Kërko

Maroku: flet shtëpia e moçme e Françeskanëve

Ndërsa vizita e Papës në Marok i afrohet fundit, një nga ngjarjet anësore, që nënvizon rëndësinë e saj, është edhe ekspozita e organizuar në Rabat, nga françeskanët e vendit, për të kujtuar 800-vjetorin e pranisë së tyre në këto troje.

R. SH. - Vatikan

Vit i shënuar 1219-ta për Françeskun e fretërit e tij. I Vobegti i Asizit i printe, askohe, një bashkësie tashmë të mirëorganizuar, që vijonte të përhapej në të katër anët. Bashkësi gjithnjë në dalje - do të thoshte Papa Françesku - i cili zgjodhi pikërisht emrin e Varfanjakut - gjithnjë në kërkim të viseve të reja jo të krishtera, për t’u çuar Krishtin, atyre që nuk kishin dëgjuar kurrë të flitej për Të. Në një kohë kur vijonte Kryqëzata, që prej dy vjetësh e lante në gjak Tokën Shenjte e veriu i Afrikës shndërrohej në gërmadhë nga luftërat e pandërprera. Prandaj Françesku i Asizit vendosi të  kalojë Mesdheun e të arrijë atje ku fliste shpata, në Damieta, për t’i mësuar njerëzit të flasin me gjuhën e paqes. Pikërisht në Damieta do të zhvillohej takimi i famshëm i Asizianit me Sulltanin Al-Malik Al Kamel, në frontin saraçen. Takim që vërtet nuk do të vendoste mbi fatet e ndeshjes, por do të luante një rol të dorës së parë mbi mënyrën e kuptimit të dialogut me Islamin dhe të ndikimit të tij mbi luftën e paqen!

Pesë martirët e parë  françeskanë

Histori pak e njohur, por jo pak prekëse, ajo e Martirëve të parë françeskanë, që ndodhi në të njëjtin vit, 1219. Kishin shkelur në trojet e  Marokut, për të predikuar Fjalën e Krishtit. Pa ditur gjuhën, pa e njohur vendin e pa asnjë dijeni mbi zakonet e tij, nisën t’u flasin vendasve me gjuhën e vet, me tërë zjarrin e zemrës, aq sa të tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Emri i Krishtit jehoi, për herë të parë, përmes predikimeve të tyre, duke tundur sheshet pa u trembur fare nga kërcënimet, që nuk vonuan.  Epilogu i këtyre njerëzve të padëshirueshëm, natyrisht - e për fat të bardhë - ndryshon plotësisht nga ai i Françeskut, që e predikoi sot Krishtin në të njëtat troje: 1219-2019! Ndryshojnë kohët, ndryshojnë njerëzit, ndryshojnë sjelljet. Po jo fjalët. Si Shën Françesku asokohe,   Papa Françesku sot - i tregoi qartë botës mbarë se martirizimi mund të shndërrohet në vëllazërim!

Nga viti 1220 – në vitin 2019

Jemi në  vitin 2019. Ndërsa Ekspozita e fretërve na çon në vitin e largët 1220. Kur u martirizuan fretërit e parë. Emrat e tyre tani mund t’i lexoni në kalendarin e Kishës katolike, në radhë me shenjtorët, që i përkujtojmë çdo ditë. Quhen - jo quheshin - Daniel, Berardo, Ottone, Pietro, Accursio e Adiuto. Të gjithë e përfunduan jetën me kokë të prerë. Duke mbetur të gjallë në breznitë e fretërve, që do të vinin. Madje emrin e njërit prej tyre e pati zgjedhur një françeskan shqiptar, Atë Daniel Gjeçaj…

Historia e dhimbshme, tharm për të sotmen

Ishte histori e dhimbshme e tyrja, por që u bë tharm për të sotmen e vijim i një trashëgimie në gjurmët e Krishtit. Sepse pa gjakun e tyre, që vaditi një bimë të panjohur në trojet të huaja, mbase Papa nuk do të ishte këto ditë në Marok. E sepse qenë bima a parë e Kishës, që së shpejti do të çelte lule. Pikërish këto "lule", mund të soditen sot në ekspozitën e hapur me rastin e vizitës së Françeskut nga françeskanët, për të kujtuar se e si, Udha e Kalvarit mund të shndërrohet në udhë të dialogut, të paqes e të mirave!

31 mars 2019, 16:38