Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Dasma e Kanës, Besëlidhje e re dashurie

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, Françesku e nxiti mbarë Kishën ta dëgjojë e ta vërë në jetë Fjalën e Zotit, sipas porosisë së Marisë.

R. SH. - Vatikan

Hapja “plotësisht” zemrën Jezusit, duke i ndjerë në jetën e çdo dite shenjat e pranisë së Tij gjallëruese”. Kjo, nxitja e Papës Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në të Dielën  II të kohës së zakonshme gjatë vitit që - shpjegoi Françesku - e ndjek pas Jezusin në jetën e Tij publike, në misionin për të cilin e dërgoi Ati në botë.

Zoti vuri kurorë me njerëzimin

 I frymëzuar nga fragmenti i sotëm ungjillor i Gjonit, kushtuar Dasmës të Kanës së Galilesë, Papa kujtoi se mrekullia e parë e Jezusit nis pikërisht në një dasëm. E më pas shpjegoi: duke e shndërruar ujin në verë, Krishti nuk deshi t’i mrekullonte dasmorët! Çka deshi, ishte t’u dëftonte dashurinë e Atit:

“Nuk është rastësi që jeta publike e Jezusit nis në atmosferën e një dasme, sepse në Të, Zoti ‘u martua’ me njerëzimin: e ky është edhe lajmi i mirë, ndonëse ata që e ftuan Krishtin në gosti, nuk e dinin se në  sofrën e tyre  qe ulur vetë Biri i Zotit e se dhëndri i vërtetë ishte Ai vetë! Kështu, gjithë misteri i shenjës së Kanës, bazohet mbi praninë e këtij Dhëndri hyjnor, Jezusit, që nis të dëftohet si dhëndri i popullit të Zotit, i kumtuar nga profetët e që na zbulon thellësinë e lidhjes, që na bashkon me të: është  Besëlidhje e re dashurie!”.

Ungjilli, mbartës i gëzimit

Pikërisht lidhur ngushtë me Besëlidhjen - vërejti Françesku - kuptohet plotësisht  simboli i verës, në qendër të mrekullisë. Në kulmin e dasmës, vera mbaron. Do të bënte figurë shumë të keqe i zoti i dasmës, po ta vazhdonte festën me ujë. Uji është i domosdoshëm për të jetuar, por jo për dasëm. Për dasma duhet vera, simbol i begatisë së sofrës e burim i gëzimit të festës:

“Duke e shndërruar në verë ujin e enëve prej guri, që përdoreshin nga judenjtë për pastrim ritual, Jezusi  jep një shenjë, që flet vetë: e shndërron Ligjin e Moisiut - në Ungjill, prej nga buron gëzimi!”.

Program jete

Asokohe, ashtu si sot - reflektoi Papa - fjalët e Marisë drejtuar shërbëtorëve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”, janë trashëgim i çmuar, i lënë nga Nëna jonë, Maria:

“Në këtë dasëm lidhet vërtet Besa e Re dhe të gjithë shërbëtorëve të Zotit, domethënë gjithë Kishës, u besohet misoni i ri: ‘Bëni gjithçka t’ju thotë!’. T’i shërbesh Zotit, domethënë ta dëgjosh e ta vësh në jetë Fjalën e Tij. Prej këndej, porosia e thjeshtë dhe themelore e Nënës së Jezusit, është program i vërtetë i jetës së të krishterit”.

T’ia besojmë gjithë vetveten Marisë

Françesku i nxiti të gjithë t’i drejtohen Marisë, në çdo rrethanë të jetës:

“Kur kalojmë çaste të vështira, kur na dalin probleme, që nuk dimë si t’i zgjidhim, kur na pushton shqetësimi e ankthi, kur na mungon dëshira për të vënë buzën në gaz, të  shkojmë me vrap te Zoja. Të shkojmë e t’i themi: ‘Zojë, nuk kemi më verë! Vera mbaroi! E mbeti vreri! Shikoje shpirtin tim të vrerosur!’. Ajo do të të dëgjojë e menjëherë do të shkojë tek Jezusi e do t’i thotë: ‘Shikoje këtë, nuk ka më verë!'. E pastaj do të kthehet rishtas tek ne e do të na porosisë: ‘Bëni gjithçka t’ju thotë!’” .

Për secilin prej nesh - vijoi Papa - të pish nga kelku i Krishtit, do të thotë t’u besosh Fjalës e Sakramenteve, për ta shijuar hirin e Hyjit në jetën tonë, në mënyrë që, kur të na shikojnë, të mund të brohorasin: “Ti e paske ruajtur verën e mirë për në fund!”.

20 janar 2019, 13:42