Kërko

 Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tnzot Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tnzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: dishepujt e Krishtit, njerëz që ndjekin logjikën e fesë

Të krishterët duhet të jenë ‘profetë’ në mesin e botës, njerëz guximtarë, që u kumtojnë shpresën të përjashtuarve e ndjekin logjikën e Jezusit. Kështu u shpreh Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot. Më pas, thirrja për Jemenin dhe përshëndetja të rinjve të ACR (Veprimit Katolik), luftëtarë për paqen.

R. SH. - Vatikan

Çudinë e banorëve të Nazaretit, kur shikojnë sesi njëri prej tyre, i biri i Jozefit, paraqitet si Krishti, i dërguari i Atit, mbi të cilin pushon Shpirti i Zotit. Këtë rrëfen fragmenti i sotëm ungjillor, në vijim të atij të së dielës së kaluar. Këta njerëz duan të shikojnë, pa të besojnë. E Papa komenton:

“Mendojnë se, mbasi Krishti është njëri prej tyre, duhet ta dëshmojë këtë ‘pretendim’ të çuditshëm, duke bërë mrekulli aty, në Nazaret, ashtu si bëri bërë në vendet fqinje. Po Jezusi nuk  e do e as nuk e pranon këtë logjikë, sepse nuk përkon me planin e Zotit: Zoti do fenë, ata, mrekullitë, shenjat; Zoti dëshiron t’i shpëtojë të gjithë, ata duan një Mesi, që mbron vetëm interesat e tyre”.

Refuzimi, në fillimet e misionit

Bashkëvendasit nuk e pranojnë ftesën e Jezusit “për t’ia hapur zemrat universalitetit të shëlbimit, që u dhurohet”. Madje tërbohen aq, sa duan ta dëbojnë Jezusin nga qyteti. Refuzimi e kërcënimet me vdekje janë fillesa  e misionit të Zotit:

“Krishti, duke e jetuar misionin e besuar nga Ati, e di mirë se duhet të përballojë lodhje, mospranim, persekutim e disfatë. Haraç, ky që, si dje, ashtu edhe sot, duhet ta paguajë profecia e vërtetë. Por refuzimi i egër nuk e tremb Jezusin, as nuk ia pret rrugën fekonditetit të veprimit të tij profetik”.

Dishepujt e Jezusit, njerëz guximtarë e këmbëngulës

Edhe bota e sotme - theksoi Françesku - ka nevojë për të krishterë guximtarë, që jetojnë si dishepujt e Krishtit:

“Njerëz, që ndjekin ‘shtytjen’ e Shpirtit Shenjt, i cili i nis t’ua kumtojnë shpresën e shëlbimin të varfërve e të përjashtuarve: njerëz, që ndjekin logjikën e fesë e jo të mrekullizmit; njerëz, që i kushtohen shërbimit të të gjithëve, pa privilegje e përjashtime”.

Pas lutjes, thirrja për Jemenin dhe për mbrojtjen e jetës

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, gjëja e parë që kujtoi Papa, ishte kriza humanitare në Jemen. Më pas, edhe Dita kushtuar jetës, kremtuar sot në Itali, me temë: “Është jetë, është ardhmëri!”. E Papa pohoi:

“Bëhet gjithnjë më i nevojshëm angazhimi konkret për të favorizuar lindjet, që përfshin institucionet dhe realitetet e ndryshme kulturore e shoqërore, duke e pranuar familjen si prehër ku lind, përkundet e rritet vetë shoqëria”.

Pastaj, urimi drejtuar popullsive të Lindjes së largët dhe viseve të ndryshme të botës, që e  kremtojnë sot Vitin e Ri hënor.

E akoma, përshëndetja e përzemërt drejtuar të rinjve e të rejave të Veprimit Katolik të Dioqezës së Romës, në përfundim të “Karvanit të Paqes”, për hapjen e kremtimeve të 150-vjetorit të themelimit të ACR (Veprimit Katolik të të Rinjve). Papa u uroi “të jenë gjithnjë dëshmitarë të gëzueshëm të paqes e të vëllazërimit”.

E, në përfundim të leximit të mesazhit të tyre nga një vajzë, qielli ngjyrë hiri i kësaj së dieleje, ngarkuar me re, u mbush paprimtas me një mori ngjyrash: të rinjtë lëshuan qindra tullumbace, “simbol - tha Papa - i lutjeve tona për paqen në botë”

Nisja për Abu Dabi

Së fundi, kujtimi i shtegtimit në Emiratet Arabe,  që do të niste pas pak:

“Pas më pak se një orë, do të nisem për një shtegtim të shkurtër, por të rëndësishëm në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ju lutem, më shoqëroni me uratët tuaja!”.

03 shkurt 2019, 14:47