Cerca

Vatican News
Rruzarja së bashku me fotografinë e Papës Françesku Rruzarja së bashku me fotografinë e Papës Françesku 

Në Ditën e Emrit, për Shën Gjergj, Papa u dhuron fëmijëve 6 mijë rruzare

Në Ditën e Emrit, Papa Françesku u dhuron rruzaret e realizuara për Ditën Botërore të Rinisë në Panama, fëmijëve të kryeipeshkvisë së Milanos, në shtegtim në Romë, së bashku me kryeipeshkvin e tyre, imzot Delpini. Përshëndetje nga e gjithë bota për Jorge Mario Bergoglio-n.

R.SH. - Vatikan

Sot, Kisha Katolike kremton shën Gjergjin, që është edhe Dita e Emrit e Papës Françesku. Me këtë rast, përmes Lëmoshtarisë Apostolike, Ati i Shenjtë u dhuroi 6 mijë rruzare fëmijëve të kryedioqezës së Milanos, të cilët morën pjesë, sot paradite, në meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Eukaristinë e kryesoi kryeipeshkvi i qytetit verior italian, imzot Mario Delpini.

Lutje për Papën

         Me këtë gjest, Papa “u kërkon të rinjve ta kujtojnë në lutje, në mënyrë të veçantë, duke iu besuar Virgjërës Mari, pak ditë para fillimit të muajit të majit, kushtuar Zojës”: kështu deklaroi drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti. Nesër paradite, fëmijët e të rinjtë milanezë do të marrin pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Rruzaret e bëra me drurin e ullinjve të Tokës Shenjte

         Rruzaret, që iu dhuruan sot fëmijëve, janë realizuar nga druri i ullinjve të Tokës Shenjte, enkas për DBR-në e Panamasë dhe për DBR-në e kremtuar këtë vit në nivel dioqezan, të Dielën e Larit. Përmes Karitasit të Jeruzalemit u është dhënë kështu, punë, të varfërve, familjeve të të burgosurve dhe refugjatëve, në 11 laboratore artizanale.

Një vezë çokollate 20 kg për të varfërit e Stacionit Termini

         Gjithnjë për të festuar Ditën e Emrit, Papa Françesku u dhuroi sot të varfërve të mensës së Karitasit në Stacionin Termini, në Romë, një vezë çokollate 20 kilogramëshe. Njoftimin e jep gjithnjë Alessandro Gisotti, përmes një mesazhi në Twitter. 

23 prill 2019, 12:13