Cerca

Vatican News
2019.03.14 Card. Godfried DANNEELS 2019.03.14 Card. Godfried DANNEELS  

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e Kardinalit belg Danneels

Kryeipeshkvi në pension i Malines-Bruxelles, kardinal Godfried Danneels, vdiq sot paradite në moshën 85 vjeçare. Dhimbja e Papës Françesku dhe ipeshkvijve të e Belgjikës. Me vdekjen e tij kolegji i kardinajve tani përbëhet nga 222 kardinajve, prej të cilëve 122 me të drejtë vote dhe 100 pa të drejtë vote.

R.SH. - Vatikan

Vdiq sot, në shtëpinë e tij në Malines, në moshën 85-vjeçare, Kardinali Godfried Danneels, Kryeipeshkëv nderi i Malines-Bruksel. Funerali do të kremtohet në Katedralen metropolitane të Saint-Rombaut në Malines, të premten më 22 mars. Njoftimin e dha kryeipeshkvi i Malines-Bruksel-it dhe Presidenti i Konferencës së Ipeshkvijve të Belgjikës, Kardinali Jozef De Kesel, i cili do të kryesojë edhe kremtimin e funeralit të kardinalit të ndierë së bashku me Nuncin apostolik, ipeshkvijtë e Belgjikës, priftërinjtë dhe besimtarët e kryedioqezës e të mbarë vendit.

Telegrami i ngushëllimit të Papa Françeskut

Posa mori lajmin, Papa Françesku ka shpreh përmes një telegrami pikëllimin e tij për këtë humbje. "E mora lajmin  e vdekjes së Kardinalit Godfried Danneels, kryeipeshkvit të nderit të Malines-Bruksel - shkruan Papa - ju shpreh ngushëllimet e mia ju dhe familjes tuaj, ipeshkvijve të Belgjikës, klerit, rregulltarëve dhe të gjithë besimtarëve. Ky bari i zellshëm i ka shërbyer Kishës me përkushtim jo vetëm në dioqezën e tij, por edhe në nivelin kombëtar si president i Konferencës Ipeshkëvnore të Belgjikës, pavarësisht se ishte edhe anëtar i Dikastereve të ndryshme të Kishës romake. Kardinal Danneels mori pjesë aktive në Sinodet e ndryshme të ipeshkvijve, duke përfshirë ato të vitit 2014 dhe 2015 mbi familjen. Tani Zoti e thirri pranë vetes, në këtë kohë kreshmës, kohë pastrimi dhe rrugë drejt ringjalljes në Zotin. Prandaj, i lutëm Krishtit, fitimtarit mbi të keqen dhe mbi vdekjen, që ta pranojë në paqe dhe në gëzimin e tij në amshim. Në shenjë ngushëllimi, ju drejtoj Bekimin e veçantë Apostolik ju, të afërmve të Kardinalit të ndier, barinjve, besimtarëve dhe të gjithë atyre që do të marrin pjesë në kremtimin e funeralit".

14 mars 2019, 15:59