Kërko

 Gjoni XXIII: Papa i mirë Gjoni XXIII: Papa i mirë 

Gjoni XXIII dhe “lavdia e lashtë” e Japonisë

Më 16 shkurt, 60 vjet më parë, Papa Roncalli përuronte me një radiomesazh në latinisht, transmetimet e Radio Vatikanit në gjuhën japoneze. Ky përvjetor u kremtua pikërisht në kohën kur Papa Françesku përgatitet të shkojë për vizitë në vendin e aziatik.

R. SH. - Vatikan

“Goja jonë u hap, për ju, japonezë, e zemra jonë u zgjerua”. Gazetat e ditës  ndoshta, më pas, nuk do t’i kenë botuar këto fjalë të “Papës së mirë”,  që e quajtën kështu vetëm katër vjet më pas. Gazetat e së nesërmes, 17 shkurt 1959, qenë të zëna me fillimin e epokës së re në Kubë, ku “kryeminsitër i qeverisë revolucionare” zgjidhej Fidel Kastro, pas rrëzimit të presidentit Batista. Dy ditë më përpara, më 15, një kryeministër tjetër, italiani Antonio Segni, kreu i ardhshëm i shtetit, kishte nisur qeverisjen e tij të dytë.  Ndodhnin shumë gjëra në atë ditë shkurti, 60 vjet më parë, e këto fjalë, që fluturuan në eter drejt Japonisë, kaluan pa u ndjerë nga shumëkush. Por edhe ato shënonin fillimin e një historie.

Fjalë, drejt Lindjes

Atë ditë, 16 shkurt 1959, Gjoni XXIII rrinte para mikrofonit, për të regjistruar radiomesazhin. Si Piu XII, edhe Papa Roncalli ndiqte praktikën e përdorimit të shpeshtë të Radio Vatikanit për të arritur tek njerëzit më të largët (në fund të vitit kishte regjistruar 21 radiomesazhe). Ai i 16 shkurtit  kremtonte një evenimet: transmetimin e Meshës së parë të Programit japonez, nga valët e radios papnore. Ishte gjuha e 29-të, që i shtohej  listës së “radiofolseve”. Niste kështu Programi, prej një çerek ore, që do të transmetohej tri herë në javë. Drejtuar një Kishe të vogël, që kishte mbetur klandestine deri në Nëntëqindën. Kishë, që në fund të viteve ’50 nisi organizimin stukturor (në ’59-tën u krijua provinca e dytë e Nagasakit, qytet, që i dhuroi Kishës katolike 26 martirë të kryqëzuar në vitin 1597, të parët e një aradheje të gjatë) e përktheu Biblën e parë në gjuhën popullore, që pa dritën gjithnjë në këtë vit.

Kështu depërtonte krishterimi në gjirin e një populli të njohur për lavdinë e lashtë të qytetërimit e për mbartjen me qetësi të rrallë, të fatkeqësive, që nuk i munguan në shekuj.

Hera e parë  që flitej nga Vatikani, me Japoninë

“Në këtë ditë vërtetë të lume, në të cilën, duke kapërcyer  dhera e oqeane, për herë të parë krijohej mundësia për të folur përmes radios me Japoninë, zëri i gojës, a më mirë i shpirtit tonë (...) jehoftë gëzueshëm, e gëzuar ju gjetët”. Kështu i fliste latinisht Papa - një populli të mirënjhur për lavdinë e qytetërimit të tij të lashtë, për shkëlqimin e jashtëzakonshëm të arteve e edhe guximin e kakure kirishitan, “të krishterëve të fshehur”, brezni të pagëzuarish, të aftë për t’u bërë ballë 300 vjet persekutimesh nga më mizoret.

Jo vetëm zë

“Në këto ishuj të largët angazhohuni me të gjitha forcat, që feja juaj e krishterë të vezullojë me shkëlqim gjithnjë më të madh! – thoshte zëri i Papës në radio. Në atë 1959 të Luftës së ftohtë, që përgatiste mure, valët e shkurtëra ishin akoma një lloj mrekullie tekniko-fizike, një engjëll, që kapërcente të gjitha pengesat, për ta çuar bekimin e Papës në 10 mijë kilometra largësi:

“Zëri i shpirtit tim jehoftë gazmor, e plot me gëzim ju gjetët”. Ishte gjithçka mund të uronte Gjoni XXIII,  duke folur, pa shikuar.

Ndoshta pas ndonjë muaji ky zë i një Pape të padukshëm do të rikthehet  në Japoni, me hapat dhe bekimin në mondovizion të Françeskut!

17 shkurt 2019, 17:19