Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencë me Familjen kamiliane Papa Françesku në audiencë me Familjen kamiliane  (Vatican Media)

Papa, kamilianëve: misioni juaj për të sëmurët, i nevojshëm në botë

Ndihmoni të sëmurët dhe u mësoni të tjerëve mënyrën më të mirë për t’i ndihmuar: kështu e shpjegon Papa Françesku thirrjen e kamilianëve, gjatë audiencës me rregulltarët e rregulltaret e urdhërit të themeluar nga Shën Camillo De Lellis.

R.SH. - Vatikan

“Ju angazhoheni vazhdimisht në dhurimin plot dashuri e bujari për të sëmurët, duke kryer një mision të çmuar në Kishë dhe në shoqëri, përkrah të vuajturve”. Kështu u tha Papa rregulltareve e rregulltarëve të Familjes Kamiliane, që i priti në audiencë në Sallën Klementine në Vatikan.

Nevoja për të pasur dikë pranë

“Kur sëmundja arrin ta turbullojë e, nganjëherë, edhe ta trondisë jetën tonë - theksoi Françesku, - atëherë ndjejmë fuqishëm nevojën të kemi pranë një vëlla a një motër të dhembshur e madje, edhe kompetent, që na ngushëllon, na mbështet, na ndihmon ta rifitojmë shëndetin - këtë pasuri të çmuar - ose na shoqëron deri në pragun e takimit përfundimtar me Zotin!”

Dëshmitarë të dashurisë së mëshirshme

Duke quajtur kujdesin dhe dashurinë për të sëmurët “një thirrje të vërtetë të Shpirtit Shenjt”, Papa u tha kamilianëve se e jetojnë këtë karizëm “në mënyrë shembullore, duke ecur në dy binarë: atë të ndihmës së drejtpërdrejtë për të sëmurët, sidomos për të varfërit, duke plotësuar nevojat e tyre trupore dhe shpirtërore, si edhe – e ky është binari i dytë – duke u mësuar të tjerëve mënyrën më të mirë për t’u shërbyer nevojtarëve, në të mirë të Kishës dhe të njerëzimit”. “Gjatë viteve - shtoi ai, - jeni përpjekur ta mishëroni me besnikëri thirrjen tuaj, duke e zbatuar në një shumëllojshmëri veprash apostolike dhe në shërbimin baritor për të mirën e njerëzimit të vuajtur, në të gjithë botën”.

Forma të reja apostullimi

“Në gjurmët e këtij misioni, të cilin disa nga anëtarët e familjeve tuaja rregulltare e kanë jetuar heroikisht, duke u bërë modele shenjtërie, jeni të thirrur ta vazhdoni shërbimin në mënyrë profetike”, përfundoi Papa Françesku. “Është fjala për të parë drejt së ardhmes, syhapur ndaj formave të reja të apostullimit, që ju frymëzon Shpirti Shenjt e që kërkohen nga shenjat e kohës dhe nga nevojat e botës e të Kishës. Dhurata e madhe, që keni marrë, është ende aktuale dhe e nevojshme edhe për këtë epokë, sepse bazohet mbi bamirësinë, së cilës nuk do t’i vijë fundi kurrë”.

18 mars 2019, 12:54