Kërko

 Mars 1939: kurorëzimi i Papës Piu XII Mars 1939: kurorëzimi i Papës Piu XII 

Piu XII: presidenti i Izraelit, Papa Françesku “guximtar”

Zhvillim posaçërisht i rëndësishëm për luftën kundër antisemitizmit e edhe më tej…

R. SH. - Vatikan

“Kjo nismë e guximshme dhe e mirëpritur e mikut tim, Papës Françesku,   do të krijojë mundësinë për shfletimin e lirë e jo të ndërmjetësuar, të dokumenteve të periudhës më të errët të historisë njerëzore”. Këtë pohoi kreu i Shtetit izraelit, Reuven Rivlin, duke komentuar vendimin  për hapjen e arkivave vatikanase të periudhës së Olokaustit, apo shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët:

“Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin”-  paralajmëron Rivlin. Pohim me vlerë, ky, jo vetëm për periudhën e shumëdisktuar të papnisë së Piut XII, por për të gjitha periudhat, që pasojnë diktaturat gjakatare. Të cilat nuk duhen harruar! “Ky zhvillim - vijon akoma  presidenti izraelit - është veçanërisht i rëndësishëm këto ditë, kur po përsëriten dendur sulme antisemite, e jo më pak, kërkesa për ta rishkruar historinë dhe përpjekje për ta mohuar Olokaustin, shfarosjen masive të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit”.

Ashtu si vijojnë t’i mohojnë historianët komunistë, kampet e kësaj natyre në Shqipëri. E kjo na kujton se në  dokumentet e Arkivit të Piut XII mund të lexohen shumë faqe ende të panjohura edhe për historinë e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore e, sidomos, për martirizmin e Kishës katolike, të klerit e besimtarëve të saj. Mbetet, për shembull, për të hedhur dritë të re mbi një nga çastet më tragjike të Historisë së Kishës në Shqipëri. Mbë atë, ndërmjet viteve ’49-’52, pikërisht nën papninë e Piut XII, që zgjati nga data 2 mars e vitit 1939, deri më 9 tetor 1958, duke përfshirë periudhën më kritike, atë të Statutit të Kishës Katolike Shqiptare, me synimin e diktaturës komuniste për ta shkëputur Kishën nga Papa. Gjithashtu e shumëdiskutuar, mbetet ende e paqartë kjo periudhë, për të cilën mund e duhen rihapur dokumentet e reja, për ta sqaruar përfundimisht lojën e rrezikshme politiko-fetare, që u përpoqën të luajnë politikanët komunistë me klerin katolik  në vitet ' 49 - ' 52.  Janë pikërisht vitet e papnisë së Piut XII! Arkivat e të cilit, siç njoftoi dje personalisht, Françesku do t’i hapë më 2 mars 2020.

Papa shprehu sigurinë  se “kjo pasuri dokumentare” do të lexohet me sy të mirëfilltë shkencor:

“Kisha nuk ka frikë nga historia, përkundrazi, e do e do të dëshironte ta donte më shumë e më mirë, ashtu si e do Zoti”.

05 mars 2019, 12:42