e parë. Arritën me moto, e rrethuan kishën dhe nisën t’i ndiqnin  njerëzit. Filloi, atëhere, paniku i madh. Kush mundi, iku, ndërsa pleqtë, që nuk mund të vraponin, mbetën në kishë, e mbi ta u sulën terroristët, duke e shfrytëzuar këtë gjendje, pa kursyer as gratë. Famullitari, don Siméon, shumë i alarmuar, deshi të ikte nga porta e sakrestisë, por e panë nga larg, e qëlluan dhe e vranë. Pastaj u rikthyen në kishë, i kontrolluan besimtarët, ua morën celularët e, meqë i kishin detyruar njerëzit të shtriheshin përdhe, shtinë mbi ta e vranë pesë vetë. Më pas i dhanë zjarr kishës, shkuan në infermierinë e fshatit, u dhanë zjarr strukturave e, para se të largoheshin, ua morën edhe motoçikletat  besimtarëve, që  kishin ardhë në Meshë e ikën me gjithë to”.

A mund të  na thoni diçka për sulmuesit? Dihet se aty ka grupe terroriste, që vijojnë të shtohen prej muajsh në Burkina Faso, posaçërisht në rajonin tuaj… Dihet kush ishin?

“Unë personalisht nuk di gjë; po përpiqem ta kuptoj, duke pyetur njerëzit që ishin të pranishëm, posaçërisht kryetarin e fshatit. E ai m’u përgjigj se i qenë drejtuar në gjuhën more, një nga dialektet e folura në vend, gjuhë e etnisë mazhoritare; por, kur komunikonin me njeri-tjetrin, flisnin në gjuhën fulfulde”.

Ç’mund të na thoni, pak orë pas kësaj ngjarjeje, për gjendjen tuaj shpirtërore? Ndjeheni të sigurt apo të pasigurt? Ipeshvnia e Kishat, janë të sigurta?

“Jemi shumë të ekspozuar; e dimë se forcat e rendit na ruajnë, por zemrën e kam thellësisht të trazuar. Sidomos kur mendoj se një nga meshtarët e dioqezës sime, që shërbente aty prej pesë vjetësh, u vra në këtë mënyrë. Edhe besimtarët janë jashtëzakonisht të tronditur: ndërmjet tyre, shumë të rinj… me të vërtetë e dhimbshme. Jemi thellësisht të tronditur”.

13 maj 2019, 12:48