Kërko

Vatican News
 Maria, Gruaja që tha "po"! Maria, Gruaja që tha "po"! 

Leksiku papnor-reflektim mbi fjalët e Françeskut. Sot, “T’i thuash Zotit ‘po’”!

Nga fjalët tipike për fjalorin papnor, sot zgjodhëm shprehjen-ftesë: “T’i thuash Zotit ‘po’”!

R. SH. - Vatikan

Kjo, ftesa që e gjejmë dendur në fjalorin e Papës. E që Ati i Shenjtë na e përsërit: “Zoti të thërret! Të thërret të ecësh në një udhë, të cilën ndoshta nuk e ke menduar kurrë… Të thërret të nisesh me nxitim. Pret t’i thuash ‘po’”. Të marrësh guximin për ta rrokur jetën, ashtu si vjen, me gjithë brishtësitë, vogëlsitë e shpesh, me një barrë të rëndë kundërshtish. Madje edhe pa farë kuptimi! Të “pohosh”, do të thotë ta rrokësh atdheun tënd, familjen, miqtë, ashtu si janë, edhe me ligështitë e mungesat, që ty ndoshta në fillim mund edhe të të neverisin. T’i përgjigjesh “po’ Zotit, do të thotë ta rrokësh jetën, edhe kur nuk është aspak e përkryer, ashtu si e pate ëndërruar. Ndonëse jo më pak e denjë për t’u dashur.

Thua ndokush, nuk është i denjë për t’u dashur vetëm pse i huaj? Nuk është i denjë për t’u dashur, vetëm pse lindi me kufizime a me trazira të tjera? Pse është i sëmurë, a në burg, nuk qenka i denjë për dashuri?

T’i gjegjesh “po” Zotit  do të thotë, t’i kujtosh e t’i duash të gjithë! sidomos, Jezusin! Në Të e gjejmë atë “po”, thënë me plot gojën, që na mundon, sepse lidhet me kuptimin e jetës sonë… Jezusi e përqafoi të gërbulurin, të verbërin e të gjymtin, farizeun e mëkatarin. Madje përqafoi edhe hajdutin, pranë të cilit po kryqëzohej. E  arriti deri atje,  sa t’i falte edhe ata, që po e gozhdonin mbi kryq. Po ti, a mund ta bësh këtë? A mund të thuash “po”?

Po pse duhet ta shqiptosh këtë “po”? Sepse vetëm kush do me gjithë zemër, mund të shëlbohet. Kush përqafon, mund të shndërrohet. Dashuria e Zotit është shumë më e madhe se të gjitha kontradikat, brishtësitë, ligështitë, meskinitetet tona. Ndonse pikërisht përmes kontradiktave, brishtësive, ligështive e meskiniteteve tona, Ai dëshiron ta shkruajë këtë histori dashurie. Përqafoi djalin plangprishës, rroku Pjetrin, pas tre mohimeve… Ai na përqafon! Gjithnjë, gjithnjë, pas rrëzimeve tona, duke na ndihmuar të ngrihemi përsëri në këmbë. Sepse rrëzimi i vërtetë, që mund të na e rrënojë jetën, është të mbetesh përdhe e të mos e shtrëngosh dorën e  Zotit që shtrihet drejt teje. Për të të ngritur përsëri në këmbë!

“Po”, fjalë njërrokëshe, që ndryn vetë misterin e jetës - e të përjetësisë!

09 mars 2019, 14:26