Papa në audiencë: Jezusi na mëson t’ia besojmë veten Atit, në provat e jetës
R. SH. - Vatikan
Në këtë Javë të Madhe, duke thënë Atynën, të kërkojmë hirin të jetojmë për lavdinë e Zotit, domethënë, me e për dashuri, duke ia besuar plotësisht vetveten Atit e duke fituar, në takimin me Të, faljen e guximin për të falur”. Kjo, ftesa e Papës Françesku në katekizmin e audiencës së përgjithshme, në prag të Treditshit të Pashkëve. Papa u ndalua posaçërisht tek fjalët e Jezusit, në lutjen drejtuar Atit, gjatë mundimeve.
Lutja e parë drejtuar Atit: “Lumnomë para Teje!”
Lutjen e parë Jezusi e thotë pas Darkës së Mbrame. Zoti Bir i kërkon Zotit Atë: “Lumnoje Birin tënd, lumnomë përballë Teje me atë lavdi, që unë e pata pranë Teje para se të ishte bota” - siç shkruan Shën Gjoni Ungjilltar. Por çfarë lavdie kërkon Jezusi - pyeti Papa - ndërsa Mundimet janë tek porta? Është ajo, që u tregon njerëzve fytyrën e Zotit, shenjën dalluese të pranisë së tij shëlbuese ndërmjet njerëzve. Jezusi, i lartuar mbi kryq, u lumnua. Atje - kujtoi Françesku - Zoti, më në fund, e dëftoi gjithë lavdinë e vet. E kjo lavdi s’është tjetër, veçse dashuria. Dashuria e pastër, e çmendur, e papërfytyrueshme, që kapërcen çdo çdo masë e kalon çdo kufi.
E lumnojmë Zotin, kur jetojmë me dashuri
Papa na fton ta bëjmë tonën lutjen e Jezusit: “T’i lutemi Atit të na ndihmojë këto ditë ta shikojmë të Kryqëzuarin pa perde në sy. Sepse vetëm kështu do të mund ta kuptojmë se Zoti është dashuri”:
“Sa herë e përfytyrojmë si padron, jo si atë, sa herë mendojmë se është gjykatës i rreptë, jo Shëlbues mëshirëplotë! Por Zoti, në atmosferën e Pashkëve, do t’i zhdukë distancat. E do ta shikojmë me përvujtërinë e një dashurie, që kërkon dashurinë tonë. Të mos harrojmë! Ne i japim lumni Zotit vetëm kur gjithçka bëjmë, e jetojmë me dashuri, kur e bëjmë gjithçka me gjithë zemër, si ta bënim për Të”.
Në qendër të lumnisë së Zotit është tjetri, jo vetvetja
Lavdia e vërtetë - sqaroi Françesku - “është ajo e dashurisë, sepse, e vetmja, që i jep jetë botës”:
“Sigurisht, kjo lavdi është në kundërshtim me lavdinë e botës, e cila arrin kulmin kur admirohesh, lavdërohesh, duartrokitesh: kur unë jam! Jam në qendër… në qendër të vëmendjes. Ndërsa lavdia e Zotit është paradoksale: pa duatrokitje, pa bujë. Në qendër nuk jam unë. Është tjetri: për Pashkë shikojmë se Ati e lumnon Birin, ndërsa Biri, Atin. Asnjëri nuk lumnon vetveten!”.
Lutja e dytë: Jezusi e quan Zotin “atë” - “babë”
Papa na fton, kështu, të pyesim veten: “Për ç’ lavdi jetoj në këtë botë? Për timen, apo për të Zotit? Dëshiroj vetëm të marr nga të tjerët, apo edhe t’u dhuroj të tjerëve?”. Në Gjetseman - kujtoi Françesku - Jezusin nis ta kapërthejë frika, ankthi. Nga që e di ç’e pret: tradhtia, poshtërimi, vuajtja, dëshpërimi: “Abbà - atë, baba!” – thërret. E kështu, në provë, na mëson ta përqafojmë dhimbjen. Në provë e në braktisje. Kur e braktisin të gjithë. Sepse nuk është vetëm. Është me Atin:
“Ndërsa ne, në gjetsemanet tona, shpesh kërkojmë të rrimë vetëm, në vend që të themi Atë e t’ia besojmë gjithë vetveten Atij, si Jezusi; të lëshohemi në krahët e vullnetit të Tij, e mira jonë. Por kur, në provë, mbetemi të mbyllur brenda vetes, s’bëjmë tjetër, veçse të rrëmojmë një tunel përbrenda, një udhë të nëndheshme, të dhimbshme, me një drejtim të vetëm: gjithnjë e më në fund të vetvetes. Problemi më i madh nuk është dhimbja, por mënyra si duhet përballuar. Vetmia nuk premton rrugëdalje; lutja po, sepse do të thotë marrëdhënie, do të thotë t’ia besosh gjithë vetveten Zotit”.
E treta: fali, sepse nuk e dinë çfarë bëjnë!
Prej këndej, kur hyjmë në gjetsemanet tona - ftoi Françesku - të mos harrojmë të lutemi kështu: “Atë!”. Lutjen e tretë - përfundoi Papa - Jezusi ia drejton Atit, për ne: “Atë, fali, sepse nuk e dinë çfarë bëjnë!”. Lutet, kështu, për ata, që po e mbysin, në çastin e kryqëzimit, në kulmin e dhimbjes më të mprehtë. “Këtu, në kulm të dhimbjes, edhe dashuria arrin kulmin: vjen flija, dhuratë e të njëjtit pushtet, që e copëton rrethin e së keqes”:
“Duke e thënë këto ditë Atynën, mund të kërkojmë njërin nga këto hire: t’i jetojmë ditët tona për lavdi të Zotit, domethënë me dashuri; t’ia besojmë vetveten Atit në prova e të mund ta thërresim ‘atë’: të gjejmë, në takimin me Atin, faljen, e edhe guximin për të falur. Dy gjëra, që shkojnë krah për krah. Ati na fal, por na jep edhe guximin të falim”.
Pashkët, reflektim mbi dashurinë e Zotit për ne
Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, Papa uroi që Pashkët e Krishtit t’i bëjnë besimtarët të meditojnë mbi dashurinë Zotit për ne të gjithë. U lut edhe që “Zoti të na japë hirin të marrim pjesë plotësisht në misterin e vdekjes e të ringjalljes, të na ndihmojë t’i bëjmë tonat ndjenjat e Tij e t’i ndajmë bashkë me të afërmin”.