Kërko

Vatican News

Papa në Mbretëreshën Qiellore: në ata që vuajnë, prekim plagët e Krishtit

Papa Françesku, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, para lutjes mariane, kujtoi dhuratat, që u bëri Krishti i Ngjallur dishepujve, domethënë, ne, në dukjet e Tij të para. Paqen, sepse e mundi vdekjen; gëzimin, sepse i asgjësoi “forcat negative të botës” dhe “misionin për ta kumtuar ngjalljen e Tij”.

R. SH. - Vatikan

Krishti i ngjallur u jep dishepujve, e prej këndej edhe ne, paqen, sepse e mundi vdekjen; gëzimin, sepse i asgjësoi “forcat negative të botës” dhe “misionin për ta kumtuar ngjalljen e Tij e për t’ua përcjellë të gjithëve  dhuratat hyjnore të paqes e të gëzimit”.

Këto, fjalët e Françeskut para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, kulm i Tetëditshes së Pashkëve.

Dhuratat e Pashkëve: ripajtimi i Zotit me njerëzimin

Papa komentoi Ungjillin e Gjonit, që flet për takimin e Krishtit të ngjallur me dishepujt në Çenakull, mbrëmjen e Pashkëve. Krishti sjell tri dhurata - shpjegoi Françesku – “paqen, gëzimin, misionin apostolik”. Fjalët e Tij të para janë: “Paqja qoftë me ju!”. I Ngjalluri - komentoi Papa - sjell paqen e vërtetë, sepse përmes flijimit të tij mbi kryq, realizoi ripajtimin e Zotit me njerëzimin dhe fitoi mbi mëkatin e mbi vdekjen.

Plagët e Jezusit, shenjë e dashurisë së Tij të pakufishme

Dishepujt ishin të parët, që kishin nevojë për këtë paqe sepse, pas kapjes dhe dënimit me vdekje të Mësuesit, qenë pushtuar nga hutimi e tmerri. Në këtë gjendje, e shohin papritur të gjallë Atë, të cilin e kishin parë duke vdekur mbi kryq! Ia prekin plagët, që i kishte ruajtur, dhe ndjejnë sesi mbi ta zbret paqja, fryt i fitores së tij të padëgjuar. E shohin të gjithë, veç Tomës, që atë çast nuk ishte mes tyre e që, kur kthehet, nuk e ka të lehtë të besojë, pa e parë me sy e pa prekur me dorë të vdekurin e gjallë. Tetë ditë më pas e shikon, e prek, e beson!

Nëse nuk ke paqe, preki plagët e Jezusit në njeriun që vuan!

Jezusi - vijoi Papa - duke parë mosbesimin e Tomës, e fton t’ia prekë plagët. Janë gurrë e paqes, sepse simbol i dashurisë së pafundme të Jezusit, që i mundi forcat armike të njeriut, mëkatin dhe vdekjen:

“Është mësim për ne, e na duket sikur Jezusi na flet të gjithëve: ‘Nëse ti nuk gjen paqe, preki plagët e mia’. Preki, pra, plagët e Jezusit, që janë problemet e shumta, vështirësitë, persekutimet, sëmundjet, një mori njerëzish, që vuajnë. Ti nuk je në paqe? Shko, shko e vizito ndokënd, që është simbol i plagës së Jezusit. Preki plagët e Krishtit! Sepse nga këto plagë gurron mëshira, prandaj sot është e Diela e Mëshirës”.

Nga plagët e Jezusit, buron mëshira   

Një shenjt - kujtoi Françesku, duke e lënë mënjanë tekstin e përgatitur - thoshte se Korpi i Krishtit të kryqëzuar është si një burim i pashterrshëm mëshire për të gjithë ne, sepse të gjithë kemi nevojë për mëshirë:

“T’i afrohemi Krishtit e t’ia prekim plagët në vëllezërit tanë që vuajnë. Plagët e Krishtit janë thesar. Prej tyre del mëshira! Të marrim guximin e t’ia prekim plagët. Me këto plagë Ai është pranë Atit, na bën ta shohim Atin, ashtu si pati thënë: ‘Atë, ky është çmimi, këto plagë janë haraçi që pagova për vëllezërit e mi’. Me plagët e veta, Jezusi ndërmjetëson para Atit. Nëse i afrohemi, na jep mëshirën dhe ndërmjetëson për ne. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë plagët e Krishtit!”.

Dhurata e gëzimit: kur je i zhytur në trishtim, shikoje Krishtin e ngjallur!

Dhurata e dytë e Krishtit, është gëzimi - vijoi të shpjegojë Papa Françesku - Na e tregon Gjoni, që kujton se “dishepujt u mbushën me gëzim, kur e panë Zotin”. Ndërsa Luka shton edhe “Gëzimi i tyre ishte aq i madh, sa nuk u besonin syve”:

Edhe ne, kur ndodhemi përpara ndonjë ngjarjeje të pabesueshme, ndoshta themi: “Nuk mund ta besoj, kjo nuk mund të jetë e vërtetë!”. Kështu ishin edhe dishepujt. Nuk mund ta besonin, nga gëzimi. Ky është gëzimi, që sjell Jezusi. Nëse ti je i trishtuar, nëse nuk ke paqe, shiko Krishtin e kryqëzuar, shiko Krishtin e ngjallur, shiko plagët e Tij e merr prej tyre gëzimin!”.

Dhurata e misionit: shndërrimi i botës me Shpirtin Shenjt

Dhurata e tretë, që u solli Jezusi dishepujve - vijoi Papa - është misioni. “Ashtu Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju” - këto janë fjalët e para, që u tha. Ky, misioni, që u ngarkoi. Ngjallja - shpjegoi Françesku - është fillesë e një jete të re, e një dashurie të re, të aftë për ta shndërruar botën, me praninë e Shpirtit Shenjt”.

Mos i harroni kurrë plagët e Krishtit!

Prej këndej - përfundoi Françesku - në këtë të Diel të dytë të Pashkëve, jemi të thirrur “t’i afrohemi me fe të gjallë Krishtit, duke ia hapur zemrat tona paqes, gëzimit, misionit, pa i harruar për asnjë çast plagët e Jezusit, “sepse prej aty gurron gëzimi e forca për mision”. E i drejtoi, së fundi, Marisë, lutjen “që Shpirti i Krishtit të ngjallur t’i prijë e ta mbështesë gjithë veprimtarinë apostolike të Kishës, me ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e laikë besnikë deri në vdekje ndaj Zotit”.

Urimet e Pashkëve, Kishave lindore

Në përshëndetjet para bekimit, Papa u bëri urimet më të përzemërta “vëllezërve e motrave të Kishave Lindore të cilat sot, sipas kalendarit julian, kremtojnë Pashkët”. “Uroi që Zoti i ngjallur t’u japë gëzim e paqe!”.

Së fundi, falënderoi të gjithë ata që, në këtë kohë, i dërguan urime për Pashkë, duke ua kthyer nga zemra e duke kërkuar tërë të mirat “për  të gjithë njerëzit e të gjitha familjet”.

28 prill 2019, 16:05