Cerca

Vatican News

Papa Françesku: Jezusi na ndihmon të dalim në detin e hapur të njerëzimit

Para lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi për Ungjillin e sotëm, sipas Lukës dhe i ftoi të gjithë të vihen bujarisht në shërbim të Jezusit, duke çarë detet e ngarkuara me të papritura.

R. SH. - Vatikan

Papa u duk, si zakonisht, në dritaren e studios së tij të Pallatit Apostolik e besimtarëve të mbledhur në Shesh, u propozoi thirrjen e Shën Pjetrit, sipas Ungjillit të Shën Lukës.

Peshkimi i mrekullueshëm

Emri i atij që do të bëhej kryeapostull - e dimë - ishte Simon. E ishte peshkatar. Jezusi e shikon në brigjet e Liqenit të Galilesë, duke ndrequr rrjetat, bashkë me peshkatarët e tjerë. E shikon të lodhur, të këputur, të zhgënjyer, sepse kishte peshkuar gjithë natën e lume, pa zënë asnjë peshk! Dhe e çudit, me një gjest krejt të papritur: ngjitet mbi barkë e i kërkon të largohet pakëz prej toke, sepse dëshiron t’u flasë njerëzve nga bregdeti. Ishte një turmë e madhe njerëzish - kujtoi Papa - Kështu i biri i Zotit ulet mbi barkën e Simonit e nis ta mësojë turmën e mbledhur në breg. E si kryen mësimin, e çudit rishtas Pjetrin, duke i kërkuar të dalë përsëri në det të hapur e t’i hedhë rishtas rrjetat”.

Përgjigjja e parë e Pjetrit, është një vërejtje: “Mësues, u lodhëm e u këputëm gjithë natën e nuk zumë gjë…”. Të duket sikur peshkatari  dëshiron të shtojë: “Nëse nuk zumë gjë natën, aq më pak do të mund të zëmë ditën”. Po nuk i shton këto fjalë. Përkundrazi, i frymëzuar nga prania e Krishtit e i shndritur nga Fjala e Tij, thotë: “… e po, sipas Fjalës sate, po i hedh, pra, sërisht rrjetat”.

Përgjigjja e fesë, që  edhe ne duhet ta japim

Ja, kjo është përgjigjja e fesë, që edhe ne jemi të thirrur ta japim - vërejti Papa. - Kjo është sjellje, që flet për gatishmëri. Atë gatishmëri, që kërkon Zoti nga të gjithë dishepujt e Tij, posaçërisht kur kanë detyra me përgjegjësi në Kishë - theksoi:

“Bindja plot besim e Pjetrit, ka pas edhe rezultatin e mrekullueshëm: ‘Bënë si u tha Zoti  e zunë një sasi të stërmadhe peshqish'”.

Peshkimi i mrekullueshëm, shenjë e pushtetit të Fjalës së Zotit

Ndodh, kështu, peshkimi i mrekullueshën, shenjë e pushtetit të Fjalës së Jezusit:

“Kur vihemi bujarisht në shërbim të Tij, Ai bën në ne punë të mëdha. Kështu vepron edhe me secilin prej nesh: na kërkon ta pranojmë në barkën tonë, për t’u rinisur me Të e për të çarë një det të ri, përplot me të papritura. Ftesa e Tij për të dalë në detin e hapur të njerëzimit të kohës, për të qenë dëshmitarë të mirësisë e të mëshirës, i jep kuptim  të ri jetës sonë, që rrezikohet shpesh të mbyllet brenda vetes”.

Nganjëherë mund të rrish i çuditur përballë ftesës, që të drejton Mësuesi Hyjnor, e të tundohesh të mos e pranosh, sepse të duket vetja i paaftë për një detyrë kaq të vështirë. Edhe Pjetri, pas këtij peshkimi të pabesueshëm, i thotë Jezusit: “Zot, largoju nga unë, se jam mëkatar!”. “E bukur, kjo lutje - shtoi Papa, duke folur lirisht - Por nuk duhet harruar se Pjetri e thotë në gjunjë para atij, të cilin e njeh prej kohe si Zot. E Jezusi e inkurajon, duke i thënë:

“Mos kij frikë; tash e mbrapa do të jesh peshkatar njerëzish!  Sepse Zoti, po të besojmë në të, na çliron nga mëkati ynë e na hap para një horizont të ri, të pamasë, për misionin e Tij”.

Mrekullia më e madhe e Jezusit

Mrekullia më e madhe, që bëri Jezusi për Simonin dhe peshkatarët e tjerë të zhgënjyer, të lodhur e të këputur, nuk ishte aq rrjeta plot me peshq - kujtoi Ipeshkvi i Romës - sa  ndihma që u dha për të mos rënë viktima të zhgënjimit e për të mos i lëshuar zemra, përballë disfatave.  Për të dalë në det të hapur të botës, si kumtarë e dëshmitarë të Fjalës së Tij e të mbretërisë së Zotit!

“E përgjigjja e dishepujve ishte e menjëhershme dhe e plotë: 'Si i tërhoqën barkat në breg, lanë gjithçka dhe e ndoqën pas'”.

10 shkurt 2019, 14:04