Cerca

Vatican News
Motra saleziane Malvina Doçi me tё rinjtë Motra saleziane Malvina Doçi me tё rinjtë 

Filloi Takimi botëror i të rinjve në Panama. Me ne, motër Malvina Doçi

Filloi Dita Botërore e Rinisë në Panama. Nga Shqipëria e Mali i Zi, janë nisur 38 vetë, të rinj e shoqërues, siç shpjegon në mikrofonin tonë, motër Malvina Doçi, saleziane, përgjegjëse e baritores rinore në kryedioqezën metropolite Tiranë-Durrës, së bashku me atë Laureano Del Otero Sevillano.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot, Dita Botërore e Rinisë në Panama, takimi katolik, që ka mbledhur të rinj nga e gjithë bota në vendin e vogël të Amerikës Qendrore, së paku 33 prej të cilëve, nga Shqipëria e 5 shqiptarë nga Mali i Zi.

 Papa Françesku do të shkojë nesër në Panama e do të qëndrojë me të rinjtë deri në mbylljen e Takimit. Përveç ceremonisë së mirëseardhjes, Udhës së Kryqit, lutjes së mbrëmjes dhe meshës përfundimtare, të diel, 27 janar, Ati i Shenjtë do të përjetojë dy çaste vërtet të veçanta: rrëfimet në burgun e të miturve dhe vizitën tek të rinjtë e sëmurë nga Sida.

Por e veçantë është e gjitha kjo DBR e Panamasë, si për periudhën në të cilën mbahet, janarin, ashtu edhe për vendin: një shtet, që shërben si hallkë lidhëse, qendër kalimi për emigrantët, të cilët vijnë nga Amerika Jugore për të shkuar drejt SHBA-ve.  Ky Takim rinor do të jetë një puhi me ajër të freskët për Papën Bergoglio, në kontakt me mijëra të rinjtë e me entuziazmin, që e rrethoi edhe në Brazil e në Poloni, në Ditët e mëparshme Botërore të Rinisë, në Rio-de-Zhanejro e në Krakov. Për një çast, Ati i Shenjtë do të jetë larg nga mbledhja mbi abuzimin me të miturit, që do të mbahet në Vatikan, pas pak javësh.

Dje, Panamaja, e vizituar edhe nga shën Gjon Pali II, që u ndal vetëm një ditë, nuk pati drita. “Tepër celularë, që ngarkoheshin në rrjet”, bënin shaka të rinjtë, të cilët sot, pasi u zgjidh problemi, janë gati të bëjnë fotografi me bashkëmoshatarët, që vijnë nga të gjitha anët e botës.

Nga Shqipëria e Mali i Zi, janë nisur 38 vetë, të rinj e shoqërues, siç shpjegon në mikrofonin tonë, motër Malvina Doçi, saleziane, përgjegjëse e baritores rinore në kryedioqezën metropolite Tiranë-Durrës, së bashku me atë Laureano Del Otero Sevillano…

Dëgjo intervistën me motër Malvina Doçin...

INTERVISTE PËR RADIO VATIKANIN

[ Audio Embed Motër Malvina Doçi, flet për të rinjtë shqiptarë që marrin pjesë në DBR-së në Panama]

1.   Motër Malvina Doçi, dy fjalë për Motrën Malvia Doçi:

Jam motër Malvina Doçi, Bijë e Marisë Ndihmëtare (Saleziane e Don Boskos dhe e Maria Mazzarellos). Me origjinë jam nga Shkodra, aktualisht jetoj dhe shërbej në Tiranë në Qendrën Maria Mazzarello. Detyra ime kryesore në Qendrën tonë edukative është koordinimi i kopshtit dhe në dioqezë jam bashkëpërgjegjëse e baritores Rinore së bashku me Atë Laureano Del Otero Sevillano

2.  Motër Malvina Doçi sa të rinj do te marrin pjese në Ditën Botërore rinore?

Nga gjithë Shqipëria do të jenë 30 të rijnë dhe 3 shoqërues. Gjithashtu grupit tonë do i bashkëngjitet edhe grupi i të rinjve nga Malit te Zi që janë gjithsej 5.

3.   Si kane qenë të zgjedhur të rinjtë, disa kritere?

Në çdo dioqezë janë përzgjedhur nga 5 të rijnë, p.sh  dioqeza e Shkodrës është e ndarë në 4 zona dhe çdo zonë ka nga një përfaqësues, po ashtu dhe dioqeza e Tiranë- Durrës i ka zgjedhur të rinjtë të ndarë sipas dekanateve dhe kështu secila dioqezë është munduar të ndjekë të njëjtin kriter, sepse të rinjtë pjesëmarrës në këtë ditë rinore në një farë mënyre, do të përfaqësojnë të gjithë të rinjtë shqiptarë.

4.   Motër Malvina Doçi, sa përfaqësues janë që i shoqërojnë të rinjtë?

Shoqëruesit janë tre, janë anëtarë të komisionit kombëtar i të rinjve dhe janë përzgjedhur nga komisioni, ato janë: P. Dario Rossetti (RCJ), përgjegjës për baritoren Rinore të Lezhës, Atë Laureano Del Otero Sevillano (CSSR) dhe unë si përgjegjës për baritoren Rinore Tiranë- Durrës.

5.   Motër Malvina Doç diçka rreth temës që ka Dita Botërore Rinore?

Tema që do na udhëheq gjatë kësaj eksperience është Ikona e Shën Marisë dhe gatishmëria e saj: Unë jam shërbëtorja e Zotit; Më ndodhtë siç the ti!” (Lk1,38)

Papa Françesku gjatë këtyre tre viteve të fundit, duke filluar që nga viti 2017, ka zgjedhur t’ju ofrojë të rinjve një intinerar shpirtëror,  duke ju ofruar atyre të reflektojnë mbi ecjen e vendosin Marinë si shembull për t’u ndjekur.

§  “Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm” (Lk 1,49)     (2017)

§  “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!      (Lk 1,30)    (2018)

§  “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”     (Lk1,38)     (2019)

6.   Të rinjtë gjatë kësaj periudhë a janë takuar me njeri tjetrin dhe a kanë bërë një ecje të përbashkët?

Gjatë këtij viti kemi bërë disa takime me të rinjtë. Së pari janë takimet e bëra në secilën dioqezë më pas është organizuar Forumi kombëtar për të rinjtë që është bërë në Tiranë në përgatitje të sinodit të ipeshkvinjve në Romë. Natyrisht të rinjtë e përzgjedhur kanë qenë kurdoherë pjesëmarrës aktivë. Pas forumit kemi pasur një moment të parë prezantimi me ta,  po ashtu ishte i pranishëm në mesin tonë dhe atë Michel Remery i cili ju ka prezantuar të rinjve se çfarë është një Ditë Botërore Rinore dhe rëndësinë e saj. Pas këtij takimi kemi pasur dhe disa të tjerë dhe i fundit është bërë në Tiranë ku ishte i ftuar dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Imzot George Frendo OP. Mons Frendo. Ai u ka drejtuar një përshëndetje të rinjve pjesëmarrës  dhe së bashku me të kemi bërë një moment lutje në fund ai i bekoi të rinjtë që po nisen për Ditën Rinore Botërore.

7.   Ku do të qëndrojnë të rinjtë dhe kush i mirëpret?

Të rinjtë do të akomodohen pranë famullisë e “Nuestra Señora de Guadalupe - San Francisco Bella Vista -Panamá Centro, jemi të mirëpritur neper familje. Gjatë ditëve tona në Panama do të jemi të shoqëruar edhe nga vullnetarë të ndryshëm

8.   Motër Malvina Doçi, çfarë presin të rinjtë nga Dita Botërore e të rinjve?

Të rinjtë në këtë takim presin që të takojnë Zotin, dëshirojnë ta takojnë Zotin e pranishëm në të rinjtë e tjerë që do të marrin pjese në këtë eveniment dhe presin një eksperience që i ndihmon ato të zgjerojnë kufijtë e Zemrës, mendjes dhe jetës së tyre

9.   Çfarë presin te rinjtë nga Kisha dhe nga Papa?

Të rinjtë nga Kisha presin që ne t’i ndihmojmë që ata të jenë të aftë ta gjejnë Krishtin dhe t’i ndihmojmë ato që ta duan më shumë Kishën e të ndihen brenda kishës si bijë që kanë një nënë që i do dhe i shoqëron.

Të rinjtë kërkojnë një Kishë që të ëndërrojnë së bashku me to dhe që t’i frymëzojnë të rinjtë të bëjë gjëra të bukura dhe të mëdha duke i’u besuar dhe aktivizuar më tepër të jenë motori i kishës dhe i shoqërisë.

22 janar 2019, 12:56