Kërko

Papa bisedon me gazetarët Papa bisedon me gazetarët 

Papa gazetarëve: shpresoj se puna juaj do të jetë e frytshme

Françesku, gjatë fluturimit drejt Marokut, përshëndeti të dërguarit nga media ndërkombëtare dhe bëri urimet për dy ditëlindje. Lidhur me Kongresin e Veronës, nuk i shtoi asgjë fjalëve të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin

R. SH. - Vatikan

Pak pas nisjes së fluturimit të Airbus 320 të Alitalias, që e çonte në Marok, Papa Françesku, si zakonisht, përshëndeti 69 gazetarët dhe operatorët, që shtegtonin me delegacionin papnor. Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, e përshëndeti Papën, duke i kujtuar Deklaratën e Vëllazërimit njerëzor, që Françesku e nënshkroi së bashku me Imamin e Madh të Al Azhar, gjatë vizitës në Emiratet Arabe, shkurtin e kaluar.

Si mori mikrofonin, Papa u drejtoi ndonjë fjalë gazetarëve, duke kujtuar edhe ditëlindjet e dyve prej tyre. Ditëlindje jo të zakonshme, kremtuar “në fluturim”.

“Mirëdita të gjithëve - tha - e faleminderit për shoqërinë! Uroj që puna juaj të jetë e frytshme. Do të jetë e lodhshme, por kur është me fryt, ia vlen!”. Më pas shtoi: “Më thanë se sot është festë… nuk e di nëse ka edhe tortë… Kremtohen dy ditëlindje, apo jo? Urime të përzemërta!”. Françesku e kishte fjalën për ditëlindjet e kremtuara këto ditë nga Gerard O’Connel, vatikanist i Amerikës e Philip Pullella, vatikanist e Reuters.

Më pas Papa i përshëndeti gazetarët një nga një. Kronisti i Messaggero-s  i kërkoi një koment për Kongresin Botëror të Familjeve në Veronë. Françesku u përgjigj se nuk ka asgjë për t’i shtuar sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin që, në përfundim të një kuvendimi në Spitalin  e Krishtit Fëmijë, deklaroi se është dakord, në thelb, me temat e Kongresit të Veronës, por më pak, me mënyrat e shprehjes”.

Papës i dhuruan një anije në miniaturë, realizuar me materiale të hedhura, nga të burgosurit e një burgu spanjoll.

30 mars 2019, 15:00