Kërko

 Papa me Mbretin  Mohammed VI Papa me Mbretin Mohammed VI 

Papa: guximi i takimit është udha e paqes për njerëzimin

Gjatë fjalimit drejtuar popullit maroken në Sheshin e madh të Kullës së Hassanit II, në Rabat, Papa Françesku ftoi për krijimin e një shoqërie të hapur, pluraliste e solidare, që investon në kulturën e dialogut: e vetmja rrugë për t’iu kundërvënë fanatizmit e fundamentalizmit.

R. SH. - Vatikan

Papën e priti edhe shiu sot, nësa përshkonte udhën, që e çonte në Sheshin e Kullës së Hassan-it II, minare e papërfunduar nga Sulltani al-Mansur. Françesku në papamobil, Mbreti Mohammed VI në Limousine të zezë të hapur, të dy kaluan duke e përshëndetur popullsinë e mbledhur në dy anët e rrugës. Në shesh binte në sy e bardha e shtyllave, njëheresh me okrën e kullës së lartë 40 metra. Ngjyra këto, që ishin korniza e fjalimit të parë të Papës Françesku në tokën marokene; fjalë drejtuar popullsisë, autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit Diplomatik.

Në Sheshin e madh të Kullës së Hassanit II, në Rabat, Papa Françesku shprehu kënaqësinë e tij për Konferencën ndërkombëtare mbi të drejtat e pakicave fetare në botën islamike, mbajtur në Marrakesh, në janar 2016:

“Krijoi kushtet që të dënohet përdorimi i çdo feje për të diskriminuar e për të kërcënuar fetë e tjera - theksoi Papa -  duke nënvizuar, në vijim, se duhet shkuar përtej konceptit të pakicës fetare, në favor të asaj të qytetarisë e të njohjes së vlerës së njeriut, që duhet të zërë kryet e vendit në çdo sistem juruidik”.

E shikoj si shenjë profetike - shtoi - krijimin e Institutit Ekumenik Al Mowafaqa, në Rabat, më 2012, përmes nismës katolike e protestante në Marok, “institut, që synon të japë kontributin e tij në promovimin e ekumenizmit dhe të dialogut me kulturën e me Islamin”.

Kjo nismë e lavdërueshme shpreh shqetësimin dhe vullnetin e të krishterëve, që jetojnë në këtë vend, për të ndërtuar ura, për të manifestuar vëllazërimin  njerëzor e për t’i shërbyer atij - vërejti Papa:  

“Janë të gjitha udhë, që do t’i venë pritë përdorimit të fesë për të nxitur urrejtjen e dhunën, ekstremizmin e fanatizmin e verbër e do t’i japin fund një herë e mirë përdorimit të emrit të Zotit për të justifikuar aktet vrasëse, dëbimet, terrorizmin dhe çdo lloj të shpypjeje të njeriut mbi njeriun”.

Solidaritet ndërmjet feve, kundër fanatizmit e fundamentalizmit

Këtë nënvizoi  Papa, duke cituar Dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi. Bëri, më pas, thirrje për solidaritetin ndërmjet feve e besimtarëve, kundër fanatizmit e fundamentalizmit, duke e mbështetur çdo lloj veprimtarie mbi vlerat e përbashkëta:

“Është themelore, në se duam të marrim pjesë në ndërtimin e një shoqërie të hapur, pluraliste, solidare, të zhvillohet vazhdimisht e pa asnjë lëkundje kultura e dialogut, parë si rrugë që duhet përshkuar; bashkëpunimi, si sjellje; njohja reciproke, si metodë e kriter”.

Këtë nënvizoi Françesku, duke cituar Dokumentin mbi Vëllazërimin njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi:

“Kjo është udha, që jemi të thirrur ta ndjekim pa u lodhur kurrë, për të ndihmuar njeri-tjetrin në kapërcimin e keqkuptimeve, maskave, stereotipeve, që përfundojnë gjithnjë me frikë e kundërvënie. E kështu,  t’i hapim rrugën frymës së bashkëpunimit të dobishëm e respektues”.

Të krishterët të jenë mbrojtës të vëllazërimit në shoqërinë marokene

Më pas Papa u bë zëdhënës i të krishterëve që “duan ta luajnë rolin e tyre në ndërtimin e një kombi solidar e të begatë, duke pasur për zemër të mirën e përbashkët të popullit:

“Impenjimi i Kishës Katolike në Marok me veprimtaritë e saj në shoqëri dhe në fushën e edukimit përmes shkollave të hapura për studentë të të gjitha konfesioneve, feve e origjinave, më duket domethënës. Prandaj, ndërsa falënderoj Zotin për udhën e bërë, më lejoni t’i inkurajoj  katolikët e  të krishterët që të jenë këtu, në Marok, shërbëtorë, nxitës e mbrojtës  të vëllazërimit njerëzor”.

Feja nuk përçan, ndriçon

Në fjalimin e tij, Mbreti Mohammed VI kujtoi edhe vizitën e mëparshme të Gjon Palit II në Marok, si dëshmi për marrëdhëniet e mira me Vatikanin. Sovrani  theksoi rëndësinë dialogut ndërfetar, parë si mjet për të njohur njëri-tjetrin, që jep gjithnjë frytet e dëshiruara. Njohja e njeriut, që është ndryshe - kujtoi Mbreti - zhduk radikalizmin, duke theksuar, më pas, se për t’iu kundërvënë  injorancës, duhet investuar në fushën e edukimit, të shkollimit të breznive të reja. Feja - theksoi akoma Sovrani - nuk do të duhej të ndajë, por të bashkojë, sepse “feja është dritë, është dije, është urti”.

30 mars 2019, 17:01