Cerca

Vatican News
Atë Arturo Sosa, epror i përgjithshëm i jezuitëve Atë Arturo Sosa, epror i përgjithshëm i jezuitëve 

Françesku: preferencat apostolike të jezuitëve në përkim me përparësitë e Kishës

Të promovojmë shqyrtimin e brendshëm dhe ushtrimet shpirtërore. Të ecim me të përjashtuarit. Të shoqërojmë të rinjtë në rrugën e tyre. Të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët. Këto janë preferencat apostolike universale të Shoqërisë së Jezusit për dekadën e ardhshme 2019-2029.

R.SH. - Vatikan

Preferencat apostolike universale të jezuitëve “janë në harmoni me përparësitë aktuale apostolike të Kishës, shprehur përmes magjisterit të zakonshëm të Papës, të Sinodeve dhe të Konferencave Ipeshkvnore, veçanërisht, duke filluar nga Nxitja Evangelii Gaudium”. Këtë nënvizon Papa Françesku, në një letër drejtuar atë Arturo Sosa-s, epror i përgjithshëm i jezuitëve, në përfundim të një procesi dyvjeçar, që përcaktoi fushat e veprimit të Shoqërisë së Jezusit në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Ishte një shoshitje dinamike, shkruan Papa, jo një proces i zhvilluar në “bibliotekë apo laborator”. Preferenca e parë, nënvizon më tej, është thelbësore, pasi përcakton si “kusht parësor marrëdhëniet e jezuitit me Zotin, si edhe një jetë personale dhe komunitare në lutje e shoshitje të vazhdueshme”.

Preferencat apostolike janë horizonte

Preferencat apostolike, siç e thamë, janë rezultat i një procesi shoshitjeje, që zgjati thuajse dy vjet. Ato përfaqësojnë “katër fusha jetësore” për botën e sotme dhe i frymëzojnë jezuitët “në shoshitjen e punëve dhe në planifikimin apostolik”. Janë pika referimi, horizonte dhe orientime për gjithë Shoqërinë e Jezusit. Vënë theksin mbi mënyrën me të cilën jezuitët mund “t’i përdorin më mirë mjetet në dispozicion për t’i shërbyer misionit pajtues të Krishtit në botë”. Janë përgjigjja e tyre për nevojat e Kishës. Në një shoqëri të karakterizuar nga ndryshime të thella, preferencat u caktuan “përmes analizës shoqëroro-politike, reflektimit teologjiko-baritor dhe shoshitjes”. Për 10 vitet e ardhshme janë zgjedhur 4 preferenca, konfirmuar nga Papa Françesku.

Të promovohet shoshitja dhe ushtrimet shpirtërore

Shoshitja,  nënvizon atë Sosa, duke shpjeguar 4 preferencat apostolike, është domosdoshmëri për Kishën. Ushtrimet shpirtërore, shton ai, janë rrugë preferenciale për jezuitët. E për to, është thelbësore të ndërmerret edhe rruga e zhvillimit krijues. Duhen gjetur forma të reja, në mënyrë që ushtrimet t’u përshtaten grupeve, realiteteve dhe konteksteve të ndryshme.

Për udhë me të përjashtuarit

Preferenca e dytë ka të bëjë me shoqërimin e të përjashtuarve nga shoqëria. Të ecësh me ta, nënvizon atë Sosa, do të thotë të afrohesh me botën e të varfërve, të shkosh në periferi, t’i takosh njerëzit. “Duam të ndërmarrim një rrugë për të promovuar drejtësinë shoqërore”. “Duam të promovojmë ndryshimin e strukturave ekonomike, politike dhe shoqërore, që shkaktojnë padrejtësi”. “Duam ta zhdukim plagën e abuzimeve nga jeta e Kishës dhe e shoqërisë”.

Të shoqërohen të rinjtë

Duhet të ecim edhe me të rinjtë, thekson epropri i përgjithshëm i jezuitëve, duke përvijuar preferencën e tretë. Të ecësh me ta do të thotë ta shohësh botën me sytë e rinisë. Të rinjtë mund të na ndihmojnë për të kuptuar ndryshimet e shoqërisë, për të kapur fillin e një kulture të re. Prandaj, duhet të “gjejmë hapësira për të rinjtë dhe për krijimtarinë e tyre”. Atë Sosa nënvizon edhe një përparësi tjetër: të mësojmë nga të rinjtë.

Të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët

Preferenca e katërt ka të bëjë me shtëpinë e përbashkët. Duhet të përpiqemi, thekson atë Sosa, të marrim pjesë në aksione urgjente, në gjendje të frenojnë dhe të ndalin përkeqësimin e mjedisit. Duhen gjetur edhe formula alternative. Për t’u dhënë përgjigje këtyre preferencave, nënvizon eprori i jezuitëve, një sfidë e madhe është ajo e bashkëpunimit. Është pikërisht bashkëpunimi, përfundon ai, forca e veprimtarisë sonë.

19 shkurt 2019, 14:22