Kërko

2019.01.17 Ispettorato Pubblica Sicurezza 2019.01.17 Ispettorato Pubblica Sicurezza 

Papa Françesku, Policisë në Vatikan: "jeni të përzemërt" me të gjithë vizitorët

Papa Françesku: Policisë në Vatikan, "ju jeni specialistë të përzemërisë", "turp" për "shumë njerëz që thonë se janë të krishterë, por nuk janë në lartësi e në përputhje me shembullin tuaj"

R.SH. - Vatikan

"T’i jetojmë marrëdhëniet me qëndrim vëllazëror e të mëshirshëm, veçanërisht me ata njerëz që vuajnë nga sëmundja, braktisja dhe mënjanimi". Ky është njëri nga mësimet e festës së Krishtlindjes dhe të Epifanisë (Dëftimit të Zotit), për të cilin u foli sot Papa udhëheqësve dhe stafit të Inspektoratit të Sigurisë Publike  (Policisë) në Vatikan, gjatë audiencës mbajtur paradite në Sallën Klementine. Ai i Shenjtë i falënderoi "për shërbimin e lavdërueshëm që ofrojnë çdo ditë në Selinë Apostolike dhe në Qytetin e Vatikanit".

"Afërsia me njerëzit është karakteristikë e punës tuaj, dhe ju keni mundësinë ta dëshmoni çdo ditë këtë përzemërsi me ata, që vijnë nga mbarë bota në Vatikan", theksoi Ati i Shenjtë Françesku, i cili më pas shtoi, duke folur jashtë tekstit të përgatitur: "Ju jeni specialistë të afërsisë e të përzemërsisë". "Falë veprës tuaj të çmuar të mbikëqyrjes, shtegtarët dhe turistët, të cilët nga të gjitha anët e botës arrijnë në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjejnë tek ju ndihmën e çmueshme gjatë vizitës së tyre", tha Papa. Është "e njohur botërisht kompetenca dhe urtia juaj në trajtimin e situatave të ndryshme, madje edhe të atyre më kritike; edhe për këtë dua t'ju falënderoj e t’ju përgëzoj".

 “Ju falënderoj shumë për profesionalitetin dhe bujarinë tuaj!", theksoi më tej Papa në audiencë  me udhëheqësit dhe stafin e Inspektoratit të Sigurisë Publike  (Policisë) në Vatikan: "Ju bëj thirrje të këmbëngulni gjithnjë në kërkimin e një mënyre personale veprimi, duke u përpjekur t'i mirëprisni të gjithë njerëzit me shumë durim dhe mirëkuptim, madje edhe në ato momente kur ndjehet lodhja, ose pesha e situatave të pakëndshme". "Shërbimi juaj i përditshëm ka për qëllim të ruajë ditën dhe natën Sheshin e Shën Pjetrit dhe Vatikanin”, kujtoi Papa Françesku: "Ju jeni në vendin e punës në të gjitha kushtet e motit, të favorshme apo të pafavorshme. Kur mendoj për gatishmërinë dhe shpirtin tuaj të sakrificës, ju admiroj për shembullin tuaj".

"Nuk mund ta harroj, pastaj, bashkëpunimin tuaj të frytshëm edhe gjatë vizitave të mia baritore në famullitë kishtare dhe në komunitetet tjera të Romës, si dhe gjatë udhëtimeve të mia apostolike në vende të tjera të Italisë ", kujtoi Papa me mirënjohje: "Për të gjithë këto ju jam shumë mirënjohës ".

17 janar 2019, 14:28