Kërko

Vatican News
 Papa Francesco e Onorevole Virginia Raggi Papa Francesco e Onorevole Virginia Raggi  (Vatican Media @Vatican Media)

Programi i vizitës së Papës në Bashkinë e Romës

Të martën më 26 mars, Papa Françesku viziton Bashkinë e Romës. Vizita e Papës është pjesë e një traditë të konsoliduar tashmë, sipas së cilës papët nga Vatikani ngjiten në Kodrën Kapitoline (të Romës) në rrugën për në Bazilikën e Lateranit, në fillim të papnisë. Nga ana e tyre, administratorët e Romës priten çdo vit nga Papa në Vatikan për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit.

R.SH. - Vatikan

Do të jetë një vizitë prej rreth dy orësh, paraditen e së martës, më 26 mars, ajo që do të bëjë Papa Françesku në Campidoglio – në selinë e Bashkisë së Romës. Pas mbërritjes me makinë, në zonën e Siksit IV, në orën 10.30, Papa Françesku do të pritet nga kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi, shoqëruar nga buçitja tradicionale e borive, që për këtë rast do t’u bien besimtarët e Vitorchianos. Pastaj, brenda Pallatit Senatorio, në Sallën e orëve, Papa do të takojë shkurtimisht familjarët e kryetares së bashkisë, pastaj, në zyrën e kryetares, do të ketë një bisedë private. Kështu njofton Zyra e shtypit të Vatikanit.

Në përfundim të kësaj bisede, në Sallën e Sixhadeve, takimi me kryetarin e Asamblesë së Campidoglio-s, nënkryetarin e bashkisë, presidentët e Grupeve të Këshillit bashkiak dhe udhëheqësit e sektorëve të ndryshëm të bashkisë. Secilit, Papa Françesku do t’i japë një kopje të librit "Të rimendohet e ardhmja" me fjalimet e tij mbi Evropën. Pastaj, në Sallën e Flamujve, Papa do të takohet me këshilltarët e bashkisë së Romës dhe me kryetarët e Komunave të kryeqytetit italian. Këtu Ati i Shenjtë  Bergoglio do të firmos Librin e Artë të Campidoglio-s.

Fjalimi i Papës

Fjalimi i Papës Françesku do të mbahet në sallën e Jul Cezarit, pas përshëndetjes së Presidentit të Asamblesë kapitoline, Marcello De Vito dhe të kryetares së bashkisë. Pas fjalëve të Papës, Virginia Raggi do të njoftojë për krijimin e një burse dhe ndryshimin e emërimit të Sallës Piccola Protomoteca në Laudato si '. Në vazhdim do të ketë një shkëmbim dhuratash. Papa Françesku do të dhurojë një mozaik që riprodhon amfiteatrin romak Koloseun dhe medaljet e Pontifikatit. Në vazhdim Papa dhe kryetarja e bashkisë do të dalin në Lozhën e Pallatit Senatorio, nga ku Papa do të përshëndet qytetarët romakë të pranishëm në Shesh dhe më pas, në Sallën e Protomoteca-s, do të përshëndet një përfaqësi të punonjësve të Campidoglio-s bashkë me familjarët e tyre. Rreth orës 12.30, Papa Françesku dhe kryebashkiaku Raggi do të përshëndeten. Pastaj, kthimi i Papës në Vatikan.

Vizita e fundit e një Pape në Bashkinë e Romës, është ajo e Benediktit XVI, më 9 mars të vitit 2009. Kështu edhe “Papa Françesku, duke pranuar ftesën e Kryetares së Bashkisë së Romës, Virginia Raggi, tregon një vëmendje e dashuri të veçantë ndaj të gjithë qytetarëve dhe ndaj Administratës Kapitoline, që përfaqëson qytetin e Romës.

Kujtojmë se vizita e Papës Françesku është pjesë e një traditë të konsoliduar tashmë, sipas së cilës papët nga Vatikani ngjiten në Kodrën Kapitoline (të Romës) në rrugën për në Bazilikën e Lateranit, në fillim të papnisë. Nga ana e tyre, administratorët e Romës priten çdo vit nga Papa në Vatikan për shkëmbimin e urimeve në fillim të vitit. I pari që vulosi këtë miqësi, për të mirën e Romës dhe të qytetarëve të saj, qe Papa Pali VI, i cili vizitoi Bashkinë e Romës më 16 prill 1966.

19 mars 2019, 12:57