Kërko

Papa: dashuria për armikun lindi revolucionin e mëshirës

Në këtë paradite, ngarkuar me veprimtari, në të cilën u mbyll, në Vatikan, Takimi kushtuar mbrojtjes së të miturve, reflektimi i Papës në Engjëllin e Tënzot u përqendrua tek një pikë themelore e jetës së krishterë: dashuria për armikun, urdhërim, që lindi në botë një kulturë të re.

R. SH. - Vatikan

Dashuria për armiqtë nuk është mundësi, është urdhër! Jo për të gjithë, por për dishepujt, sigurisht. Është dashuri, të cilën Jezusi ua dhuron atyre, që e dëgjojnë: “Duaje atë, që nuk të do e madje, që të bën keq!”. Ky urdhërim i kapërcen të gjitha mundësitë tona, por bëhet i mundshëm falë Shpirtit të Zotit. “Është vetë Jezusi ai, që na shndërron”. Këtë kujtoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje, pas fjalimit të tij të fortë, në mbyllje të Meshës përfundimtare të takimit për mbrojtjen e të miturve në Kishë. Pikënisja e reflektimit ishte Ungjilli i sotëm, në të cilin Jezusi na thotë: “Duaje armikun tënd!”. Urdhërim hyjnor, ky. Tregon qartë dëshirën e Jezusit që në çdo zemër dashuria e Zotit të ngadhënjejë mbi inatin dhe urrejtjen:

“S’ka gjë më të madhe e më të frytshme, sesa dashuria; ajo i jep dinjitet çdo njeriu. Ndërsa urrejtja e hakmarrja, përkundrazi, e zbehin bukurinë e krijesës, sajuar sipas ngjashmërisë e shëmbëllimit të Zotit. Ky urdhër, për t’iu gjegjur talljes e padrejtësisë me dashuri, lindi në botë një kulturë të re, kulturën e mëshirës, që duhet ta mësojmë mirë, eh? E edhe ta praktikojmë mirë - këtë kulturë të mëshirës, që i jep jetë një revolucioni të vërtetë. Revolucionit të dashurisë, protagonistët e së cilës janë martirët e të gjitha kohëve”.

Nuk duhet të jemi koleksionistë padrejtësish

Zoti na fal gjithnjë, por nëse ne nuk  falim, nuk mundemi as të pretendojmë të falemi. Por, nëse zemra jonë hapet për t’i bërë shteg mëshirës, atëhere shpallim para botës se është plotësisht e mundur të fitojmë mbi të keqen, me të mirë. Fjalë “përvëluese si zjarri”, kjo e Jezusit - e quajti Papa. Fjalë, që të aftëson të bësh mirë, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi, duke dëshmuar kudo e kurdoherë “fitoren e dashurisë”:

“Shpesh e kemi më të lehtë të kujtojmë paudhësitë, që na u bënë, e që i bëmë, sesa të mirat. E këtë, deri në atë pikë, sa për atë që e ka këtë zakon, kjo bëhet sëmundje. Kështu njerëzit shndërrohen në koleksionistë  padrejtësish: nuk kujtojnë tjetër, veçse të këqijat që pësuan e që bënë. Po kjo nuk është udha e drejtë. Duhet të bëjmë të kundërtën - na urdhëron Zoti! Të kujtojmë gjërat e mira e kur ndokush vjen tek ne për të shpërralluar, për të folur keq për tjetrin, thuaji: ‘Ndoshta, po ka edhe këtë të mirë…’.  E ndërro menjëherë bisedë”.

Jo të dhunshëm, por të aftë për dhembshuri

Në katekizmin kushtuar zemrës së Ungjillit, Papa kujtoi se logjika e dashurisë është “disktintivi i të krishterit” e se për ta kapëcyer instinktin njerëzor dhe ligjin e botës, sipas të cilit e keqja ka të keqen mbrapa, duhet dëgjuar Jezusi e duhet të përpiqemi ta ndjekim “edhe pse kjo mund të na kushtojë shtrenjt”. E kështu nisim t’i përngjasim Atit tonë, që është në qiell:

“Bëhemi të aftë për të thënë e për të bërë gjëra, që as nëpër mend nuk do të na kishin shkuar e që, madje, edhe do të na kishin bërë të turpërohemi. Por që tani na mbushin me gëzim e paqe. Nuk kemi më nevojë të  përdorim dhunën, me fjalë, me gjeste: shndërrohemi në njerëz të aftë për dhembshuri, për mirësi: dhe e ndjejmë fort se e gjithë kjo nuk vjen nga ne, por nga Ai! E prandaj nuk krenohemi, por i shprehim nga zemra Zotit gjithë mirënjohjen tonë!”.

24 shkurt 2019, 15:05