Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa Françesku: t’i shërbesh shpresës, do të thotë të hedhësh ura ndërmjet qytetërimeve

Papa ia kushtoi katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, shtegtimit të sapopërfunduar në Marok me temë: “Shërbëtor i shpresës”.

R. SH. - Vatikan

“Në botë ka shumë fe e të gjitha ‘shikojnë qiellin, shikojnë Zotin’. Ati qiellor e lejon këtë, ndaj ne nuk duhet të trembemi nga ‘ndryshimet’, por  të luftojmë për ‘vëllazërim’, në mënyrë të posaçme me myslimanët, bij të  Abrahamit, si ne”.  Me këto fjalë  Papa Françesku shpjegoi domethënien e shtegtimit të tij apostolik në Marok, një hap tjetër në udhën e dialogut e të takimit. Ishte shtegtim i kryer mbi gjurmët e Shën Françeskut të Asizit e të Shën Gjon Palit II.

Shën Françesku e Papa Françesku

Shfletonte, kështu, librin e historisë, duke u ndaluar tek një faqe e shkruar 800 vjet më parë. E duke rikujtuar një shtegtim tjetër, në kohën kur përfaqësuesit e dy feve vringëllonin shpatat njëri kundër tjetrit. Atë të Shën Françeskut, që i çoi Sulltanit al-Malik al-Kamil mesazhin e paqes e të vëllazërimit. E të Papës Wojtyla, që e vizitoi Marokun, pasi kishte pritur në Vatikan mbretin Hasani II. T’i shërbesh shpresës - kujtoi Papa gjatë katekizmit - në një kohë si jona, do të thotë, mbi të gjitha, të hedhësh ura, që lidhin qytetërimet:

“Duke kujtuar disa takime të rëndësishme ndërkombëtare të rangut të lartë, mbajtur vitet e fundit në këtë vend, me Mbretin Mohammed VI ripohuam rolin themelor të feve në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, në promovimin e  paqes, drejtësisë dhe kujdesit për krijimin, domethënë, për shtëpinë tonë të përbashkët. Në këtë perspektivë, nënshkruam së bashku me Mbretin, një  thirrje për Jeruzalemin, që Qyteti Shenjt të mbrohet si pasuri e njerëzimit e vend takimi paqësor, posaçërisht për besimtarët e tri feve monoteiste”.

Kurrë skllevër të mbiemrave

Papa Bergoglio kujtoi vizitën në mauzoleun e Mohammedit V, në institutin për formimin e imamëve, e, sidomos, vëmendjen kushtuar çështjes migratore. Pikërisht në Marrakesh, dhjetorin e kaluar, u ratifikua “Pakti botëror për një migracion të sigurt, të renditur e të rregullt”, “hap i rëndësishëm, i cili e nxit bashkësinë ndërkombëtare ta pranojë përgjegjësinë që i takon për zgjidhjen e këtij problemi":

“Mua nuk më pëlqen të përdor fjalën migrantë; më pëlqen më shumë të flas për njerëz në shtegtim. A e dini pse? Sepse migrant është mbiemër, ndërsa njerëzit janë emër. Ne kemi rënë në kulturën e mbiemrit, të epitetit, përdorim një mori mbiemrash, duke i harruar fare emrat, domethënë, thelbin. Mbiemri rri ngjitur me emrin, e cilëson, prandaj një njeri nuk mund të quhet thjesht migrant, por njeri migrant. Kështu nuk humbet respekti. E nuk katandisemi në kulturën e mbiemrit, që është tepër rrëshqitëse, e lëngët, gazoze”.

Papa kujtoi edhe  propozimin e Selisë së Shenjtë, të cilin e përmblodhi me katër folje: Të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh e të integroshNuk bëhet fjalë për rënien nga qielli të programeve asistenciale - saktësoi - por për të bërë së bashku një udhë përmes këtyre katër aksioneve, për të ndërtuar qytete e vende të cilat, ndonëse e ruajnë identitetin e tyre kulturor e fetar, hapin horizonte të reja për ndryshime e dinë t’i vlerësojnë nën shenjën e vëllazërimit njerëzor.

Dëftimi i Popullit të Zotit, në zemër të një vendi islamik

Posaçërisht prekës, përqafimi me bashkësinë e krishterë: vizita në qendrën bujqësore të shërbimeve shoqërore, drejtuar nga Bijat e Bamirësisë; takimi me meshtarët, rregulltarët dhe Këshillin Ekumenik të Kishave, në katedralen e Rabatit; Eukaristia e së dielës, në kompleksin sportiv të kryeqytetit:

“Është një grigjë e vogël në Marok, e prandaj i kujtova figurat ungjillore  të kripës, të dritës e të tharmit (krh Mt 5,13-16;13,33), që i lexuam në fillim të kësaj audience. Çka vlen, nuk është sasia, por shija. Shija e kripës, shkëlqimi i dritës, aftësia e tharmit për të mbruajtur. E kjo nuk vjen nga ne, por nga Zoti, nga Shpirti Shenjt, që na bën dëshmitarë të Krishtit, atje ku jemi, me një stil dialogu e miqësie”.

Mijëra vetë, nga rreth 60 kombësi të ndryshme, morën pjesë në Meshë. Ishte një “dëftim i veçantë i Zotit në zemër të popullit të vet, në një vend islamik”. Papa Françesku nënvizoi se “Zoti  dëshiron që të gjithë bijtë të marrin pjesë në gëzimin e tij,  në festën e faljes  dhe të pajtimit:

“Vetëm kush rilindi e jeton në krahët e këtij Ati - përfundoi Françesku - mund të jetë shërbëtor i shpresës”.

03 prill 2019, 12:54