Cerca

Vatican News
 Populli lutet për viktimat e Bogotasë Populli lutet për viktimat e Bogotasë 

Papa: lutje për paqe në Kolumbi dhe për DBR-në

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri një sërë thirrjesh, duke kujtuar edhe Ditën e ardhshme Ndërkombëtare të Edukimit. Një përshëndetje të veçantë, miqve të Raul Follereau.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku nuk e harroi, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dhimbjen e  popullit kolumbian. Të enjten e kaluar, një autobombë shpërtheu në hyrje të shkollës së kadetëve të policisë së Bogotasë, duke shkaktuar 21 të vdekur e 68 të plagosur. Me këtë rast tragjik, Papa dërgoi një telegram ngushëllimi, duke siguruar se lutet për këtë vend të plagosur nga ngjarja e dhimbshme. Sot, në kryeqytet, u organizua një manifestim kombëtar kundër terrorizmit. Ja edhe fjalët e Papës:

“Dëshiroj ta siguroj popullin kolumbian për afërsinë time, pas sulmit të rëndë terrorist të së enjtes së kaluar, në Shkollën Kombëtare të Policisë. Lutem për viktimat dhe familjarët e tyre e vijoj të lutem, sidomos, për udhën e paqes në Kolumbi”.

Së bashku me të rinjtë, në Panama

Papa kujtoi edhe angazhimin e tij të ardhshëm me të rinjtë e mbarë botës, duke kërkuar lutje për DBR-në:

“Pas pak ditësh do të nisem për Panama ku, më 22 deri më 27 janar, do të kremtohet Dita Botërore e Rinisë. Ju kërkoj të luteni për këtë ngjarje shumë të bukur e të rëndësishme në udhën e Kishës".

Edukimi, udha e paqes

Edhe një inkurajim Uneskos - nga ana e Papës - që të punojë për paqen në botë përmes edukimit. Françesku kujtoi se më 24 janarin e ardhshëm do të kremtohet Dita e parë Ndërkombëtare e Edukimit, themeluar nga Kombet e Bashkuara. Çast i rëndësishëm reflektimi për të vënë në dukje rolin  themelor të edukimit në zhvillimin e shoqëror. Edukim për të gjithë - kërkoi Papa - edukim të gjithanshëm, të lirë nga kolonizimet ideologjike. E edhe një lutje - shtoi Françesku - e një urim për të gjithë edukatorët dhe edukatoret.

Së fundi, përshëndetja e posaçme Shoqatës Italiane “Miqtë e Raoul Follereau”, të sëmurëve nga gërbula si dhe atyre, që u qëndrojnë pranë gjatë mjekimeve e rimëkëmbjes njerëzore dhe shoqërore.  

 

20 janar 2019, 16:34