Cerca

Vatican News

Papa në të Dielën e Larit: t’i kundërvihemi triumfalizmit dhe mendësisë së botës

Në të Dielën e Larit, Papa kryesoi kremtimin tradicional në Sheshin e Shën Pjetrit, me bekimin e degëve të palmave e të ullinjve, procesionin dhe Meshën Shenjte. Gjatë homelisë, Françesku i nxiti besimtarët të ndjekin shembullin e Krishtit, “të heshtin, të luten, të përulen”, për të ngadhënjyer mbi triumfalizmin e djallit e për të arritur në Mbretërinë e Zotit!

R. SH. - Vatikan

Me “përuljen e tij, Jezusi na hapi udhën e fesë”. Pas bekimit tradicional të Palmave, në Sheshin e Shën Pjetrit, tek këmbët e Obeliskut madhështor, rrethuar me blerimin e harlisur të pranverës, besimtarët dëgjuan Ungjillin e Shën Lukës, me thirrjen “Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit!” e, më pas, nisën procesionin deri në tremen e Bazilikës së Vatikanit. Ndjehej fort prania e mijëra të rinjve, që kremtonin sot Ditën e tyre, në nivel dioqezan.

Papa ia kushtoi homelinë e së Dielës së Larit, misterit të dyfishtë, që e shoqëron çdo vit hyrjen në Javën e Madhe: “të brohoritjes për Jezusin, që hyn në Jeruzalem - dhe të përuljes së Tij; tamtameve festive - e urrejtjes së shfrenuar. Ishin dy, çastet tipike të këtij kremtimi: i pari, ai i procesionit me degë palmash e ullinjsh; i dyti, i leximit të Mundimeve të Krishtit, sipas Shën Lukës Ungjilltar.

Lëshimi besimplotë në duart e Atit

Papa i ftoi besimtarët të marrin pjesë në këtë ngjarje, përplot me Shpirtin Shenjt: ta shoqërojnë me fe Shëlbuesin në udhën e Tij e ta kenë gjithnjë parasysh mësimin e mundimeve të Tij, parë si model për jetën tonë e për fitoren kundër shpirtit të së keqes:

“Jezusi na tregon si t’i përballojmë çastet më të vështira e tundimet më tinzare, pa e humbur kurrë paqen e zemrës, gjë që nuk është shkëputje nga jeta e gjallë, nuk është ngujim brenda vetes, e aq më pak, qëndrim prej mbinjeriu. Është thjesht lëshim besimplotë në dorën e Zotit e të vullnetit të Tij, që shëlbon, mëshiron, gjallëron. Pa harruar se edhe misioni i Tij kaloi përmes tundimit. Që në krye, në luftën e dyzet ditëve në shkretëtirë, e deri në fund të fundit, në Mundimet. Por Jezusi e mposhti këtë tundim, me besimin plot bindje ndaj Atit”.

Mendësia shpirtërore sipas botës, kërcënim kryesor për Kishën

Me hyrjen në Jeruzalem, Jezusi na tregon “udhën”. Atë të “përvujtërisë”, që i kundërvihet udhës së “triumfalizmit”, të treguar nga Demoni që - shpjegoi Papa - është i mallkuari, “princi i kësaj bote”:

“Triumfalizmi kërkon të arrijë në cak përmes shtigjeve dredharake, me ndihmën e kompromiseve të rreme. Synon të ngjitet shpejt e shpejt mbi karron e fitimtarit. Triumfalizmi jeton me gjeste e fjalë, që nuk kanë kaluar përmes furrës së kryqit; ushqehet nga ballafaqimi me të tjerët, duke i gjykuar gjithnjë më të këqinj se vetja, më batalla, më dështakë… Një nga format më hileqare të triumfalizmit është mendësia shpirtërore sipas botës. Ky, edhe rreziku më i madh e tundimi më i pabesë, që kërcënon Kishën. Jezusi e shkatërroi triumfalizmin me Mundimet e tij”.

Me Kryqin nuk mund të bësh pazarllëk

Zemra e Zotit - vijoi Papa - galdonte duke parë entuziazmin dhe festën e të varfërve të Izraelit, harenë e të rinjve, që brohorisnin emrin e Tij, duke e quajtur Mbret e Mesi. Përvujtëri - shtoi Françesku - nuk do të thotë “ta mohosh realitetin”. Jezusi është me të vërtetë Mesia, është Mbreti! Por, në të njëjtën kohë, zemra e Tij është në një udhë tjetër, në udhën e shenjtë,  që kalon nga “gjendja e Zotit”, në “gjendjen e shërbëtorit”; në udhën e “përuljes, të dëgjesës, të bindjes, deri në vdekje, e në vdekjen mbi kryq:

“Ai e di se për të arritur në ngadhënjmin e vërtetë, duhet t’i krijosh hapësirën Zotit; e për t’ia krijuar hapësirën Zotit, ka një mënyrë të vetme: zhveshja, zbrazja nga vetvetja. Duhet të heshtësh, të lutesh, të përulesh, ta poshtërosh vetveten. Me kryqin, vëllezër e motra, nuk mund të bëhet pazarllëk: ose e rrok, ose e refuzon. E me përuljen e Tij, Jezusi  deshi të na hapte udhën e fesë e edhe të na printe në të”.

Drejt agimit të ngjalljes

E para, që e përshkoi udhën e fesë, pas Tij, ishte Maria, dishepulle e parë e Zotit:

“Virgjërës e shenjtorëve iu desh të vuanin, për të ecur në rrugën e fesë e të vullnetit të Zotit. Përballë ngjarjeve të rënda e të dhimbshme të jetës, nuk është e lehtë të përgjigjesh me fe. Të kushton shumë mundim. Është nata e fesë. Por vetëm pas kësaj nate shkrep agimi i ringjalljes”.   

Udha e përvujtërisë

Tek këmbët e Kryqit, Maria i rikujtoi fjalët me të cilat Engjëlli i kish kumtuar lajmin e mirë të Birit të saj: “Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim”. E, megjithatë - vërejti Françesku - mbi Golgotë Virgjëra “u ndodh para mohimit të plotë të këtij premtimi: i biri po jepte shpirt mbi kryq, si keqbërës”:

“Kështu triumfalizmi, i shkatërruar nga përulja e Jezusit, u shkatërrua njëlloj edhe në zemrën e Nënës; të dy ditën të heshtin. Të paraprirë nga Maria, shenjtorë të panumërt e ndoqën Jezusin në udhën e përvujtërisë e në shtigjet rrëpirta të bindjes”.

DBR-ja dioqezane

Në këtë Ditë Botërore të Rinisë, që kremtohet ndër dioqeza, Papa u kujtoi  të rinjve shumë shenjtorë e shenjtore të botës rinore, posaçërisht “shenjtorët e portës kundruall”, që vetëm Zoti i njeh e që nganjëherë i pëlqen t’i zbulojë krejt papritmas:

“Të dashur të rinj, mos kini turp ta manifestoni entuziazmin tuaj për Jezusin, të brohorisni se Ai jeton, se është jeta juaj. Por në të njëjtën kohë, mos kini as frikë ta ndiqni në udhën e kryqit. E kur ta ndjeni se po ju kërkon të mohoni vetveten, të hiqni dorë nga siguritë tuaja, t’ia besoni ‘plotësisht vetveten Atit, që është në qiell, atëhere, të dashur të rinj, gëzoni e galdoni! Jeni në udhën e Mbretërisë së Zotit!”.

Heshtja e Jezusit  

Françesku u rithye tek “brohoritjet festive” e tek “sulmi i egër” duke nënvizuar përshtypjen e thellë që të bën heshtja e Jezusit gjatë Mundimeve të Tij;  e mund edhe tundimin për t’u përgjigjur, për të qenë “mediatik”:

“Në çastet e errësirës e të trazimit të madh, duhet heshtur, duhet pasur guximi i heshtjes, i një heshtjeje të butë e jo ankimtare. Butësia e heshtjes do të na bëjë të dukemi edhe më të ligshtë, më të përulur e atëhere djalli,  duke marrë zemër, do të dalë në shesh pa maskë. Duhet duruar në heshtje, “duke mbajtur qëndrim”, por njëkohësisht, me sjelljen e Jezusit. Ai e di se lufta bëhet ndërmjet Zotit e Princit të kësaj bote e se nuk duhet ta vëmë dorën mbi shpatë, por duhet të rrimë të qetë, të fortë në fe. Është ora e Zotit. E në orën kur Zoti zbret në fushën e betejës, duhet ta lëmë të bëjë të vetën, vendi ynë më i sigurt do të jetë nën mantelin e Nënës së Shenjtë të Jezusit”.

Arsyeja e shpresës

Në pritje që “Zoti të vijë e të qetësohet stuhia”, Papa uroi që, me dëshminë tonë të heshtur në lutje, të gjejmë arsyen e shpresës, që është në ne, për të jetuar në tensionin shenjt ndërmjet kujtesës - e premtimeve, realitetit të  urrejtjes së pranishme në kryq - e shpresës së ringjalljes!

14 prill 2019, 14:11