Cerca

Vatican News
Papa Françesku përqafon një vogëlushe Papa Françesku përqafon një vogëlushe   (@L'Osservatore Romano)

Papa në tweet: të mendojmë për një dhuratë dashurie që mund të ofrojmë

“T’i shikojmë duart tona, shpesh janë bosh nga gjestet e dashurisë, prandaj sot të përpiqemi e të mendojmë për një dhuratë falas që mund të ofrojmë”. Kështu pohon Papa Françesku, nё njё tweet botuar sot, 14 janar 2019, në faqen e internetit @Pontifex.

R.SH. - Vatikan

T’i shikojmë duart tona,  shpesh janë bosh nga gjestet e dashurisë, prandaj sot të përpiqemi e të mendojmë për një dhuratë falas që mund të ofrojmë”. Kështu pohon Papa Françesku, nё njё tweet botuar sot, 14 janar 2019, në faqen e internetit @Pontifex.

 

Me gjeste të dashurisë e dhembshurisë, kështu hapet porta e Mëshirës

“Gjestet e vogla të dashurisë, dhembshurisë, butësisë, kujdesit na kujtojnë se Zoti është me ne: kështu hapet porta e Mëshirës”. Kështu pat shkruar Papa Françesku në një tweet botuar më 9 mars 2016 në faqen e internetit @Pontifex.

Jo vetëm urdhërim, por dashuri e jetuar: Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore

“Urdhërimi i Jezusit për të dashur nuk është thjesht normë”: e nënvizoi Papa, duke shpjeguar se “norma mbetet gjithnjë diçka abstrakte, diçka jashtë jetës”. Duhet, prandaj, ta dallojmë normën nga jeta: ligji i dashurisë, nënvizoi Papa më 10 maj 2015, u shkrua një herë e përgjithmonë në zemrën e njeriut. Duke u nisur nga rrëfimi i Darkës së Mbrame me apostujt, Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit: “Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. E edhe urdhërimin e ri: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë ju”.

Në këtë mënyrë, shpjegoi Françesku, Jezusi na tregon udhën, që duhet ndjekur, udhën e dashurisë. E shtoi: “Kjo na kujton se Ai na do, edhe pse nuk e meritojmë dashurinë e Tij. Kështu na do Jezusi”.

Është udhë konkrete, udhë, që na nxit të dalim nga vetvetja, për të shkuar drejt të tjerëve. Jezusi na tregoi se dashuria e Hyjit vihet në jetë në dashurinë për të afërmin. Dy dashuri, së bashku. Faqet e Ungjillit janë plot me këtë dashuri: të rritur e të mitur, të ditur e të paditur, të pasur e të varfër, të drejtë e mëkatarë kanë gjetur e gjejnë gjithnjë vend në Zemrën e Krishtit.

Ta duam, prandaj, mirë njëri tjetrin, edhe pse jo gjithnjë kuptohemi. Jo gjithnjë merremi vesh. Por pikërisht këtu duket dashuria e krishterë. Dashuri, që nuk mungon edhe kur mendojmë ndryshe, edhe kur kemi karaktere të ndryshme. Kjo është dashuria më e madhe, që i kapërcen ndryshimet. Është dashuria, që na e mësoi Jezusi.

 

Sipas shembullit të Nënë Terezës,shërbejuni të varfërve 

Papa Françesku ka shkruar parathënien – botuar më 22 korrik 2016 nga gazeta italiane “Corriere della Sera” -  e librit “Ta duam të padashurin”, në të cilin Emi (Editrice Missionaria Italian)”  na njoho me dy fjalime, shqiptuar nga Nënë Tereza në vitin ’73, në Milano, gjatë një takimi me disa rregulltare të reja. Papa Bergoglio e përmbledh reflektimin e tij në pesë fjalë:  lutja, bamirësia, mëshira vepruese, familja, të rinjtë.

Flitet e shkruhet shumë për Nënë Terezën, Papa e paraqiti shenjtën shqiptare edhe një herë si shembull, që duhet ndjekur.   Françesku i nisi reflektimet me fjalën lutje e kujton menjëherë se “Nënë Tereza e fillonte ditën, duke marrë pjesë në Meshë dhe e mbyllte me Adhurimin e Jezusit në Sakrament”. Dashuri pa cak. Vetëm kështu puna mund të shndërrohet në  lutje - pohon Papa. Nëse hyjmë në zemrën e Jezusit, mund ta shijojmë jetën e t’i shikojmë me sy të rinj gjithë njerëzit.

Fjala e dytë është dashuria e krishterë, bamirësia në emër të Krishtit, shpjegon Françesku. E kjo do të thotë “të bëhesh i afërm në periferitë e burrave e të grave, që i takojmë për ditë e të ndjejmë dhembshuri për të fundmit në korp e në shpirt”, “të bëhemi dëshmitarë të ledhatimit të Zotit  për çdo plagë të njerëzimit, që të mund t’u ofrojmë njerëzve, të cilët e dëshirojnë, praninë dhe afërsinë e Tij”.

Lidhur me mëshirën vepruese, Papa kujton se me veprat e mëshirës trupore e shpirtërore, jemi të thirrur të kujdesemi për çdo njeri. “Do të jetë një mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjet tona, shpesh të dremitura, përballë dramës së varfërisë e për të hyrë gjithnjë më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfërit janë të privilegjuarit e mëshirës hyjnore”. Nënë Tereza i bëri këto faqe të Ungjillit - vëren Papa Françesku - prijëse të jetës së saj, udhë drejt shenjtërisë, që mund të jetë dhe udha jonë.

14 janar 2019, 12:46