Papa në avion: në Emiratet bie shi, shenjë bekimi
R. SH. - Vatikan
Dje në mëngjes në Emiratet Arabe binte shi, gjë e rrallë për këto vise që, prandaj, shikohet si shenjë pozitive: “Shpresojmë se gjithçka do të shkojë kështu”, tha Françesku, në fluturimin drejt Abu Dabit, duke i përshëndetur gazetarët, që e shoqërojnë në këtë shtegtim. Bisedës i priu drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, që iu drejtua Papës me fjalët. “Atë i Shenjtë, më duket si të ishim kthyer dje nga Panamaja. Atje, ndërmjet shumë manifesteve, më mbeti në mendje njëri, me mbishkrimin; ‘Bienvenido Papà Francisco, hombre de Paz’. Me këtë frymë, besoj, po ju presin edhe Emiratet Arabe, si njeri i paqes, që shkel në këto vise për të fuqizuar dialogun”.
Së pari, Papa i falënderoi gazetarët për praninë e tyre e më pas shtoi: “Sot në mëngjes më lajmëruan se në Abu Dabi po bie shi e shiu në këtë vend shikohet si shenjë bekimi. Shpresoj se gjithçka do të shkojë kështu!”.
Pastaj Françesku vijoi; “Ju solla një ikonë, realizuar në manastirin e Bose, kopjen e saj, që ta çoni në shtëpi. Trajton temën e dialogut ndërmjet të rinjve e të moshuarve. E kam shumë për zemër këtë temë e besoj se është sfidë”.
Ikona, që ua shpërndau gazetarëve prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, paraqet një murg të ri, që mban mbi shpinë një murg tjetër, të moshuar.
Gjatë përshëndetjeve të zakonshme personale me gazetarët, Papës i dhuruan ëmbëlsira, përgatitur nga murgeshat, që asistojnë të sëmurët e varfër. E pastaj dikush i tregoi historinë e një mjeku të Emirateve, që ka studuar në Itali e që këto javë, me rastin e shtegtimit e si shprehje nderimi për Françeskun, vendosi të operojë falas njëqind fëmijë, viktima të luftës në Jemen.