Cerca

Vatican News
Ushtrimet shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake Ushtrimet shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake  (Vatican Media)

Abati i Shën Miniatit: t’i kthejmë qytetet në simbole paqeje, vëllazërimi e mikpritjeje

Ëndrra e Giorgio La Pira-s, në meditimin e sotëm të abatit të Shën Miniatit për Papën dhe kardinajtë e Kuries Romake, mbledhur në Ariccia për ushtrimet shpirtërore: çdo qytet zbuloftë thirrjen universale për të qenë pasqyrë e Jeruzalemit qiellor në tokë.

R.SH. - Vatikan

Që nga dita e djeshme, Papa Françesku dhe kardinajtë e Kuries Romake ndodhen në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, që do të përfundojnë të premten, më 15 mars. Dy meditimet e ditës – njëri paradite e tjetri pasdite – mbahen nga abati olivetan fiorentin i Shën Miniatit mbi Mal, Bernardo Francesco Maria Gianni, i cili reflekton mbi një poezi të Mario Luzi-t, kushtuar abacisë së Shën Miniatit, por që ka në qendër humanizmin e krishterë, ashtu siç e shihte Giorgio La Pira, politikan italian, për të cilin është hapur procesi i lumnimit. Vërtet, duke iu referuar kësaj poezie, të cilën mund ta gjeni në faqen tonë të internetit, tema e sivjetme e ushtrimeve shpirtërore është “Qyteti i dëshirave të zjarrta. Për vështrime e gjeste Pashkësh në jetën e botës”.

Giorgio La Pira

         Sot, abati përmendi kryetarin e dikurshëm të bashkisë së Firences, Giorgo La Pira-n, njeri i paqes, që ëndërronte e dëshironte me gjithë shpirt një qytet-simbol bukurie, vëllazërie, mikpritjeje universale dhe dashurie të krishterë, sipas modelit të Jeruzalemit qiellor, përshkruar nga Isaia profet në kapitullin e 60-të të Librit të tij.

         “Papa – nënvizoi abati - na e kujtoi këtë në atë mesazh të bukur, shkruar për përvjetorin e Akademisë Papnore të Jetës, kur na tha se bashkësia njerëzore është ëndrra e Zotit, që para krijimit të botës: ‘bashkësia njerëzore është ëndrra e Hyjit’! Gati mund të themi se Giorgio la Pira ëndërroi ëndrrën e Zotit. E s’është lojë fjalësh, sepse në këtë ëndërr, në këtë pasion të tij, shpesh keqkuptuar nga njerëzit e Kishës së asaj kohe, si edhe nga sektorë të gjerë të bashkëqytetarëve, gjejmë vërtet një perceptim tejet të lartë të misterit, që banon në çdo qytet”.

Hapësira pajtimi e takimi

Një plan, i cili si dje, ashtu edhe sot, nuk është menduar vetëm për Firencen, por për të gjitha qytetet e botës, kuptuar si “hapësira pajtimi, paqeje, takimi”, që reagojnë ndaj një bote, dënuar shpesh të përjetojë dëshpërimin e errësirës, e cila duket e pamposhtur. Abati i Shën Miniatit foli edhe për atë mister universal, që e bën çdo qytet të rizbulojë thirrjen e vet të vërtetë: të jetë pasqyrim i Jeruzalemit qiellor në tokë, vend njerëzish të bashkuar, frymëzuar nga dëshira të zjarrta e nga shpresa të mëdha. Siç shkruante La Pira, është e rëndësishme të rishikohen themelet e qytetit e të përtërihet ai nga baza deri tek krerët, në mënyrë që t’i shërbejë së mirës së vërtetë të njerëzve e të strukturave politike, teknike dhe ekonomike.

“Ky është vështrimi i fesë, vështrim kundrues… Është plani, që synon të zbatojë gjatë kësaj historie të re të shenjtë, historinë e Krishtit në botë, duke u përpjekur, pavarësisht nga kundërshtitë, të pasqyrojë në qytetin e njeriut, harmonitë, bukuritë, shkëlqimet e qytetit të Zotit: …ardhtë Mbretëria jote, si në qiell, ashtu në tokë”.

Veprimi i Kishës

         Duke vijuar komentin e shkrimeve të Giorgio La Pira-s dhe të poetit Mario Luzi, që e interpreton poetikisht këtë ëndërr të jashtëzakonshme, murgu olivetan kërkoi që në këtë plan shndërrimi të qytetit, Kisha të luajë rol të dorës së parë.

         “Nuk mund të tolerojmë që përpjekja e Zotit të shkojë kot. Si Kishë, duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa hezitim, që kjo përpjekje e Hyjit të zbatohet pa rezerva, pa asnjë rezistencë, sidomos nga ana jonë… Është ‘ëndërr’ e realizuar mrekullisht mirë gjatë shekujve të kaluar; është ‘ëndërr’, që do të realizohet mrekullisht mirë edhe gjatë shekujve të ardhshëm. Është vështrimi i shpresës, rrënjosur në fenë trinitare. E kuptohet kjo; sepse projekti është po ai; i njëjtë është modeli, plani i ideuar nga Shpirti Shenjt jo për të mbetur ideal, i largët e i pafrytshëm për jetën tokësore të njerëzve, përkundrazi, për të vepruar në të si tharm shndërrues”.

Dëshmi, kthim kah Zoti, vështrim ungjillor

         Abati i Shën Miniatit bëri thirrje për dëshminë, që lind nga ajo flakë e Shpirtit Shenjt, e cila i vë fre “zjarrit shkatërrimtar të botës”. Dëshmia duhet të jetë gjest konkret besimi në Zotin, dialog dashurie, që i kthen çdo qyteti misionin e tij universal: “asnjë shkatërrim, asnjë luftë, por vetëm uratë, përparim, bukuri, punë, paqe!”, siç shkruante La Pira. Qytet organik, që jeton falë kontributit të të gjithëve, nga punëtori i thjeshtë deri tek kryebashkiaku, tek ipeshkvi, meshtarët e artizanët. Perspektivë, që kërkon vështrim kundrues ungjillor mbi kontradiktat, brishtësitë, padrejtësitë, që karakterizojnë çdo qytet, për të zbuluar Zotin, i cili banon në shtëpitë, rrugët e sheshet e tij.

11 mars 2019, 14:47