Kërko

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku  (Vatican Media )

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës Katolike

Solidariteti i Papës pas atentateve në Christchurch të Zelandës së Re; rrëfimi i disa pendestarëve në Shën Pjetër, më 29 mars; përgatitjet për vizitën e Atit të Shenjtë në Marok: këto, disa nga veprimtaritë e kaluara dhe të ardhshme të Françeskut.

R.SH. - Vatikan

Dhunë pa kuptim në Zelandën e Re: solidariteti i Papës

Akoma s’është shuar jehona e atentatit kundër dy xhamive në Zelandën e Re, gjatë natës ndërmjet së enjtes e së premtes së kaluar (me orën evropiane). Papa Françesku dërgoi menjëherë një telegram ngushëllimi, me të cilin shprehu dhimbjen e tij për humbjen e dhjetra jetëve njerëzore në dy xhamitë e Christchurch-it. Gjithashtu, u siguroi neozelandezëve dhe bashkësisë myslimane solidaritetin e tij të sinqertë, ngushëlloi të plagosurit dhe u dha të gjithëve bekimin e tij apostolik. Telegrami nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Edhe ipeshkvijtë katolikë të Zelandës së Re dënuan atentatin

 Edhe ipeshkvijtë katolikë të vendit shprehën solidaritetin dhe afërsinë e tyre me bashkësinë myslimane. Përveç mesazhit publik, në të cilin theksojnë marrëdhëniet e mira të përhershme me bashkësinë myslimane, ata u mblodhën në lutje, me të dëgjuar për masakrën në Christchurch.

Më 29 mars, Papa Françesku do të rrëfejë disa pendestarë në Shën Pjetër

Të premten, më 29 mars, në orën 17, Papa Françesku do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, “ritin e Pajtimit të disa pendestarëve, përmes rrëfimit dhe zgjidhjes individuale”. Me këto fjalë, një komunikatë e Zyrës së Kremtimeve liturgjike papnore, njofton se në përkim me nismën “24 orë për Zotin”, edhe Papa Françesku, si çdo vit, do të hyjë në rrëfyestore për t’u dhënë mëkatarëve të penduar Sakramentin e Pajtimit me Zotin. Ky takim është bërë tashmë traditë e, edhe vetë Papa shkon të rrëfehet tek njëri nga meshtarët e pranishëm.

“24 orë për Zotin” është nismë e së Dielës IV të Kreshmëve (Dominica in Laetare). Mbrëmjen e së premtes, 29 mars e, gjatë gjithë ditës së shtunë, 30 mars, të gjitha kishat do të qëndrojnë hapur, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të rrëfehen e të adhurojnë të Shenjtnueshmin Sakrament.

Papa falenderon predikatarin e ushtrimeve shpirtërore në Ariccia

 Javës së kaluar, Papa Françesku dhe Kuria Romake ishin në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve. Në përfundim të tyre, Ati i Shenjtë falenderoi predikatarin, abatin e Shën Miniatit mbi Mal, në Firence, dom Bernardo Francesco Maria Gianni, benedektin olivetan. “Dua të të falenderoj, vëlla Bernard, për ndihmën tënde gjatë këtyre ditëve”, i tha Papa, duke i shprehur mirënjohjen për meditimet e përqendruara mbi temën: “Qyteti i dëshirave të zjarrta. Për vështrime e gjeste Pashkësh në jetën e botës”.

Më 13 mars, 6-vjetori i papnisë së Jorge Mario Bergoglio-s

 Papa Françesku e priti me lutje e meditim, në ushtrimet shpirtërore në Ariccia, 6-vjetorin e papnisë së tij, që u kremtua më 13 mars. Kuria Romake festoi dhe i bëri urimet, para fillimit të meditimeve të ditës. Tashmë, për Atin e Shenjtë filloi viti i shtatë i papnisë, që për traditën biblike është numër i shenjtërisë dhe i bekimeve. Të gjithë besimtarët katolikë ftohen të lëvdojnë Zotin për periudhën e deritanishme e të luten për mbarëvjatjen e ardhshme të papnisë së Françeskut.

Papa në Marok

Në prag të vizitës së Papës Françesku në Marok, më 30 dhe 31 mars, Arkivat e vendit do të përurojnë një ekspozitë me titull “Prania e krishterë në Marok: të jetojmë së bashku”. Organizuar në bashkëpunim me Këshillin e bashkësisë marokene në diasporë (Ccme), nga 20 deri më 30 mars, në Rabat, ekspozita është rast për një “retrospektivë mbi kapituj pak të njohur të historisë së përbashkët, karakterizuar nga vlera të fuqishme paqeje dhe bashkëjetese”, shkruhet në një notë.

“Maroku – vazhdon ajo - është konsideruar prej kohësh model shembullor bashkëjetese ndërmjet myslimanëve dhe besimtarëve të feve të tjera, veçanërisht hebrenjve dhe të krishterëve”. Prej kohësh, disa nga “sulltanët marokenë u kanë dhënë atyre një status, që u garanton të gjitha të drejtat lidhur me jetën shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike”. Ekspozita, me dokumente, fotografi, objekte dhe “dahir” (dekrete mbretërore), daton që nga koha e Almohadëve (dinasti, që mbretëroi në Magreb e në Spanjë në periudhën 1147-1269). Aty mund të shihet korrespondenca e disa sulltanëve marokenë, përfshirë Moulay Ismail, Sidi Mohammed Ben Abdallah (Muhameti III), Moulay Slimane, deri tek mbreti i tanishëm Mohammed VI, i cili ka qenë në Vatikan, në vitin 2000. Vizita e Papës Françesku bëhet 34 vjet pas udhëtimit të Gjon Palit II, në vitin 1985.

Predikimi i parë i Kreshmëve i atë Raniero Cantalamessa

 Të premten e kaluar, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, mbajti predikimin e parë të Kreshmëve, në kapelën Redemptoris Mater, në Vatikan. Tema e zgjedhur për këtë vit është “Kthehu tek vetja!”, marrë nga shën Augustini. Nga faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, atë Cantalamessa shpjegon pse e zgjodhi dhe ç’kuptim kanë këto fjalë.

 “Jetojmë – thekson ai – si në një centrifugë me shpejtësi maksimale. Jemi gjithnjë ‘në dalje’ përmes pesë portave të shqisave. E jo vetëm të rinjtë”. Sipas predikatarit, ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet reflektimit, që pati bërë gjatë Kohës së Ardhjes dhe predikimeve të tanishme të Kreshmëve. “Zoti është gjithmonë aty, por zakonisht nuk e kuptojmë këtë - shpjegon atë Cantalamessa. – Një gjë është ta dijmë se Hyji ekziston e, gjë tjetër, ta ndiejmë praninë e Tij, ‘coram Deo’ thuhej dikur. Ndërmjet këtyre dy gjendjeve ka diçka, që i ngjan zgjimit në mëngjes. Gjatë natës, sendet rreth nesh ekzistojnë, ndodhen aty ku i kemi lënë në mbrëmje: shtrati, dritarja, dhoma. Por vetëm kur zgjohemi, ato fillojnë të ekzistojnë për ne, sepse bëhemi të vetëdijshëm për to, i vemë re. Kur jemi në gjumë, duket sikur të mos ekzistonin. E njëjta gjë ndodh me Zotin. Kemi nevojë të zgjohemi sërish, të bëhemi të vetëdijshëm për ta ndierë praninë e Tij. Predikimet e Kreshmëve të këtij viti janë ndihmë për të jetuar një “rizgjim” të kësaj natyre”.

Juncker në asamblenë e Comece-s: “Ju drejtohem juve, o njerëz të urtë”

“Ju bëj thirrje juve, o njerëz të urtë. Njerëzit e mençur janë të durueshëm dhe të vendosur dhe, në këtë çast, Evropa ka nevojë për durim dhe vendosmëri”. Me këto fjalë, Jean-Claude Juncker, kryetar i Komisionit Evropian, përfundoi fjalimin e tij për ipeshkvijtë-delegatë të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, mbledhur këto ditë në Bruksel, në asamblenë e tyre.

Juncker iu drejtua ipeshkvijve për 50 minuta, me një fjalim 360 gradësh për problemet dhe sfidat e ardhshme të Evropës. “Bashkimi Evropian – nënvizoi ai – “është, sigurisht, më i mirë nga sa thuhet”. Është mbi të gjitha “projekt gjithëpërfshirës”, i thirrur – siç i pëlqente të thoshte shën Gjon Palit II – “të marrë frymë me dy mushkëri”. Kontinent i mbrujtur me vlera të krishtera, ku “dinjiteti i njeriut respektohet pavarësisht nga raca dhe nga orientimi seksual”. Juncker shprehu vlerësim për thirrjen e ipeshkvijve që të gjithë të shkojnë për të votuar në zgjedhjet evropiane të majit. “Evropa - theksoi ai - nuk mund t’u lihet në dorë vetëm politikanëve”. “Evropa është kompetencë e të gjithëve”.

17 mars 2019, 09:36