Kërko

Papa Françesku: përballë misterit të së keqes, të mbrohen të miturit nga ujqërit e uritur!

Në Sallën Regia, në Vatikan, pas Meshës Shenjte, Françesku shqiptoi fjalimin përfundimtar të takimit mbi “Mbrojtjen e të miturve në Kishë”. Papa i dënoi ashpër “krimet e shëmtuara” mbi miliona fëmijë në botë, forma abuzimi dhe shfrytëzimi, pas të cilave fshihet “dora e së keqes”, “që nuk e kursen as pafajninë e të miturve”.

Edhe “një rast i vetëm abuzimi” në Kishë, është i përbindshëm e duhet përballuar me seriozitetin më të madh: britma e heshtur e të vegjëlve, që në “të pandershmit e shuguruar”, panë xhelatët e tyre, duhet t’i bëjë të dridhen zemrat e anestetizuara nga hipokrizia e nga etja për pushtet.  Takimi për mbrojtjen e të miturve në Kishë, që vijoi nga 21 deri më 24 shkurt me pjesëmarrjen e kardinajve, kryeipshkvijve, ipeshkvijve, eprorëve rregulltarë e drejtuesve të tjerë, ardhur nga mbarë bota, për të prekur plagën e abuzimeve, përfundoi me fjalimin e Papës Françesku. Pas Meshës, Papa mori fjalën dhe e analizoi hollësisht këtë fenomen “të turpshëm”,  për fat të keq, tejet të përhapur historikisht në të gjitha kulturat e shoqëritë: “Një problem, që në të kaluarën konsiderohej tabù” e që akoma sot, në statistikat e mundshme për t’u shfrytëzuar, nuk pasqyrohet vërtetësisht. Shumë raste të shpërdorimit të të miturve nuk denoncohen. Në mënyrë të veçantë, rastet e panumërta, që kryhen në mjediset e familjare:

“Ja pra, pse në Kishë aktualisht u thellua vetëdija e detyrës  jo vetëm për t’i zbuluar e për t’i frenuar abuzimet e rënda me masa disiplinore dhe me procese civile e kanonike, por edhe për ta përballuar me vendosmëri fenomenin, si brenda, ashtu edhe jashtë Kishës. Kisha është e thirrur ta luftojë këtë të keqe , që prek zemrën e misionit të saj: t’u kumtojë Ungjillin të vegjëlve e t’i ruajë nga ujqërit e pangopur!”.

Zemërimi i Zotit të tradhtuar e të  shuplakuar   

Natyra çnjerëzore e fenomenit, “universal e transversal”, bëhet akoma më e rëndë e më shkandulluese në Kishë, sepse është krejtësisht në kundërshtim me autoritetin e saj moral dhe besueshmërinë e saj etike. Me këtë sy duhet ta shikojë Nusja e Krishtit pasqyrimin e fenomenit në zemërimin e justifikuar të njerëzve e, sidomos, zemërimin e Zotit të tradhtuar e të shuplakuar nga këta të shuguruar të pandershëm- theksoi Papa.

Mjet, në dorë të shejtanit!

“I shuguruari, i zgjedhur nga Zoti për t’u prirë shpirtrave drejt shëlbimit, e lë veten të sundohet nga brishtësia njerëzore, ose nga sëmundja e tij, duke u bërë kështu, mjet në dorë të shejtanit”. Në abuzimet - theksoi Papa - ne shikojmë dorën e së keqes, që nuk e kursen as pafajninë e të miturve!

Të çrrënjoset ky brutalitet

Papa u kujton të gjithëve se e vetmja mënyrë për të fituar mbi shpirtin e së keqes, është përulja, padia e vetvetes, lutja e pendesa, sipas shembullit të Krishtit. Prandaj objektivi i Kishës do të jetë “t’i dëgjojë, t’i ruajë, t’i mbrojë e t’i mjekojë të miturit e abuzuar, të shfrytëzuar, të harruar, kudo që të jenë". E, për t’ia arritur këtij qëllimi - vijoi Papa - duhet të ngrihemi mbi të gjitha polemikat ideologjike, politike e gazetareske, që shpesh i manipulojnë, për interesa të ndryshme, vetë dramat e jetuara nga të vegjlit:

“Ka ardhur ora të bashkëpunojmë për ta çrrënjosur këtë brutalitet, duke i marrë të gjitha masat e nevojshme në fuqi, në nivel ndërkombëtar e kishtar”.

Shpërdorimi i të miturve, shpërdorim pushteti

“Vështirë të kuptohet fenomeni i shpërdorimeve seksuale mbi të miturit,  pa menduar për pushtetin, sepse është gjithnjë pasojë e shpërdorimit të pushtetit, e shfrytëzimit të pozitës inferiore të të pambrojturit të shpërdoruar, që krijon mundësinë e manipulimit të ndërgjegjes e të brishtësisë së tij psikologjike dhe fizike”.

Shpërdorimi i pushtetit - shtoi Françesku - është i pranishëm edhe në forma të tjera të abuzimit, viktima të të cilit janë tetëtëqind e pesë milionë fëmijë, të harruar nga e gjithë bota: fëmijë-ushtarë, fëmijë të shpërdoruar seksualisht, fëmijë të uritur, fëmijë të rrëmbyer e shpesh, edhe viktima të tregtisë së përbindshme të organeve njerëzore, ose të shndërruar në skllevër, viktima të luftërave, fëmijë refugjatë, fëmijë të dështuar, e kështu me radhë.

Duke ripohuar me forcë, më pas, se tek pedofilia shikon “dorën e së keqes”, që nuk e kursen as pafajninë e të vegjëlve, Papa pohoi se kjo i kujton shembullin e Herodit:

“Ta shndërrojmë këtë të keqe në mundësi pastrimi!”

Për këtë bëri thirrje Papa në përfundim të samitit, që u mbajt në Vatikan kundër shpërdorimeve mbi të miturit, duke kërkuar t’i jepet fund plagës së klerikalizmit, që është truall pjellor për gjithë këto tmerre.

Rezultati më i mirë dhe rrugëzgjidhja më e frytshme, që mund t’u sigurojmë viktimave, Popullit të Shenjtes Kishë Amë e mbarë botës - pohoi Françesku- është angazhimi për kthesë personale e kolektive, përvujtëria për t'i mësuar, për t'i dëgjuar, për t'i asistuar e për t’i mbrojtur të ligshtit.

Papa Françesku e përfundoi fjalimin e tij të gjatë e të hollësishëm, me të cilin mbyllte samitin, duke bërë një thirrje prekëse për të luftuar në të gjitha drejtimet kundër abuzimeve të të miturve: në fushën seksuale, ashtu si dhe në fushat tjera, nga ana e të gjitha autoriteteve e edhe njerëzve të veçantë, sepse bëhet fjalë për krime të shëmtuara, që duhen zhdukur nga faqja e dheut. Këtë - theksoi Papa - e kërkojnë mbarë viktimat e fshehura në familje e në të gjitha skajet e skutat e shoqërisë sonë!

24 shkurt 2019, 13:13