Kërko

Papa - Augustinianum: transmetojeni traditën katolike

Duke pritur sot në audiencë bashkësinë e Institutit Patristik, me rastin e 50-vjetorit të themelimit, Françesku i nxiti pedagogët të jenë besnikë ndaj detyrës së tyre e t’i përgatisin studentët për të marrë pjesë në jetën e Kishës e edhe në debatet e sfidat kryesore të botës.

R. SH. - Vatikan

“Augustinianum u themelua për të kontribuar në ruajtjen dhe transmetimin e pasurisë së traditës katolike, posaçërisht, traditës së Etërve të Kishës. Këtë kujtoi Papa në krye të fjalimit, që u drejtoi të pranishëmve, duke e quajtur themelore për Kishën, ndihmesën e shkollës augustiniane, siç pati nënvizuar edhe Pali VI me rastin e përurimit, më 4 maj 1970, kur pati  kujtuar se “rikthimi i Etërve të Kishës bën pjesë në atë burim të zanafillës së krishterë, pa të cilin do të ishte e pamundur të realizohej përtëritja biblike, reforma liturgjike e studimi teologjik i dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit.

Formim i nevojshëm për ungjillëzimin

Françesku kujtoi posaçërisht mësuesit pensionistë e, në mënyrë të veçantë, kardinalin Prospero Grech - një ndër themeluesit e Institutit Patristik - e, në vijim, e inkurajoi Urdhërin e Shën Augustinit, drejtues i Augustinianum,  si dhe pedagogët, për besnikërinë dhe këmbënguljen në punë:

“Ju inkurajoj të jeni besnikë ndaj rrënjëve tuaja dhe detyrës suaj; të ngulmoni në angazhimin për t’i komunikuar vlerat intelektuale, shpirtërore e morale, që të mund t’i përgatisni studentët tuaj për të marrë pjesë me dituri e përgjegjësi në jetën e Kishës dhe në diskutimet kryesore të kohës sonë. Ky shërbim lidhet ngushtë me ungjillëzimin dhe kontribuon për promovimin e zhvillimit të familjes njerëzore drejt përsosurisë përfundimtare në Zotin”.

Këtë argument e preku, në përshëndetjen drejtuar Papës, edhe eprori i përgjithshëm i Urdhërit të Shën Augustinit, atë Alejandro Moral Anton, duke vënë në dukje  mësimin e Etërve të Kishës, që “e lexuan, e jetuan dhe e kumtuan mesazhin ungjillor në rrethana, të cilat nganjëherë ishin shumë larg nga ky mesazh, madje edhe armiqësore". Theksoi, në vijim, se augustinianët përpiqen t’u përgjigjen kërkesave të “Kishës në dalje”, të aftësohen për të takuar çdo njeri e për t’i kumtuar, me një gjuhë të kuptueshme, mrekullitë që bëri Zoti, në Krishtin. Së fundi, eprori i përgjithshëm i augustinianëve i premtoi Papës: “Do t’i studiojmë këta autorë të së kaluarës së largët, por gjithnjë të frytshëm, duke u impenjuar ta jetojmë e t’ua transmetojmë breznive të ardhshme freskinë dhe gëzimin e Ungjillit”.

Shembulli i Augustinit, nxitje në kërkimin e Zotit e të së Vërtetës

Në përfundim të fjalimit, Papa citoi Kushtetutën e tij Apostolike Veritatis gaudium mbi Universitetet dhe fakultetet kishtare  dhe  theksoi se “gëzimi që buron nga e vërteta,  nuk e lë të qetë zemrën njerëzore, derisa t’i takojë të gjithë e të ndajë me ta dritën e Zotit”, duke vënë kështu, në dukje përvojën e Shën Augustinit. Ai e njohu dhe e shprehu në gradën më të lartë shqetësimin e zemrës, që nuk gjen paqe, derisa të pushojë në Zotin, i cili, në Jezus Krishtin, na zbulon të vërtetën më të thellë mbi jetën tonë e mbi fatin tonë përfundimtar”. E pikërisht një shprehje të Ipeshkvit të Iponës, shkëputur nga doktrina e krishterë, përdori Françesku, për të nxitur bashkësinë akademike të Augustinianum:

“Përsa u përket pastaj atyre, që shpallin gjëra të marra nga të tjerët, të luten, para se t’i marrin, për ata, që do t’i marrin, me qëllim që t’u jepet çka dëshirojnë, e pasi ta kenë marrë, të luten që edhe ata vetë të mund t’i shpallin mirë, për t’i marrë si duhet ata, për të cilët shpallet e mira”.

Të dashur vëllezër - u tha në përfundim Papa augustinianëve - të jeni  të sigurt për lutjet e mia. Ju nxis edhe ju të luteni për njëri-tjetrin, e kjo është shumë e rëndësishme në një institucion, që Zoti t’ju ndihmojë në angazhimin tuaj të përditshëm të kërkimit shkencor, të mësimdhënies e të studimit.

16 shkurt 2019, 16:23