Kërko

Papa: t’i falim të tjerët, jo gjithçka zgjidhet me drejtësi!

Sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 50 mijë besimtarëve, Papa bëri një thirrje të fuqishme për të falur, duke kujtuar se me Jezusin, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve hyn forca e madhe e faljes. Françesku vijoi, kështu, reflektimin mbi “Atynën”, duke u përqendruar tek shprehja “si i falim ne fajtorët tanë”.

R. SH. - Vatikan

“Të falësh është gjest shumë më i çmuar, sesa të të falin!”.  Me këto fjalë e nisi katekizmin e audiencës së përgjithshme Papa, duke vijuar ciklin kushtuar Atynës, sot, përqendruar tek shprehja “si i falim ne fajtorët tanë":

“Kush lutet, mëson të thotë faleminderit e i kërkon Zotit  të  ketë mëshirë. Sado të mundohemi, nuk shlyhemi kurrë me Të. I kemi gjithnjë borxh Zotit. Një borxh, që nuk mund ta shlyejmë, sepse Ai na do pambarimisht më shumë, sesa e duam ne” - nënvizoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme:

“Ne harrojmë tepër shpesh ta falënderojmë, jemi egoistë“ - shtoi, duke folur lirisht, për të kujtuar, më pas, risinë që solli Jezusi në ndeshjen ndërmjet etjes për të marrë hak - e faljes:

“Me Jezusin, në marrëdhëniet njerëzore hyri forca e faljes. Në jetë jo gjithçka zgjidhet me drejtësi. Atje ku i duhet vënë pritë së keqes, dikush duhet të dojë pa masë, për të rifilluar historinë e hirit”.

E keqja nuk njeh tjetër, veç hakmarrjes e nëse nuk i pritet rruga, mund  të përhapet e t’i zërë frymën botës mbarë - vijoi Papa:

“Duke vepruar sipas ligjit ‘sy për sy’ e ‘dhëmb për dhëmb’, domethënë  çka të më bësh, ta bëj e ta teproj, nganjëherë ndodhin gjëra, që trondisin botën. Po Jezusi nuk erdhi të zbatonte një ligj të tillë: përkundrazi. E zëvendësoi me ligjin e dashurisë: ‘çka më bëri Zoti mua, unë do të mundohem të ta bëj edhe ty’”.

Këtë theksoi Françesku, duke i ftuar të gjithë që, gjatë kësaj jave Pashkësh sidomos, të falin! E nëse nuk munden, t’ia kërkojnë Zotit hirin e faljes. Sepse Zoti i dhuron çdo të krishteri hirin të shkruajë historinë e së mirës në jetën  e vëllezërve, posaçërisht të atyre, që  sillen keq a gabojnë:

“Nëse ti nuk fal, as Zoti nuk do të të falë! Ne, që jemi këtu, të mendojmë ç’ndodh nëse nuk falim a nëse nuk duam të falim. ‘Atë, nuk mundem kurrsesi, sepse këta njerëz më kanë bërë gjithë të zezat! S’i shoh dot me sy! Jo më t’i fal. Nuk mundem!”.

E po nëse ti nuk je i zoti të falësh, lypja Zotit këtë hir e Ai, pa dyshim, do të të japë forcën për të falur. Lutju:

 “Ma jep, o Zot, forcën! Më ndihmo të fal! Rigjejmë, kështu, lidhjen e fuqishme ndërmjet dashurisë për Zotin e për të afërmin. Dashuria ndjell dashurinë e falja-faljen”.

Para se të përfundonte, Papa theksoi rishtas se ne të gjithë jemi borxhlinj para syve të Zotit:

“Në Kishë nuk ka self made men. Njerëz të bërë prej vetvetes. Të gjithë i kanë borxhe Zotit. Aq më shumë ata, që jetojnë në kushte të favorshme. Prej Tij e kemi gjithçka. E mbi gjithçka, jetën e hirin. Ai jo vetëm që na e dhuroi jetën, por edhe e deshi, e do, këtë jetë” - nënvizoi Papa.

Para se të sillej rreth e qark  kolonatit të Berninit, Françesku mori në bord edhe katër djem, që patën privilegjin të shijojnë së bashku me Papën, takimin me turmën.

Kishte shumë adoleshentë, në Shesh: ndërmjet tyre, një grup prej 6 mijë fëmijësh të vikariateve, dekanateve, bashkësive baritore, famullive të kryediqezës së Milanos, e edhe më se një mijë të sapokrezmuar të dioqezës së Trevizos, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre, imzot Gianfranco Agostino Gardin. Pastaj 70 të tjerë vinin nga dekanati i Lionit. Gjatë takimit me turmën, Ati i Shenjtë u ndalua pranë një të riu me kufizime fizike, me të cilin shkëmbeu një përqafim shumë të përzemërt. Katekizimin e Papës e ndoqi edhe një grup shtegtarësh ardhur nga Hong-Kongu.

Në përfundim, duke i përshëndetur të pranishmit, që brohorisnin emrin e tij, Françesku u kujtoi, çka nuk duhet ta harrojnë kurrë:

“Në se nuk falim, nuk do të falemi; nëse nuk përpiqemi të duam, nuk do të duhemi”.

24 prill 2019, 13:41