Kërko

 Famullia e Shën Julit Famullia e Shën Julit 

Papa Françesku sot pasdite, në famullinë romake të Shën Julit

Sot pasdite Papa Françesku do të vizitojë famullinë romake të Shën Julit Papë. Famullitari, atë Frattini, pohon: “Ati i Shenjtë do të gjejë një kishë që ka jo vetëm struktura të përtërira, po edhe, e sidomos, fe të përtërirë. Bashkësia jonë është tejet e vëmendshme ndaj të varfërve, që janë si bijtë tanë”.

R. SH. - Vatikan

Sot pasdite, Ati i Shenjtë do të arrijë në famullinë romake të Shën Julit  në orën 15.45. Do të pritet nga kardinali mëkëmbës, Angelo de Donatis; ipeshkvi i sektorit perëndimor, imzot Paolo Selvadagi; famullitari, atë Dario Frattini dhe nga eprori i përgjithshëm i Rregulltarëve Kanonikë, të cilëve u është besuar famullia.

Papa do të përqafojë të varfërit,  të sëmurët, të rinjtë

Shumë i ngarkuar me takime, programi i vizitës: së pari Papa do të përqafojë të sëmurët, pastaj takimi me grupin, që vuri në skenë “Betlehemin e gjallë” duke dhënë një ndihmesë të ndjeshme në mbledhjen e fondeve për restaurimin e sallës liturgjike. Më pas, takimi me të sapomartuarit e me të rinjtë, me katekistët e familjarët e fëmijëve, me vullnetarët e Karitasit e me të varfërit, ndërmjet të cilëve, katër të pastrehë, të asistuar gjatë emergjencës dimërore. Në përfundim të takimeve, Papa, sipas traditës, do t’i kushtojë pak kohë edhe rrëfimeve e, së fundi, do të kremtojë Meshën Shenjte, në sallën liturgjike të rindërtuar krejtësisht. Me këtë rast, do të kryesojë edhe kushtimin e altarit të ri.

Fe e përtërirë, në një Kishë të përtërirë

 Françesku do të gjejë jo vetëm një famulli me struktuara të përtërira, por edhe me fe të përtërirë. Famullitari  nënvizon: “Papa do të shikojë me sytë e vet një bashkësi, që përpiqet të ecë përpara njëherësh me gjithë dioqezën e Romës. Bashkësi, që angazhohet, si të gjitha të tjerat, në kërkim të sëmundjeve shpirtërore, që e bllokojnë rritjen e të krishterit, por edhe të kujtesës e të falënderimit të Zotit për të mirat që na dhuron, ditë për ditë.

07 prill 2019, 12:46