Kërko

Vatican News
Papa, në audiencë me anëtarët e Bashkëvëllazërisë së Tortozës Papa, në audiencë me anëtarët e Bashkëvëllazërisë së Tortozës  (Vatican Media)

Papa, Bashkëvëllazërisë së Tortozës: të jeni tharm solidariteti

Misioni i vëllazërimit, dashuria për të tjerët: këto, disa nga këshillat e Papës Françesku për anëtarët e Bashkëvëllazërisë spanjolle të Zojës së Brezit të Tortozës, pritur sot paradite në Vatikan, në 400-vjetorin e themelimit.

R.SH. - Vatikan

Bashkëvëllazëria spanjolle e Zojës së Brezit të Tortozës ka qenë dhe është e lidhur ngushtë me selinë e shën Pjetrit. Papa Françesku e kujtoi këtë në audiencën e paradites me anëtarët e saj, duke përmendur miratimin e Bashkëvëllazërisë nga Papa Pali V, 400 vjet më parë. Pikërisht për të kujtuar këtë përvjetor, spanjollët kanë ardhur në shtegtim pranë varrit të shën Pjetrit, duke ripohuar besnikërinë e tyre për Selinë Apostolike.

Tharm solidariteti

         Ati i Shenjtë i nxiti tëvijojnë t’u shërbejnë të varfërve e të jenë vërtet vëllezër, duke u dhënë shembullin e fretërve, që edhe kur grinden, dinë ta ruajnë paqen e harmoninë ndërmjet tyre.

         “Lidhja e dashurisë, që, si vëllezër, ju bashkon me ipeshkvin dhe, përmes tij, me Papën, është dhuratë e rëndësishme që ju pasuron, por përmban në vetvete edhe një mision: të jeni tharm i solidaritetit në shoqëri”.

Tradita e Zojës së Brezit të Tortozës

         Në fjalën e tij, ipeshkvi i Tortozës, imzot Enrique Benavent, kujtoi historinë e Zojës së Brezit. Sipas traditës, natën ndërmjet 24 e 25 marsit 1178, kur kishte përfunduar ndërtimi i katedrales së Tortozës, shën Maria Virgjër iu duk një meshtari, që po përgatitej për të kremtuar lutjet e mëngjesit. Zoja i dhuroi brezin e mantelit të vet, në shenjë dashurie. E ai brez e lidhi përgjithmonë zemrën e popullit të Tortozës me atë të Virgjërës Shenjte. Kësaj Zoje i luten sidomos gratë, që kanë probleme me shtatzaninë.

12 prill 2019, 13:31