Kërko

Vatican News
 Shën Katerina nga Siena Shën Katerina nga Siena  

Papa Françesku: Shën Katerina nga Siena, ndihmë për unitetin e Kishës e të Evropës

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa, duke kujtuar Shën Katerinën nga Siena, në ditën e festës së saj liturgjike, iu lut për Kishën, Italinë dhe Evropën.

R. SH. - Vatikan

mblemë e unitetit të Kishës. E aftë, me forcën e lutjes, t’i ndryshojë rrjedhën ngjarjeve. Dritë, që vijon të ndriçojë mbi ngjarjet e Evropës, përsëri në situata të vështira. Papa Françesku, në fillim të Meshës së mëngjesit, në Shën Martë, kujtoi festën e sotme të Shën Katerinës nga Siena, virgjër e doktore e Kishës, deklaruar 80 vjet më parë, nga Piu XII “Pajtore e Italisë” e nga Gjon Pali II, në vitin 1999 “Bashkëpajtore e Evropës”. Françesku e kujtoi me fjalët:

“Sot është festa e Shën Katerinës nga Siena, Pajtore e Italisë dhe e Evropës. Ajo u lut shumë për unitetin e Kishës, e edhe punoi shumë për të. Ta lusim për Kishën, për unitetin e saj, për ta ndihmuar Italinë në këtë çast të vështirë e për ta ndriçuar përsëri mbarë Evropën!”.

Uniteti i Kishës

Papa vuri në dukje tiparet dalluese të Shenjtores, që i pëlqejnë aq shumë. Së pari, thirrjen për unitetin e Kishës, që jehon vazhdimisht në shërbesën e tij papnore. Vetëm gjatë tetorit të kaluar i pati ftuar me ngulm besimtarët ta thonë Rruzaren çdo ditë, për t’i kërkuar Shën Marisë dhe Shën Mëhillit Kryeengjëll ta mbrojë Kishën nga djalli, që synon ta përçajë bashkësinë e krishterë. Në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë më 12 shtator 2016, Papa pati tërhequr vëmendjen për t’u ruajtur nga përçarjet brenda Kishës, pasojë e veprimit të së keqes:

“Përçarjet në Kishë nuk e lënë Mbretërinë e Zotit të rritet; nuk i lënë njerëzit ta shikojnë Zotin mirë, ashtu si është! Përçarjet e çojnë peshë njërën palë - kundër tjetrës. Gjithnjë kundër! Nuk ndjehet forca e vajit të unitetit,  paqja e balsamit të  unitetit. Po djalli shkon edhe më përtej! Nuk kënaqet vetëm me bashkësinë e krishterë, shkon pikërisht në rrënjën e unitetit të krishterë!”.

Italia kalon çaste të vështira

Françesku iu lut Shën Katerinës posaçërisht për Italinë, që po kalon çaste të vështira. E për italianët, të cilët kërkojnë punë, politika familjare e mikpritje të emigrantëve! Papa ia pati kujtuar gjithë këto edhe kreut të Shtetit italian, Sergio Mattarella, gjatë vizitës në Quirinale, më 10 qershor 2017.

Evropa e Bashkuar

 Françesku nuk kish si ta harronte, në lutjet drejtuar Shën Katerinës, edhe “Evropën plakë”, kontinentin gjithnjë më të copëtuar, më ‘të thinjur’, më të përshkuar nga nacionalizmat. Kontinent, që e harroi tepër shpejt dramën e mureve e të përçarjeve. Papa e pati theksuar këtë me forcë, më 24 mars 2017, duke pritur në Vatikan, krerët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës:

“Në një botë,  që e njihte mirë dramën e mureve e të përçarjeve, ishte tejet e qartë se duhej punuar për një Evropë të Bashkuar e të hapur, duhej një përpjekje e përbashkët për ta shembur murin, që e ndante Kontinentin nga deti Baltik, në detin Adriatik. Shumë mundim u desh për ta rrëzuar këtë mur! Mundim, që u harrua tepër shpejt! U harrua drama e familjeve të ndara, e varfërisë dhe e mjerimit, që pati shkaktuar kjo ndarje! Atje, ku breznitë dëshironin me gjithë zemër të shikonin shembjen e armiqësisë së detyruar, tani diskutohet si mund të shpëtohet “nga rreziqet” e kohës sonë: duke nisur nga kolona e grave dhe e fëmijëve, në ikje nga luftërat e nga varfëria, që kërkojnë vetëm mundësinë e një ardhmërie tjetër, më të mirë, për vete e për të dashurit e tyre”.

A nuk e kërkuan këtë edhe kolonat e gjata të përtej perdes së hekurt, që u dyndën drejt Evropës plakë, sapo u shemb muri, që ndante, deri dje, dy botë? E akoma më përpara, kolona të tjera evropianësh, në kërkim të bukës e të lirisë udhë pa udhë?

Për të gjitha këto situata të Kontinentit të Vjetër, që ka shumë nevojë të rinohet, iu lut Papa Shën Katerinës së Sienës, kësaj gruaje, që ia doli mbanë ta rikthejë Papën nga Avinjoni - në Romë, duke hapur një udhë të gjerë për unitetin e Kishës - e të Evropës!   

29 prill 2019, 16:20