Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’i ndajmë pasuritë tona, jo t’i bëjmë idhuj!

Papa Françesku, para lutjes mariane, komentoi Ungjillin e Lumnive, sipas Shën Lukës: fe do të thotë t’i besosh plotësisht Zotit, duke i shembur idhujt e botës. Lumturi është të jesh me Zotin, pranë të varfërve, jo të ndjekësh pas “profesionistët e shpresave të kota”.

R. SH. - Vatikan

“Të kemi fe, t’i rrëzojmë idhujt e botës e t’ia hapim zemrën Zotit të gjallë e të vërtetë. Nëse kemi pasuri, gëzimi i vërtetë nuk është t’i bësh idhuj, për t’ua shitur, pastaj, edhe shpirtin. Gëzimin e vërtetë e gjejmë kur jemi të aftë t’i ndajmë me vëllezërit tanë”. Papa Françesku e komentoi kështu Ungjillin e kësaj së dieleje, para lutjes së Engjëllit, kremtuar me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë, që të kujtonte hapat e para të pranverës. Lumnitë, në variantin e Shën Lukës, kanë katër qortime, katër “mjerë ju”, drejtuar atyre, që janë të pasur,  të ngopur, të gëzuar, të duartrokitur nga njerëzit - kujtoi.

Mjerë ju, të pasur, zgjohuni nga gjumi i egoizmit

Fjalë të forta, që të skaliten në zemër - shpjegoi Papa - me të cilat Jezusi “na mëson t’i shqyrtojmë situatat me fe”. Zoti  është pranë atyre, që vuajnë e ndërhyn për t’i çliruar nga skllavëritë. “Vaj medet për ju!”- drejtuar të gjithë atyre, që sot ia kalojnë si s’ka më mirë, shërben për t’i zgjuar nga mashtrimi i egoizmit e për t’i ftuar ta hapin zemrën për logjikën e dashurisë, sa s’është vonë. Eshtë një Ungjill - kujtoi Françesku - që na fton  të reflektojmë për të kuptuar ç’do të thotë të kesh fe. E të kesh fe, do të thotë t’i besosh plotësisht Zotit:

“Bëhet fjalë për t’i shembur idhujt e botës e për t’ia hapur zemrën Zotit  të gjallë e të vërtetë; vetëm Ai mund t’i japë jetës sonë përsosurinë e dëshiruar, aq të vështirë për t’u arritur”.

Më pas, thirrja e Papës:

“Vëllezër e motra, janë të shumtë, edhe në ditët tona, ata që shiten si shpërndarës të lumturisë. Të ndjekin pas e të premtojnë suksese të menjëhershme; fitime të mëdha, pa djersë; zgjidhje magjike të të gjitha problemeve, e kështu me  radhë. E këtu është shumë e lehtë të shkasësh, pa u kujtuar fare, në mëkatin kundër Urdhërimit të parë të Tënzot: në idhujtari! Ta zëvendësosh Zotin me një idhull. Idhujtaria e idhujt duken fjalë të shkuara e të harruara, por në të vërtetë, sillen e përsillen në të gjitha kohët, edhe sot!”.

Jemi të lum që në tokë, nëse radhitemi përkrah Zotit

Jezusi - vijoi Papa - na i hap sytë, për të parë realitetin. Bëhemi të lumtur që këtu, mbi tokë, në atë masë, që vihemi përkrah Zotit e Mbretërisë së Tij, përkrah asaj, që nuk është kalimtare, por zgjat për amshim:

“Jemi të lum, po të pranojmë se jemi nevojtarë para Zotit e gjithnjë pranë të varfërve e të uriturve, si Ai e me Të. Bëhemi të aftë për ta ndjerë gëzimin, sa herë që, duke pasë të mirat e kësaj bote, nuk i bëjmë idhuj, për t’ua shitur, pastaj edhe shpirtin, por i ndajmë plot gëzim me vëllezërit”.

Nuk duhet ta kërkojmë lumturinë, duke ndjekur shitësit e tymit

E për këtë na fton liturgjia e sotme- kujtoi Françeseku -  për t’i bërë tonat lumnitë:

“Lumnitë e Jezusit janë mesazh vendimtar, që na fton të mos i mbështesim shpresat mbi sendet materiale e kalimtare, të mos e kërkojmë lumturinë duke ndjekur pas shitësit e tymit, që shpesh janë edhe shitës të vdekjes, e  profesionistët e iluzioneve”.

Lumturi, që nuk të zhgënjen, është vetëm ajo e Zotit

Kështu - përfundoi Papa - Zoti na ndihmon t’i hapim mirë sytë, të shërohemi nga miopia kronike, sëmundje, që na ngjitet nga shpirti i botës. Me fjalën e Tij paradoksale, “na shkund e na bën ta njohim atë, që të pasunon me të vërtetë, që ta shuan urinë e etjen, të jep gëzim e dinjitet. Thënë me dy fjalë, t’i jep kuptim të vërtetë gjithë jetës”

“Virgjëra Mari na ndihmoftë të bëhemi dëshmitarë të lumturisë, që nuk të zhgënjem: asaj të Zotit”.

17 shkurt 2019, 15:56