Kërko

2019-03-30-viaggio-apostolico-in-marocco-1554044191592.jpg

Mesha e Papës në Marok: dhurata pa interes, që na bën bij të dashur e të pritur të Zotit

Në homelinë e meshës së kremtuar në Rabat, Papa Françesku komentoi shëmbëlltyrën ungjillore të Djalit plangprishës, ikonë e mëshirës pa fund të Atit Qiellor. “Pasuria më e madhe e të krishterit është të marrë pjesë në këtë dashuri”, nënvizoi Bergoglio.

R.SH. - Vatikan

Pasdite, Papa Françesku kremtoi meshën me bashkësinë e vogël të krishterë të Marokut, vetëm 0,07% e një popullsie prej gati 35 milion banorësh, por mjaft aktive me dy kryedioqezat e saj, që varen drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. Papa shkoi për të kremtuar meshën në Kompleksin Sportiv kushtuar princit Moulay Abdellah, pas drekës me ipeshkvijtë, para së cilës bekoi  selinë e nunciaturës apostolike. Në homeli, komentoi Ungjillin e ditës, që flet për kthimin e djalit plangprishës. Vuri në dukje qëndrimin e atit, i cili e priti krahëhapur të birin, pavarësisht se ia kishte thyer zemrën duke u larguar nga shtëpia, përkundrejt qëndrimit të vëllait të madh, i pakënaqur që i ati bënte festë për të voglin, i cili s’kishte kontribuar aspak në mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë.

Misteri i humanitetit tonë

         “Në pragun e asaj porte – vërejti Papa – duket misteri i humanitetit tonë: nga njëra anë, kemi festën për birin e rigjetur e, nga ana tjetër, një lloj ndjenje tradhtie e indinjate se po festohej kthimi i plangprishësit. Nga njëra anë, mikpritja për atë që kishte provuar mjerimin dhe dhimbjen e, madje, kishte arritur të kutërbonte nga era e keqe e të dëshironte të ushqehej me ç’hanin derrat; nga ana tjetër, acarimi dhe zemërimi se po i jepej hapësirë dikujt, që nuk ishte i denjë e as e meritonte përqafimin e të atit”.

Dëshira e Atit Qiellor: të gjithë të marrin pjesë në gëzimin e Tij

         Është tensioni, që përjetojnë bashkësitë tona e, edhe ne vetë, nënvizoi Papa. Që nga Kaini e Abeli, pyesim veten kush ka të drejtë të ketë një vend mes nesh, në tryezën tonë, të marrë pjesë nëpër takime e të jetë i pranishëm në sheshe e qytete. Por, pikërisht “në pragun e asaj shtëpie – vijoi Ati i Shenjtë – do të shkëlqejë me gjithë qartësinë e saj, pa fjalë të kota e pa justifikime, që ia pakësojnë forcën, dëshira e Atit Qiellor: që të gjithë bijtë të marrin pjesë në gëzimin e Tij; që askush të mos jetojë në kushte çnjerëzore si djali më i vogël, as të mos mbetet jetim, në izolim e në trishtim, si djali i madh. Zemra e tij dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtojnë e të arrijnë në njohjen e së vërtetës (1 Tim 2,4)”.

Urrejtja, përçarja, hakmarrja, e vrasin shpirtin

         Sigurisht, janë të shumta rrethanat, që mund të ushqejnë përçarje e konflikte. Tundohemi gjithnjë të besojmë në urrejtjen e në hakmarrjen, si forma të ligjshme për ta fituar shpejt drejtësinë, vërejti Papa. “Por përvoja na thotë se urrejtja, përçarja, hakmarrja, s’bëjnë tjetër, veçse e vrasin shpirtin e njerëzve, e helmojnë shpresën e bijve tanë, e shkatërrojnë dhe e marrin me vete gjithçka duam fort”. Vetëm nëse jemi në gjendje të ngremë sytë drejt qiellit e të themi me shpirt “Ati ynë”, mund ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e jo si armiq.

Trashëgimia dhe pasuria më e madhe e të krishterit

         “‘Gjithçka është imja, është edhe jotja’ (Lk 15,31), i thotë ati djalit më të madh – vuri në dukje Papa Françesku gjatë meshës me bashkësinë katolike në Rabat. – E nuk flet vetëm për të mirat materiale, por për pjesëmarrjen në dashurinë e në dhembshurinë e tij. Kjo është trashëgimia dhe pasuria më e madhe e të krishterit. Sepse, në vend që të matemi apo të klasifikohemi mbi bazën e gjendjes morale, shoqërore, etnike e fetare, mund të pranojmë se ekziston një gjendje tjetër, që askush nuk mund ta zhdukë e as ta eliminojë, pasi është dhuratë e pastër: gjendja e bijve të dashur, të pritur e të festuar nga Ati”.

Papa falenderoi bashkësinë e krishterë në Marok

         Jemi bij të Zotit, theksoi Papa, e kjo nuk është çështje ligjesh e detyrash, por çështje besimi në atë “ardhtë Mbretërija jote”, me të cilën i lutemi Atit Qiellor. Duke pasur parasysh grigjën e vogël katolike në Marok, Ati i Shenjtë e falenderoi për dëshminë ungjillore, që jep përditë. “Ju inkurajoj e ju nxis – përfundoi homelinë e meshës Papa Françesku – të vazhdoni ta zhvilloni kulturën e mëshirës, një kulturë në të cilën askush nuk e sheh tjetrin me indiferencë e nuk i kthen sytë nga ana tjetër para vuajtjes së tij”.       

31 mars 2019, 17:10