Kërko

Vatican News
Fëmijët ushtarë Fëmijët ushtarë  (AFP or licensors)

Tweet i Papës: të ndalim krimin e neveritshëm të fëmijëve ushtarë

Sot është Dita Ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve ushtarë. Megjithëse luftohet në nivel ndërkombëtar, ky fenomen është mjaft i përhapur në çdo konflikt të planetit.

R.SH. - Vatikan

“Mijëra fëmijëve, që detyrohen të luftojnë në konfliktet me armë, u vidhet fëmijëria. Ta ndalim këtë krim të nëveritshëm”. Ky, tweet-i i Papës Françesku për Ditën Ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve ushtarë, kremtuar sot nga OKB-ja. Fenomeni, quajtur nga Papa “tragjedi” e “skllavëri”, është akoma mjaft i pranishëm në shumicën e vendeve në luftë, megjithëse janë shtuar ndërhyrjet ndërkombëtare për ta zhdukur këtë plagë.

Protokolli i Kombeve të Bashkuara

         Në Protokollin e Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve, nënshkruar në vitin 2000 nga 153 vende, lexohet se shtetet “marrin çdo masë të mundshme për të vigjëluar që anëtarët e forcave të tyre të armatosura me moshë nën 18 vjeç të mos marrin pjesë drejtpërdrejt në luftë”, ndërsa “grupet, që nuk bëjnë pjesë në forcat e armatosura të një shteti, nuk duhet, në asnjë rrethanë, të rekrutojnë e të përdorin në luftime, efektiva me moshë më të vogël se 18 vjeç”.

Përfshihen edhe vajza

         Fatkeqësisht, fëmijët ushtarë përdoren për qëllime të ndryshme. Mund të jenë luftëtarë me armë në dorë, por edhe kuzhinierë, lajmëtarë, bëjnë punë të ndryshme e madje, përdoren edhe vajzat, për qëllime seksuale e martesa me zor. Gjendjet më të vështira vërehen në Jemen, në Sudanin e Jugut dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Sipas Unicefit, në Sudanin e Jugut, të miturit e përdorur si ushtarë janë më se 19 mijë. Gjithashtu, fëmijët ushtarë përdoren në Nigerinë e Veriut, ku Unicefi ka arritur të lirojë 833 prej tyre, por akoma rekrutohen në Afganistan, Siri, Liberi, në Bregun e Fildishtë e, edhe në vende të tjera.

Krim lufte

         Gjykata Penale Ndërkombëtare e konsideron rekrutimin e fëmijëve nën 15 vjeç, krim lufte, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës e quan një nga format më të tmerrshme të punës së të miturve. Sot, OKB-ja ka në dorë statistikat e fenomenit, por u kërkon shteteve të bëjnë më shumë për parandalimin e tij, për çmobilizimin e fëmijëve ushtarë ekzistues, duke dhënë mbështetje për zgjidhjen e problemeve, që shpesh, i detyrojnë fëmijët të marrin në dorë armët.

12 shkurt 2019, 16:21