Kërko

Të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit Të rinjtë në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa, të rinjve: thoni Rruzaren për paqen e lexoni “Christus vivit”

Para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përshëndeti të rinjtë, që kremtonin DBR-në në dioqeza dhe u kërkoi atyre “t’i bëjnë të vetat” këshillat e Nxitjes pas-sinodale, që u kushtohet. U dhuron Rruzaren, që “të luten për paqen”, sidomos për atë në Tokën Shenjte dhe në Lindjen e Mesme.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të kremtimit të së Dielës së Larit, Papa Françesku, para se t’i sillte sytë kah Virgjëra Mari për lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, përshëndeti “të rinjtë, që kremtojnë Ditën e Rinisë në çdo dioqezë të botës, rreth ipeshkvijve të tyre”:

“Të dashur të rinj, ju ftoj t’i bëni tuajat e t’i jetoni përditë, këshillat e Nxitjes së fundit Apostolike ‘Christus Vivit’, fryt i Sinodit, në të cilin u përfshinë shumë nga bashkëmoshatarët tuaj. Në këtë tekst, secili prej jush mund të gjejë ide të frytshme për jetën dhe për udhëtimin personal në fe e në shërbim të vëllezërve”.

Dhurata e Rruzares, bërë nga ullinjtë e Tokës Shenjte

Më pas, Papa kujtoi se të gjithë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit u është dhënë si dhuratë një rruzare, kokrrat e së cilës janë bërë nga druri i ullinjve të Tokës Shenjte, enkas për “Takimin Rinor Botëror në Panama, janarin e kaluar dhe për Ditën e sotme”:

“Prandaj, të rinjve dhe gjithë të tjerëve, u përsëris thirrjen për ta thënë Rruzaren, si lutje për paqen, veçanërisht, për paqen në Tokën Shenjte dhe në Lindjen e Mesme”.

Së fundi, lutja e Engjëllit të Tënzot, me sytë kah Virgjëra Mari “për të na ndihmuar që ta jetojmë sa më mirë Javën e Madhe”.

14 prill 2019, 13:21