Cerca

Vatican News
Benedikti XVI Benedikti XVI  (Vatican Media)

Benedikti XVI, gjashtë vjet pas dorëheqjes: aktualiteti i një magjisteri

Më 11 shkurt 2013, njoftimi i papritur i një Pape, që e linte shërbimin e tij pjetrin për arsye moshe, duke vijuar të jetojë si “Papë nderi” pranë pasardhësit të vet. Por, është gabim të kujtohet vetëm për këtë.

R.SH. - Vatikan

(Andrea Tornielli)

Kanë kaluar gjashtë vjet nga ajo rrufe në qiell të hapur, nga dorëheqja e parë e një Pape për arsye shëndeti e moshe. Ishte 11 shkurti i vitit 2013, kur Benedikti XVI, gati në fund të vitit të tetë të papnisë së tij, kumtonte vullnetin për ta lënë shërbimin pjetrin në fund të muajit, sepse nuk ndihej më në gjendje të mbante – fizikisht dhe shpirtërisht – peshën e papnisë. Peshë e një shërbimi, që në shekullin e fundit, ka ndryshuar thellësisht, përsa i përket mënyrës së ushtrimit, me shtimin e kremtimeve, të impenjimeve, të takimeve e të udhëtimeve ndërkombëtare.

Benedikti XVI dhe lufta kundër abuzimeve

 Është shkruar e thënë shumë për ngjarjen e destinuar të shënojë historinë e Kishës. Por nuk mund ta përqendrojmë vëmendjen vetëm në këtë gjest të përvuajtur e shqetësues njëkohësisht, duke bërë kështu, të kalojë në plan të dytë dëshmia personale e, sidomos, magjisteri i Benediktit XVI. E meqë po flasim për dëshmi, duke pasur parasysh Takimin e afërt për mbrojtjen e të miturve, që do të mbledhë në Vatikan së bashku me Papën Françesku edhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të gjithë botës, ia vlen të kujtojmë se ishte pikërisht Benedikti XVI ai, që filloi takimet me viktimat e abuzimeve. Takime larg nga telekamerat, takime dëgjimi, lutjeje e lotësh. E këto takime u shoqëruan me norma më të qarta e më të vendosura për të luftuar plagën e tmerrshme të abuzimeve. S’ka dyshim se ndryshimi i mendësisë, që iu kërkua sidomos ipeshkvijve dhe eprorëve rregulltarë, kalon përmes kësaj aftësie e gatishmërie për takim me viktimat dhe familjet e tyre, duke vuajtur me ta nga tregimet e tyre dramatike, për t’u vetëdijësuar mbi një fenomen, që nuk do të mund të luftohet kurrë vetëm me norma, kode e shembuj të mirë.

Kisha është mjet i shëlbimit të Zotit

Përsa i përket magjisterit të Papës Ratzinger, tepër shpesh “i shtypur” nga interpretime reduktuese dhe skema (klishe, shabllon) të parafabrikuara, të paafta për t’ia vlerësuar pasurinë, larminë dhe besnikërinë ndaj mësimeve të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, si të mos kujtojmë këmbënguljen e tij për faktin se Kisha “nuk zotëron asgjë prej vetes para Atij, që e themeloi, në mënyrë që të mund të themi: e kemi bërë shumë mirë! Ajo merr kuptim kur është mjet i shëlbimit, kur e lejon Fjalën e Zotit ta përshkojë tejendanë e kur e çon botën në bashkimin e dashurisë me Zotin”. Pra, diametralisht e kundërt me besimin në strategji e projekte. Kisha, vijonte Benedikti XVI, në një fjalim mbajtur në Konzerthaus të Freiburg im Breisgau, në shtator 2011, “kur është me të vërtetë vetvetja, është gjithnjë në lëvizje, vihet vazhdimisht në shërbim të misionit, që ka marrë prej Zotit. Pikërisht për këtë, duhet të merret sërish e gjithnjë me shqetësimet e botës, në të cilën bën pjesë, duke iu përkushtuar pa rezerva atyre shqetësimeve, për të vazhduar ta bëjë të pranishëm shkëmbimin e shenjtë, që zuri fill me Mishërimin e Hyjit”.

Ana pozitive e shekullarizimit

Po në atë fjalim, Papa Ratzinger paralajmëronte rrezikun e prirjes së kundërt. Atë “të një Kishe të vetëkënaqur, që i përshtatet kësaj bote… Jo rrallë, kështu, u jep organizimit dhe institucionalizimit një rëndësi më të madhe se sa thirrjes së saj për t’i mbajtur portat hapur për Zotin e për t’ia hapur botën të afërmit”. Prandaj, në atë fjalim, Papa gjerman vinte në dukje anën pozitive të shekullarizimit, i cili “ka kontribuar thellësisht në purifikimin dhe në reformimin e brendshëm” të vetë Kishës, edhe duke e shpronësuar nga pasuritë dhe privilegjet e saj. Sepse, përfundonte, “e çliruar nga barrët e nga privilegjet materiale e politike, Kisha mund t’i kushtohet më mirë e në mënyrë vërtet të krishterë gjithë botës, mund t’ia hapë vërtet dyert botës. Mund të jetojë sërish, më lirshëm, thirrjen e saj në ministerin e adhurimit të Zotit dhe në shërbim të të afërmit”.

11 shkurt 2019, 11:19