Kërko

Vatican News
Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti 

Papa në Marok. Gisotti: në qendër, dialogu ndërfetar, emigrantët dhe Kisha vendase

Në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit udhëtimi i Papës në Marok, të shtunën dhe të dielën e ardhshme. Në vend, ekziston një traditë e gjatë bashkëjetese ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, nënvizoi zëdhënësi i Vatikanit, Gisotti.

R.SH. - Vatikan

Udhëtim, që i kushtohet dialogut ndërfetar, “në vazhdimësi” me atë të shkurtit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Tema të tjera do të jenë çështja e emigrantëve, pak muaj pas miratimit të Paktit të Kombeve të Bashkuara për Migracionin (Global Compact) në Marrakesh, si edhe përforcimi i bashkësisë katolike në fe, rreth 25 mijë besimtarë, veçanërisht aktivë në fushën shoqërore. Ky do të jetë udhëtimi i 28-të ndërkombëtar i Papës Françesku, i cili do të shkojë në Marok, të shtunën dhe të dielën e ardhshme. Paraqitja u bë sot paradite nga drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti. Në një vend me pothuajse 35 milionë banorë, ku myslimanët (kryesisht sunitë) bashkëjetojnë paqësisht me të krishterët, Papa shkon si “bari i Kishës” dhe jo si “lider politik”, theksoi zëdhënësi i Vatikanit.

Dita e parë: dialogu ndërfetar

Pritja në Rabat, të shtunën pasdite, nga mbreti Mohammed VI, do të kujtojë atë të vitit 1985, kur mbreti Hassan II i uroi mirëseardhjen shën Gjon Palit II, kur vizitoi vendin për disa orë. Pastaj, Françesku do të lëvizë me papamobil, paralelisht me kortezhin e sovranit, për një përqafim të parë me popullin maroken, ndjekur nga ceremonia e mirëseardhjes në Esplanade de la Tour Hassan: takim “shumë i ndierë” me marokenët, të cilët mund ta ndjekin ngjarjen dhe të dëgjojnë fjalimin e parë të Atit të Shenjtë edhe jashtë sheshit, përmes ekraneve të mëdha. Pas vizitës në Mauzoleun Mohammed V, Papa do të takohet me mbretin dhe me familjen e tij në Pallatin Mbretëror. Më pas, për herë të parë, një papë do të pritet në një institut formimi për predikues, që mban emrin Mohammed VI dhe është përuruar në vitin 2015. Më këtë rast, nuk janë parashikuar fjalime të Papës, i cili do të dëgjojë dy studentë dhe ministrin për Çështjet Fetare. Në vijim, programi parashikon takimin me emigrantët, në selinë e Karitasit dioqezan të Rabatit, ku Papa do të mbajë fjalimin e dytë. Maroku strehon 80 mijë emigrantë subsaharianë, prej të cilëve, rreth 4 mijë ndihmohen nga Kisha lokale.

Dita e dytë: përqafimi me Kishën lokale

Pas ditës së parë, përqendruar në dialogun ndërfetar, e dyta i kushtohet Kishës lokale, me një vizitë private të Papës në Qendrën Rural des Services Sociaux të Témera, drejtuar nga murgeshat vinçenciane, të cilat kujdesen veçanërisht për fëmijët e sëmurë. Më pas, takimi me klerin, rregulltarët dhe me Këshillin Ekumenik të Kishave, në katedralen e Rabatit. Do të dëgjohet dëshmia e një meshtari dhe e një murgeshe françeskane, pasuar nga fjalimi i Françeskut dhe lutja e Engjëllit të Tënzot. Pas drekës, mesha e kremtuar në spanjisht në kompleksin sportiv Prince Moulay Abdellah, me homelinë e Papës. Priten deri në 10 mijë besimtarë, kremtimi eukaristik me pjesëmarrje më të madhe në Marok. Në përfundim, papa Françesku do të shkojë në aeroport për ceremoninë e lamtumirës e më pas, do të kthehet në Vatikan.

28 mars 2019, 17:55