Kërko

Vatican News

Papa: si Mbretërit Dijetarë, t’ia hapim me guxim zemrën Zotit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit e Ujit të Bekuar, Françesku rikujtoi gëzimin e takimit me Jezusin, “risi mahnitëse e historisë” e “dhuratë për të gjithë, të afërt e të largët” dhe ftoi të jemi ngulmues, bujarë e guximtarë, siç ishin Mbretërit Dijetarë.

R. SH. - Vatikan

Jezusi lindi dhe i dëftohet botës si “dhuratë për të gjithë”: dritë e premtim shëlbimi. E kjo edhe domethënia e festës së sotme, Dëftimit të Zotit, apo Ujit të bekuar, si dhe ftesa drejtuar nga Papa gjithë besimtarëve para kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në përfundim të Meshës solemne kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit. I ftoi, pra, të përtërihen nga kjo dritë e, duke ecur në udhën e besimtarëve, ta presin zemërhapur të renë, siç bënë Tre Mbretërit, ngulmues, bujarë e guximtarë. Gëzimi - kujtoi Françesku - do të jetë i tillë, sa nuk do të mund ta mbajmë më vetëm për vete.

Të rinisemi nga Krishtlindja, për ta përtërirë fenë tonë

Në Leximin e Parë të sotëm - kujtoi Françesku - Izaia Profet e fton Izraelin  të ngrihet përsëri në këmbë, të shkëlqejë. Mbi të po lind Lavdia e Zotit! Po vjen Drita, prandaj  duhet hapur zemra në praninë e afërsinë e Zotit, që është përmbushje e premtimit të shëlbimit.

Kjo ftesë sot tingëllon mrekullisht bukur edhe për ne, që e kremtuam Lindjen e Jezusit. Na inkurajon të shndritemi nga drita e Betlehemit. E edhe na fton të mos ndalemi para shenjave të jashtme të ngjarjes, por të rinisemi prej saj, për ta përshkuar deri në fund udhën, si njerëz të rilindur e si besimtarë.

Larg çdo llogarie, pranë dritës së Jezusit

Por, si mund ta takojmë Krishtin? E si duhet të veprojmë para kësaj drite, që është në Ungjill? Ka një mori mënyrash - reflektoi Papa. - E Shën Mateu ungjilltar na i tregon gjatë rrëfimit të sotëm. Na kujton se në këtë botë vijojnë të jetojnë herodë e skribë, si ata të Jeruzalemit, që reagojnë me zemër të ngurtë, plot mllef, që nuk duan të shkojnë e ta takojnë Krishtin Fëmijë. Kjo, një nga mundësitë: “T’ia mbyllësh zemrën  dritës”.

Përfaqësojnë të gjithë ata të cilët, edhe në ditët tona, kanë frikë nga ardhja e Jezusit e ua mbyllin zemrën vëllezërve e motrave, që kanë nevojë për ndihmë:

“Herodi ka frikë se do ta humbasë pushtetin. As i shkon mendja t’u bëjë mirë njerëzve, që i janë besuar! Shikon vetëm llogarinë e vet. Pasurinë. Sundimin. I gatshëm gjithnjë ta mbrojë edhe duke u zhytur në krime të shëmtuara.  Edhe skribët e krerët e popullit  kanë frikë, mbasi nuk janë në gjendje të shikojnë përtej hundës së tyre e kështu nuk mund ta kuptojnë e as ta mirëpresin risinë mahnitëse, që sjell Jezusi”.

Takimi me Jezusin rinon

Ndërsa përvoja e Mbretërve ndryshon plotësisht - kujtoi Françesku. Edhe pse janë larg fesë hebraike tradicionale - e ndjekin pas yllin dhe përballojnë një shtegtim të gjatë e të rrezikshëm, të shtyrë nga dëshira e pakundërshtueshme për ta njohur Mesinë e shumëpremtuar e të shumëpritur. Ngulmues në shtegtim e bujarë përballë Zotit, ia hapin zemrën risisë më mahnitëse të historisë, “Zotit të mishëruar” e, pastaj, duke u rikthyer në vendin e tyre, dredhojnë rrugë. Edhe sot, si asokohe - vërejti Françesku - sa herë që ndonjë burrë a grua takon Jezusin, “ndërron rrugën e rikthehet në jetë i ndryshuar, kthehet njeri i ri”. Prej këndej, reflektimi drejtuar të gjithë besimtarëve:

“Shëlbimi, që sjell Zoti në Krishtin, u përket të gjithë njerëzve, të afërt e të largët. Nuk është e mundur ta ‘përvetësosh’ këtë Fëmijë; është dhuratë për të gjithë. Edhe zemrat tona heshtin paksa e presin të ndriçohen nga drita e Jezusit, që vjen nga Betlehemi. Të mos lejojmë të na e mbyllë zemrën frika, por t’ia hapim me guxim kësaj drite të butë e të ëmbël. E ashtu si Tre Mbretërve, të na e pushtojë shpirtin një gëzim tejet i madh, të cilin nuk mund ta mbajmë vetëm për vete”.

Përshëndetje Kishave lindore

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi “një urim të përzemërt e vëllazëror” Kishave lindore katolike e ortodokse, që ndjekin kalendarin julian  e që e jetojnë sonte Natën e Krishtlindjes.

 

06 janar 2019, 15:38